OSHEE, 855 mln lekë nga kamatvonesat – Arkëtimet për janar – tetor, vlera e pagesave jashtë afatit u ul në raport me 2023

0
7

Likujdimi me vonesë i faturave të energjisë elektrike nga konsumatorët ka rritur të ardhurat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas të dhënave zyrtare në periudhën janar – tetor ky dikaster arkëtoi rreth 855 mln lekë nga kamatvonesat e familjarëve, bizneseve, institucioneve buxhetore dhe jobuxhetore.

Në raport me 10 – mujorin e vitit të kaluar vlera e mbledhur nga kamatat ka pësuar ulje, duke qenë se për të njëjtën periudhë të vitit që shkoi, ky dikaster arkëtoi rreth 1.13 apo rreth 270 mln lekë më shumë se sivjet.

Në total, për periudhën 10 – mujore, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike gjeneroi 1.886.772 fatura, për të cilat është arkëtuar kamatvonesa.

Sipas kontratës që OSHEE ka nënshkruar me klientët e saj, afati i fundit për likujdimin e faturave është dita e fundit e muajit pasardhës.

Ndërkohë që, mospagimi i detyrimit mujor brenda afatit të përcaktuar, shoqërohet me një kamatëvonesë, e cila llogaritet në masën 0.1% e faturës totale, për çdo ditë vonesë.

Më pas, në rast se energjia e konsumuar vijon të mospaguhet, kontrata parashikon përshkallëzim të penaliteteve që shkojnë deri në ndërprerje të energjisë elektrike.

Në total për periudhën 10-mujore OSHEE arkëtoi rreth 68 mld lekë.