Një akt i thjeshtë dashamirësie, që u kthye në histori ndërkombëtare. ABC 7, që publikoi videon e Parashqevi Simakut teksa merrte ndihma, raporton historinë e ikonës së muzikës shqiptare.
Gazetarja Nina Pineda rrëfen se si në 10 dhjetor, me ekipin e televizionit ndoqën një grup fëmijësh duke shpërndarë ndihma për njerëz të pastrehë.
Një dhuratë e thjeshtë që gëzoi zemrën e Simakut. Eleganca e saj më bëri përshtypje, pohon gazetarja, që shton se gjithçka ndodhi më pas quhet mrekulli. Kjo video e shkurtër mjaftoi që njerëzit në Shqipëri ta njihnin menjëherë.
Parashqevi Simaku është këngëtare dhe aktore, një thesar kombëtar për Shqipërinë, thotë ABC 7. Komuniteti shqiptar në SHBA u solidarizua menjëherë, duke ndihmuar Simakun të largohej nga Penn Station brenda dy ditëve, të rinisë jetën e saj dhe t’i rikthehet muzikës pas gati dy dekadash.