BallinaKryesore“Presidenca Polake e BE-Për një Europë në veprim”

“Presidenca Polake e BE-Për një Europë në veprim”

spot_img
spot_img

Ardit GJINALI

Përfundimi i vitit 2024, vit dramatik zgjedhor në vende të ndryshme të hartës politike të botës, vit zgjedhor që përfshiu ankthe, pasiguri, paqartësi dhe më shumë se dilema, jo vetëm mbi rezultatet përkatëse zgjedhore por gjithashtu mbi qëndrueshmërinë politike qeverisëse në skenën kombëtare të shumë aktorëve politikë, të tillë Europianë dhe përtej kontinentit në kontekstin gjeografik, varësisht implikimeve politike në kontekstin ndër-kontinental.

Përfundimet bartin shpeshherë kontekstin dramatik që përcjell termi në vetvete, por “përfundimi i një mandati” nuk përcjell gjithmonë dramaticitet- Presidenca e Bashkimit Europian është shembulli që “përfundimi” është stafeta drejtë një fillimi me filozofi vazhdimësie në vizionin e përbashkët të një Europe më të mirë, më shumë të pranishme politikisht dhe më efektivisht vendimmarrëse. 

Fundi i vitit 2024 shënon dhe përfundimin e Presidencës Hungareze, një vend anëtar i aleancës së Vishegradit,  e tilla në periudhën Qershor-Dhjetor 2024 dhe shënon fillimin e Presidencës Polake, një tjetër vend anëtar i aleancës së Vishegradit, në periudhën e parë gjashtëmujore të vitit të ardhshëm , përkatësisht Janar-Qershor 2025. Mund të përmendim që Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Polonia janë katër vendet që përbëjnë aleancën e Vishegradit, të katër vendet anëtarë të Bashkimit Europian, pas zgjerimit të madh të 2004.

Polonia do të mbajë për herë të dytë Presidencën e Bashkimit Europian në periudhën Janar-Qershor 2025, pas herës së parë, përkatësisht në vitin 2011. Vendi ka përjetuar një përplasje politike të fortë përmes një polarizimi të skajshëm i dukshëm dhe në rezultatin përfundimtar zgjedhor që shënoi ndryshimin e qeverisjes, ku vendi qeveriset nga një qeveri koalicioni reformator nën drejtimin e Donald Tusk, lider i Platformës Qytetare , njeriu që do të drejtojë Presidencën e Bashkimit Europian për shkak të cilësisë si Kryeministër i Polonisë, pas zgjedhjeve të vitit 2023,i njëjti , Donald Tusk, ish-Kryeministër i Polonisë në periudhën  2007-2014 ,  ish- President i Këshillit Europian në periudhën 2014-2019 dhe ish-Kryetar i Partive Popullore Europiane në periudhën 2019-2022, gjithashtu.

Presidenca Polake e Bashkimit Europian do të ndërtojë veprimin e saj institucional bazuar në tri prioritete kryesore përkatësisht ; – Energjia, Mbrojtja dhe Siguria. 

Kryeministri Polak Donald TUSK ka theksuar qartë përmes një zëri të fuqishëm politik, i tilli jo nga tingujt lëshues, por nga statura politike individuale dhe vendit që përfaqëson mbi një Presidencë Polake të veprimit efektiv, e tilla përtej mandatit Polak, por mandati Polak të shërbejë si fillesë e një mendësie të re për Europën ku sipas TUSK -“ Europa nuk mund të qëndrojë në pozita mbijetuese, por në pozita tërësisht politikisht dhe aktivisht vepruese” dhe duke vijuar dhe përsëritur më shumë se një herë që “ Ne do ta bëjmë Europën të mendojë Polonisht në shumë mënyra”.

“Siguria “ do të jetë prioriteti kryesor në të gjithë dimensionet , përfshirë dimensionin e brendshëm përkatësisht në hartën politike të Unionit  si konkurrenca, cilësia e ushqimit, ilaçet thelbësore dhe një studim realist për një  çmim të ri energjie   për bizneset dhe qytetarët dhe   garantimin e sigurisë së furnizimit dhe diversifikimin e energjisë, gjithashtu.  Nga ana tjetër, dimensioni i jashtëm  që tejkalon kufijtë politikë të Unionit  ,  përfshin përkatësisht mbrojtjen e kufijve të Evropës, sigurinë kibernetike, luftën kundër informimit të rremë përmes ndërhyrjeve të huaja  dhe rritjen e industrisë së mbrojtjes së  Unionit në tërësi ku buxheti për mbrojtjen gjatë vitit 2023 ishte rreth 279 miliardë euro, por jetësimi i vizionit mbi mbrojtjen e përbashkët ajrore Europiane do të thërrasë për një angazhim shumë-dimensional të shtuar ku Ambasadorja e Polonisë e akredituar në Tiranë, Agnieszka BARTOL  do të theksonte “ Mentaliteti është ndryshuar rrënjësisht. Tani po flasim për financim të ri për mbrojtjen, që ishte tabu disa vite më parë”. Ky financim i ri për mbrojtjen do të mundësonte një drejtim të ri të Unionit në ecuri të ngjashme  financimi me dy aktorët e tjerë botërorë përkatësisht SHBA dhe Kina.

