Ish Presidenti, Bamir Topi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për situatën politike në vend.
Sipas tij, më e keqja ende nuk ka ardhur. Topi tha se partitë politike por edhe shtetin e ka kapur një virus i rëndë.
Lidhur me kryeministrin Rama, Topi deklaroi se ai tani “fluturon” lart me të gjithë pushtetet që ka, por duhet të fillojë të mendojë se si do ta ulë avionin, pa shkaktuar kosto për vendin.
“Mandati i katër, i panevojshëm, i paimagjinueshëm dhe kjo nuk përbën më asnjë lloj surprize. Nëse do të jap një situatë metaforike, ai ka 12 vjet që qëndron në një kuotë të lartë të fluturimit dhe drejton avionin. Nga eksperienca politike dhe nga të gjitha informacionet, ky njeri duhet të dijë të fillojë të bëjë uljen normale të avionit, sepse ulja në situatë turbulence do të krijojë probleme shumë të mëdha për të dhe qeverisjen e tij dhe për një shoqëri që po kalon trauma në mënyrë ciklike. Nuk e di çfarë mendon ai, por këtë koment nuk e bëj në interesin e tij, por në interes të ndërtimit të një opinionit të shëndoshë në një shoqëri që ka humbur aftësinë, jo për të reaguar por edhe për të perceptuar. Ky lloj kaosi ka qenë i injektuar qëllimisht, që njerëzit të jenë të shkëputur nga problemet e ditës dhe ti orientojnë sipas skemave të rrëmbimit të zgjedhjeve.
Duke iu referuar shifrave dhe formulës ku i ka ndaluar me ligj funksionimin e koalicioneve parazgjedhore, do të thotë se përballja është PS – PD, mbi bazën e listave të mbyllura.
Rama ndoshta kujdeset për faktin që përtej kufijve të Shqipërisë jetojnë gati pesëfishi i shqiptarëve dhe si duket mendon se do të zgjidhë problemet e tyre në kontekstin global, kur ke një qeverisje të gjatë dhe pushtet absolut pa kufij, besoj se edhe ata që ka afër, nuk guxojnë ti thonë që ku po shkon, nuk guxojnë. Është një rreth vicioz dhe i ngushtë, me sa duket kjo historia e njerëzve të pushtetit të pakufijshëm, ata që janë afër i thonë vazhdo se e ke mirë.
Ata që korrin frytet e pushtetit, njerëzit lëpirës dhe servilë janë përgjithësisht njerëzit që mbijetojnë, i shërbejnë cilitdo personi që është atje. Janë të parët që e braktisin anijen kur anija mbytet”, tha Topi.
Lidhur me situatën politike në vend, Topi tha se më e keqja ende nuk ka ardhur.
“Është një situatë që duke kaluar kufijtë e modestisë, e kam parashikuar me kohë që do të vinte kështu. Madje mund t’ju them, se më e keqja për politikën shqiptare ende nuk ka mbërritur. Flas për situatën e partive politike dhe për pasojë edhe institucioneve të shtetit. Sot, ne çdo ditë e më shumë, mund të gjejmë të meta pafund, jo thjesht të një individi që është kryeministër, por të atyre që janë të pranishëm në politikën shqiptare, sikur një virus i rëndë i ka kapur pa dallim të gjithë. Janë pjesë e një epidemia që ka shpërthyer nga këneta ku janë zhytur. Mendoj se kemi një gjendje klinike të rëndë që do të vijë duke u përkeqësuar. Pse? E para e punës, ka dëgjeneruar deri në atë pikë sa nuk e kisha imagjinuar, mënyra e funksionimit të partive politike. Gjithmonë e më shumë po identifikohen me kryetarët.
Pas partive politike vjen situate zgjedhore dhe pastaj ai parlament për të cilin, as unë dhe as ju dhe as të tjerë nuk kanë atë respekt që duhet të kishin për institucionin, sepse ai vetë është prodhuar nga njerëz të cilët nuk shohin perspektivën e Shqipërisë por vetëm intersa të ngushta personale të familjeve të tyre dhe grupit që i rrethon.
E gjithë kjo shkon tek institucionet. Partitë politike duhet të mendonin për qeverisjen dhe institucionet duhet të ishin të tilla, që pavarësisht krizave të ishin solide”, deklaroi ish Presidenti.