VIDEO/Fest 63- Parashqevi Simaku ngre në këmbë sallën e Pallatit të Kongreseve: Puthje për të gjithë konkurrentët

0
722

Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’ në skenën e Festivalit është krijuar një emocion i veçantë, kur Festivali i Këngës është përshëndetur nga Parashqevi Simaku, e cila për vite me radhë ka shkruar historinë e këtij eventi mbarë kombëtar, duke fituar edhe 2 çmime të para.

Vajza që bëri shumë artistë të ëndërronin për magjinë e skenës së Festivalit të Këngës ndër vite, ka përshëndetur nga Nju Jorku, duke shprehur dëshirën e saj për të qenë edhe ajo në këtë skenë, ashtu si dekada më parë. Ajo ka përshëndetur edhe të 30 konkurruesit në garë, duke ju dërguar një puthje të veçantë.  

“Përshëndes Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion. Do të doja të isha aty. Herën e fundit që kam qenë aty këndova një këngë të bukur në vitin 1999, që quhet “Dëgjoma këngën”. Një puthje për të gjithë ju, konkurrentët e Festivalit të 63-të.’, tha Simaku.

Ka qenë biznesmeni Elton Ilirjani, i cili ka shoqëruar divën e muzikës shqiptare, siç e vlerësoi ai Parashqevi Simakun, gjatë përshëndetjes së saj në Fest 63.

Simaku është një nga personalitetet e muzikës shqiptare, e cila ka gdhendur emrin e saj jo vetëm në muzikën e lehtë dhe atë qytetare shqiptare, por edhe në skenën e Festivalit të Muzikës, që organizohet prej 63 vitesh nga Radio dhe Televizioni Shqiptar.

Parashqevi Simaku ka fituar 2 çmime të para në Festivalet e Muzikës: Në 1985 me këngën “Në moshën e rinisë”, kompozuar nga Vladimir Kotani me tekst të Arben Dukës, si dhe në vitin 1988 me këngën “E duam lumturinë”, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të Agim Doçit.

Parashqevi Simaku lindi në vitin 1966 në qytetin e Kavajës dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që në moshë të vogël, ajo u spikat nga kompozitorët më të njohur të momentit në atë kohë në Shqipëri. Parashqevia këndoi në shumë festivale dhe Koncerte të Pranverës. Pas vitit 1991 ajo u largua drejt SHBA-së, ku edhe ka krijuar jetën e saj. rtsh