Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu pa nga afër sot pajisjet mjekësore moderne që i janë shtuar së fundmi laboratorit të Poliklinikës së Specialiteteve Nr.3 në Tiranë dhuruar nga Drejtori i Fondacionit “Fundjava Ndryshe”, Arbër Hajdari.
Koçiu theksoi se këto pajisje të teknologjisë së avancuar do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e analizave laboratorike, duke mundësuar diagnostikime më të sakta dhe efikase për 280,000 qytetarët që marrin shërbime në këtë qendër.
Ministrja Koçiu deklaroi se “jemi duke punuar edhe për të shtrirë një plan mbështetje me aparatura të teknologjisë së lartë. Janë 100 milionë lekë nga buxheti i shtetit për vitin 2025 që do të pajisin jo vetëm Poliklinikën Qendrore, por edhe qendrat e tjera shëndetësore me fokus tek ato qendra që ushtrojnë veprimtarinë 24/7”.
Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu dha një tjetër lajm sa i përket Poliklinikës së Specialiteteve Nr3. Duke bërë me dije se me buxhetin e vitit 2025 do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. “Poliklinika qendrore është poliklinika kryesore e cila do të marrë edhe një investim sa i përket rehabilitimit fizik me buxhetin e vitit 2025. Janë 107 në fakt qendra shëndetësore që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit me buxhetin e vitit 2025”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
Ndërsa Drejtori i Fondacionit “Fundjava Ndryshe”, Arbër Hajdari u shpreh: “kjo është një poliklinikë e cila i shërben afro 250 mijë qytetarëve dhe na vjen mirë që na jepet mundësia që t’u shërbejmë përmes këtij dhurimi”.
Departamenti i Laboratorit Biokimik- Klinik- Imunologjik në këtë Poliklinikën e Specialiteteve Nr.3 kryen në vit 240.000 analiza të ndryshme laboratorike që nga ato të thjeshta e deri tek ato specialistike. Stafi i laboratorit vlerësuan se aparatet e reja janë të fjalës së fundit, të shpejtë dhe mbajnë një fluks të lartë pune me rreth 270 analiza në orë