Gjykata e posaçme i kërkon SPAK-ut të rikualifikojë akuzën për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Gjyqtarja paraprake Fjorala Davidhi ka rënduar pozitën e Beqajt, ish zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, duke i sugjeruar SPAK të ngrejë akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërkohë siç bëjnë me dije burime, gjyqtarja paraprake Davidhi ka kërkuar veçim të dosjes dhe vazhdim të hetimeve nga SPAK për të saktësuar rolin e ministrisë së Financave në dosjen e Sterilizimit.
Gjithashtu edhe të hetohet sipas gjyqtares shtetasi italian Umberto Stachini, që është një nga nënkontraktorët e shoqërive.
Gjykata ka thënë se nuk është e nevojshme të bëhet akt ekspertim për dëmin financiar të shkaktuar nga Sterilizimi, ndërkohë që pritet të japë qëndrimin e tij edhe SPAK pas këtij vendimi.
Ndërkohë, SPAK është shprehur se pranon të ngrejë akuzat siç i sugjeron gjykata, pavarësisht se mendon se akuzat e ngritura prej prokurorisë ishin të drejta.