Nuk është faji i Tik-Tokut, është i Noc Rrokut!

0
9

Edmond Arizaj

Tik-Tok nuk egzistonte në 2013. As në 2014. As në 2015. Nuk egzistonte, aq më pak me këtë fuqi që ka sot, as për disa vjet të tjerë. Por, nëse hapim arkivat në secilën prej këtyre viteve ka pasur akte dhune mes adoleshentësh në shkolla, madje edhe vrasje. (Njërën e mbaj mend mirë, ka ndodhur në Durrës, sepse bëra dhe një shkrim atëkohë “E vramë ne”).

Sipas meje kjo që po ndodh me adoleshentët shqiptarë, nuk mbiu sot e u rrit gjatë natës si dru bambuje. Ka vite. Vite. Adoleshentëve u është hequr qëllimi, ideali, ëndërra, synimi, vizioni. Rriten në një ambient të egër, të dhunshëm, e ku më egrit e më të dhunshmit janë dhe më të privilegjuarit e të shpërblyerit.

Adoleshentëve tanë nuk u mëson më dikush se sa vlerë ka për komunitetin të bëhesh në të ardhmen mjek, mami, infermier, zjarrfikës, polic, inxhinier…, por “u mësojnë” se si të përfitojnë nga këto profesione.

Adoleshentët nuk shikojnë se një kriminel përfundon në burg dhe mund të kujtohet dikush për të vetëm për ndonjë dokumentar lidhur me devijancat e rralla të mendjes; jo ata shohin se vrasësve u thurren pothuaj lavde, se përmenden çdo ditë, se bëjnë pak burg, se rrethohen me femra e pasuri, se respektohen, apo se bëjnë edhe karrierë politike e administrative.

Adoleshentët jetojnë në një vend të çuditshëm, ku njerëzit e dinë se po zgjedhin dikë me probleme, se njerëzit shohin në TV një deputet, që akuzohet për krime dhe e respektojnë sërish!!!

Adoleshentët tanë në fakt janë heronj. Një pjesë e mirë. Ata së bashku me shumicën e prindërve. Sepse në këtë vend katrahurë, ku arsimi është shkatërruar në themel, (e ku ca mure e ca dërrasa nuk janë arsim), ku empatia ka vdekur, ku dashuria vjen pothuaj vetëm nga gjyshet, sepse as prindërit s’kanë më kohë e fuqi, ku e ardhmja e tyre ka vetëm dy rrugë: ose kamarier e banakier siç ua kërkon kryeministri, ose trim e kriminel siç e kërkon shoqëria, (sepse të tjerat i di partia), ata zgjedhin të bëhen futbollistë si 14 vjeçari që iu pre ëndërra në mes para pak ditësh, zgjedhin të studiojnë jashtë duke punuar e duke sakrifikuar orët më të bukura të rinisë, apo zgjedhin të ingranohen me të rejat teknologjike, me të bukurat, me të mirat.

Kthejeni kokën nga protesta e studentëve së para disa viteve. Sa të bukur ishin! Sa të zgjuar! Sa të pregatitur! Nuk e di ku janë sot, u uroj më të mirën, por jam i sigurtë se shumë prej tyre i përdorin rrjetet sociale për të punuar, mes tyre edhe Tik-Tokun që do ua heqin si mundësi.

Adoleshentëve u duhet dhënë shembull. Shembull i mirë. Shembuj të punës e talentit. Shembuj të shkencës. Fëmijëve u duhet dhënë arsim cilësor, konkurrues e sportiv. Fëmijët tanë nuk rriten vetëm në shoqëri absurde, por edhe në ambient absurd, në natyrë absurde, një realitet i përthyer keqaz.

Personalisht i përmbahem idesë se promotori duhet të jetë media. Duke ulur sasinë e helmit me kriminelë, vrasje, luks. E duke shtuar presionin mbi qeverinë për investime serioze e afatgjata në arsim, ku trajtimi i edukatorëve, mësuesve dhe krijuesve të literaturave duhet të jetë i veçantë për një kohë. “Arsimi partiak” është vrasës, sidomos kur vrimat i zënë edhe të paaftët.

Edukata dhe edukimi pothuaj nuk kanw depërtuar fare në rajone të gjitha. Adoleshentët bëhen gjobaxhinj, bullizues, kërcënues, apo edhe më keq. Familjet e mesme janë në presione egzistenciale, e kotë t’u vësh faje. Sigurimi në shkolla nuk përgjigjet për çka ndodh gjysëm metri larg godinës. Policia kap ndonjë shpërndarës droge, duket se po ndihmon më shumë se sa po lufton. Është një bjerrje e përgjithshme, një zvetënim pa anë e fund.

Gjithsesi, duhet ta kuptojmë; shoqëria e sotme shqiptare nuk zbutet më, nuk qytetërohet më, nuk bëhet më e ndershme. Por nuk duhet të humbasim të ardhmen. E, e ardhmja nuk varet nga Tik-Toku. Mbyllja e tij nuk do të ndryshojë asgjë. (Janë me dhjetëra aplikacione ku të rinjtë mund të “grinden” pa problem. Rrugaçëria është sistem tashmë, nuk fillon në Tik-Tok, fillon në lagje, në shkollë e në rrugë). E ardhmja varet sadopak nga secili prej nesh. Por ata që kanë më shumë pushtet e përgjegjësi, dukje e ndikim, duhet të nisin të hedhin hapat e parë. Fuqia sjell jo vetëm benefite, por edhe përgjegjësi.