Parashqevi Simaku ndriçoi që në hapat e parë të karrierës, kur me këngët e saj rrëmbeu zemrat e shqiptarëve.
Në një intervistë me gazetaren e Top Channel, Spartak Ngjela shprehet se suksesi i saj nuk ishte aspak rastësor. Teksa kujton artisten në vitet ’80, ai shprehet se Simaku me talentin dhe sharmin e saj arriti të tejkalonte kufijtë e artit socrealist.
“Afektin emocional në skenë e kishte ndryshe nga koha. Dhe i vërtiti aktorët e mëdhenj që drejtonin Shqipërinë me talentin dhe bukurinë e saj sa sot shpifin… e dashuronin, e merrnin… siç e kanë shqiptarët”-shprehet Ngjela.
Por, jeta e ikonës së muzikës shqiptare mori kthesë pas emigrimit dhe krijimit të familjes, sipas avokatit.
“Largimi nga atdheu, nga qendra e gravitetit. Atje je satelit. Dhe prandaj kanë dështuar, nuk është Simaku e para.”
“Një këngëtare e bukur që ka zë, ka talent, me të trija këto ka rreziqe, nga kush? Nga burri i saj. E gjithë tragjedia nga i shoqi i erdhi“-shton ai.
Por si u shndërrua në fenomen rënia e Parashqevi Simakut nga një ikonë e muzikës dhe bukurisë në një të pastrehë, duke fituar empatinë e të gjithë shqiptarëve?
“Këtu është drama që e ka kthyer në një film. Njerëzit i lidhin dramën me figurën e bukur. Ky mund të jetë një moment tragjik i një këngëtareje të madhe siç është Simaku, prandaj është bërë fenomen shoqëror. Ata që janë xheloz ndaj saj e kritikojnë, por kuptohet që është mllef“-thotë Ngjela.
Rastin e Simakun, Ngjela e konsideron të denjë për filma e romane dhe tregon se cili mund të jetë sezoni i dytë.
“Seria e dytë e filmit do fillojë kur Simaku të dalë në skenë, do ndahen ata që do e duartrokasin, xhelozët do thonë nuk është në nivelin e saj. Ajo mund të shkëlqejë siç ka qenë“-shprehet Ngjela.