VIDEO/Basha me Demokratët Euroatlantikë: Do çojmë deri në fund rrugën e nisur dhe do t’i japim vendit një të ardhme më të mirë

0
106

Lulzim Basha ka zhvilluar një takim festiv me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Demokratëve Euroatlantikë, ku shprehu optimizëm për vitin e ardhshëm dhe zotimin për të çuar deri në fund rrugën e nisur për ndryshim.

Në fjalën përshëndetëse, Basha theksoi rëndësinë e vitit 2025, duke e krahasuar me vitet historike 1990 dhe 1992, si një moment vendimtar për ndryshimin në Shqipëri. Ai u zotua për të mos lejuar “projektin e errësirës” dhe për të sjellë shpresë dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët.

“Shpresë do të ketë, të ardhme do të ketë për Shqipërinë dhe shqiptarët,” tha Basha, duke uruar për një Vit të Ri të mbushur me paqe, shëndet dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët.

Postimi i Bashës:

Një mbrëmje e bukur festive me drejtues dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Demokratëve Euroatlantikë. Teksa i afrohemi ndërrimit të viteve, me zemër plot besim dhe shpresë, urojmë për një Vit të Ri të mbushur me paqe, shëndet dhe mbarësi për çdo shqiptar, për çdo familje, për rininë tonë që meriton më shumë mundësi dhe një të ardhme këtu, në vendin tonë.

Le të jetë 2025-a viti ku fuqia e ndryshimit vjen nga qytetarët, nga vendosmëria e tyre për të thyer prangat e së shkuarës dhe për të përqafuar një vizion të ri për vendin tonë.

Me vlerat që na kanë bashkuar në kohët më të vështira, do ta çojmë deri në fund rrugën e nisur dhe do t’i japim vendit një të ardhme më të mirë.

Urime dhe suksese për të gjithë!

Fjala e Bashës:

Sot është nata më e gjatë e vitit. Kjo është e vërtetë shkencore, por është edhe e vërtetë politike dhe shoqërore. Por sot në natën më të gjatë të vitit shndërrin kjo sallë nga optimizmi, nga pozitivizmi dhe energjia e demokratëve euroatlantikë, e të rejave dhe të rinjve dhe me këtë t’i japim një mesazh shqiptarëve anembanë se kohët që po kalojmë janë të vështira, por viti që po vjen do të jetë një vit shumë i rëndësishëm. Një vit i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndofta po aq i rëndësishëm sa 1990 apo 1992. Dhe në këtë kohë, ku po bëhet gjithçka, për ta varrosur shpresën, për ditë më të mira, shpresën e rinisë për të ardhmen, shpresën e prindërve për fëmijët e tyre, ne jemi këtu jo vetëm për t’i treguar njëri-tjetrit dhe mbarë shqiptarëve se jemi gati dhe të vendosur për ta çuar deri në fund rrugën që kemi nisur, por edhe për t’u zotuar se me vlerat që na bashkojnë e që na kanë bashkuar në kohët më të vështira, nuk do të lejojmë projektin e errësirës së gjatë, projektin e varrosjes së shpresës. Shpresë do të ketë, të ardhme do të ketë, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ju falënderoj nga zemra për punën tuaj kolosale në këtë vit të vështirë dhe le të jemi kështu së bashku për të filluar vitin e ri me rrugën e re, me shpresë të re, për të gjiithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë!