Shumica e grave shtatzëna që do të preken nga gripi i shpendëve rrezikojnë seriozisht jetën, sipas një studimi të ri Australian, i cili pas një rishikimi të kujdesshëm të infeksioneve, del në përfundimin se edhe e njëjta gjë e pret edhe pjesën dërrmuese të foshnjeve të prekura që në mitër nga virusi.
I shkaktuar nga viruse të grupit A, një lloj i rëndë i gripit të shpendëve, i njohur si shtami A H5N1 me patogjenitet shumë të lartë, po përhapet në mbare botën, shkruan The Guardian.
Edhe pse ai ka shkaktuar një shpërthim infektimi tek shpendët, përfshirë ata të egër, përhapja tek gjitarët e veçanërisht njerëzit ka qenë e rrallë, e kufizuar veçanërisht tek personat që punojnë në kontakt të ngushtë me zogjtë dhe bagëtinë e sëmurë dhe nuk ka pasur dëshmi për transmetim nga njeriu tek njeriu. E megjithatë, së fundi po shënohet një shtim i këtyre infeksioneve në disa pjesë të globit, përfshirë Kinën dhe SHBA-në.
Një studiuese e sëmundjeve infektive në Institutin Kërimore Murdoch në Melburn, Dr Rachael Purcell, tha se teksa shumë njerëz që u infektuan me gripin e shpendëve ishin “plotësisht mirë, ata donin të shihnin se çfarë ndodh me gratë shtatzëna”.”Sistemi imunitar i një gruaje shtatzënë nuk funksionon në të njëjtën mënyrë si përpara shtatzënisë,” tha Purcell.
“Gratë shtatzëna të pavaksinuara që marrin viruse të tjera si Covid-19 ose gripi sezonal shpesh sëmuren më shumë se gratë e tjera”, shton ajo. Studimi i fundit vjen me shifra tronditëse: I botuar nga Emerging Infectious Diseases, ai zbuloi se 90% e grave të infektuara me gripin e shpendëve gjatë shtatzënisë vdiqën, dhe pothuajse të gjitha foshnjat e tyre, apo 87% humbën jetën së bashku me to, ndërsa edhe nga foshnjat që mbijetuan, shumica lindën para kohe.