Një 26 vjeçar me profesion taksist është arrestuar pasi akuzohet se i ka marrë me dhunë një klienti një shumë parash dhe dy aparate celularë.
”Komisariati i Policisë Nr. 1, pas marrjes së kallëzimit nga një 20 vjeçar i cili kallëzoi se taksisti me të cilin udhëtonte në taksi i kishte marrë me dhunë një shumë parash dhe dy aparate celular, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit Nr.1, shtetasi A.P, 26 vjeç.
Ky shtetas, orët e para të ditës të mëngjesit të ditës së djeshme, ka marrë në taksinë që drejtonte shtetasin Xh.H, 20 vjeç, dhe gjatë udhëtimit, ka ndaluar mjetin në një rrugë të pabanuar në afërsi të lagjes së Çollakëve, dhe i ka marrë me dhunë shtetasit Xh.H një shumë parash dhe 2 aparate celularë dhe më pas e ka zbritur nga taksia dhe është larguar.
Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit A. P., 26 vjeç, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, njoftoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.