Një adoleshent hyri në një shkollë në kryeqytetin e Kroacisë të premten, goditi me thikë për vdekje një vajzë 7-vjeçare dhe plagosi tre fëmijë të tjerë dhe mësuesin e tyre, thanë autoritetet.
Sulmi ndodhi rreth orës 09:50 në ditën e fundit të mësimit para Krishtlindjeve në shkollën fillore Preçko në Zagreb. Në këtë shkollë ndjekin mësimet fëmijë nga mosha 7 deri në 15 vjeç.
“Autori i sulmit është një 19-vjeçar, ish-nxënës i asaj shkolle, që ende jeton aty pranë”, tha Ministri i Brendshëm Davor Bozinoviç. “Më pas ai filloi të godiste veten, por policia e pengoi të bënte vetëvrasje.”
Ministri Bozhinoviç tha se sulmuesi kishte probleme të shëndetit mendor dhe kishte bërë një përpjekje të mëparshme për të vrarë veten. “Është e vështirë të thuhet se ky person ishte i ekuilibruar nga pikëpamje mendore.”
Sulmet në shkolla janë të rralla në Kroaci dhe në Ballkan në tërësi, megjithëse në maj të vitit 2023, një adoleshent në Serbinë fqinje hapi zjarr në një shkollë në kryeqytetin e vendit, Beograd, duke vrarë nëntë nxënës dhe një roje të shkollës.
Pamjet filmike të transmetuara nga mediat kroate të premten tregojnë fëmijë duke ikur nga ndërtesa e shkollës dhe një helikopter mjekësor duke zbritur në oborrin e saj.
Autoritetet në Kroaci e shpallën të shtunën ditë zie dhe anuluan disa nga aktivitetet për festimin e Krishtlindjeve. Kandidatët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale thanë se po pezullonin përkohësisht fushatat e tyre për shkak të tragjedisë.
Presidenti Zoran Milanoviç tha se “nuk mund të përshkruhet me fjalë pikëllimi për tragjedinë e tmerrshme dhe të paimagjinueshme që na tronditi të gjithëve sot”. Presidenti Milanoviç bëri thirrje për unitet dhe përpjekje për t’u siguruar që shkollat të jenë një vend i sigurt për fëmijët.
Kryeministri Andrej Plenkoviç tha në një takim të qeverisë se ishte “i tmerruar” nga sulmi dhe se autoritetet ende po punojnë për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.