Në vijim të së njëjtës frymë, Kryeministri TUSK do të deklaronte “Pavarësisht nëse bëhet fjalë për energjinë, klimën, ushqimin, rritjen e aftësive mbrojtëse të Evropës apo bashkëpunimin transatlantik, politikën ndaj luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, kudo do të duhet të kapërcejmë ndarjet tradicionale dhe të kujtojmë se siguria e të gjithë kontinentit varet nga ne”.

Marrëdhënia politike me Gjermaninë dhe Francën mbeten të një rëndësie thelbësore për një Presidencë të suksesshme ku parimi i “ekuilibrit politik” mbetet thelbi i inkurajimit të pro-aktivitetit politik të Unionit gjatë Presidencës. Përtej një kohë politike të pafavorshme, përkatësisht me rrëzimin e qeverisë së kancelarit SCHOLZ  në Gjermani pas votëbesimit negativ në Bundestag dhe zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më Shkurt , 2025 apo dhe paqëndrueshmëria politike në Francë me pamundësinë e vazhdueshme të qeverive për të vijuar për shkak të mungesës së numrave në parlamentin Francez, eksperienca e Kryeministrit Polak TUSK do të jetë thelbësore në dërgimin përpara të agjendës Polake në bashkërendim me boshtin e BE, Francë-Gjermani, si një interes pan- Europian varësisht dinamikave të politikës kombëtare, në Francë, Gjermani apo në Poloni, gjithashtu. 

Vizitat e Kryeministrit TUSK në Shkurt të vitit 2024, përkatësisht në Berlin dhe Paris mbeten shembulli i një ere të re bashkëpunimi që do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen tërësore të agjendës së Presidencës Polake të Bashkimit Europian, vizita në Gjermani u realizua nga Kryeministri Tusk varësisht retorikës së fortë politike akuzuese ndaj tij nga opozita konservatore Polake, përkatësisht nga Partia “Ligj dhe Drejtësi”.

Nga ana tjetër, vizita e Presidentit Francez MACRON në Varshavë,  më Dhjetor 2024, ku gjatë takimit me Kryeministrin TUSK u konfirmua angazhimi i përbashkët në mbrojtje të paqes dhe fuqizimit të instrumentave që do të garantonin konsolidimin e mëtejshëm të sigurisë Europiane, ku Polonia mund të konsiderohet si një shembull pozitiv në kuadër të këtij vizioni. Deklaratat e dy liderëve , TUSK dhe MACRON ishin si vijojnë ku përkatësisht Presidenti MACRON do të theksonte; -“ “Ne e kemi një vizion të përbashkët, se e vetmja paqe e mundshme është paqja e qëndrueshme, që do të thotë një paqe e negociuar nga ukrainasit që do t’i lejojë ata të kenë zgjidhje afatgjatë të sigurisë”. Nga ana tjetër , Kryeministri TUSK theksoi që  “Pas diskutimeve, ne vërejmë nevojën e një uniteti absolut në Evropë, për të vepruar në favor të paqes në Ukrainë. Polonia është ajo që pret qendrën logjistike, unike në zhanrin e saj, që shërben për transferimin e ndihmës në Ukrainë. Ne jemi ata që mbajmë barrën e sigurisë së kufirit lindor të BE-së”.

Përtej diskutimeve dhe angazhimeve të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe një pro-aktivitet të shtuar Europian, një sfidë polarizuese brenda Bashkimit Europian gjatë këtyre 6 muajve të Presidencës Polake do të jetë implementimi i marrëveshjes së tregtisë mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Mercosur, e nënshkruar mes Presidentes së Komisionit Europian Ursula VON DER LEYEN dhe liderëve të vendeve të Mercosur, përkatësisht të Brazilit, Argjentinës, Paraguajit dhe Uruguajit;- një marrëveshje që pritet të kalojë në një rrugë jo të shkurtër implementimi ku sfida kryesore mbetet miratimi në Parlamentin Europian dhe tejkalimi i skepticizmit të kryesisht dy vendeve më zë të fortë kundërshtues brenda Bashkimit Europian, përkatësisht Francës dhe Polonisë. 

Kjo marrëveshje dhe qëndrimi i Kryeministrit TUSK ndaj së njëjtës mbetet i vështirë për shkak të implikimeve që “PO”- ja ndaj marrëveshjes do të përcillte në skenën e brendshme politike Polake, veçanërisht me zgjedhjet Presidenciale të Majit 2025 apo dhe me mbështetjen publike në rradhët e fermerëve ndaj politikave të qeverisë në tërësi në periudhën vijuese ku polarizimi i fortë politik mund të sjellë ndikime anësore në vendimmarrje të gjera në koherencë me pozicionin politik të BE ndaj aktorëve të tjerë globalë. 

Presidenca Polake e Bashkimit Europian përcjell pritshmëri pozitive mbi inkurajimin e proçesit të zgjerimit ndaj aktorëve politikë, vende në rajonin e Ballkanit në statusin e vendit kandidat apo dhe Ukrainën apo Moldavinë. Presidenti Polak DUDA do të theksonte  gjatë një takimi jo-formal në Krakovë me presidentët  nga disa nga vendet anëtare të BE-së përkatësisht të Italisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Kroacisë, Greqisë, Estonisë, Sllovenisë, Letonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë si vijon ;-“ “Ne duam në radhë të parë që Ukraina, por edhe Moldavia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në Bashkimin Evropian. Të gjithë shpresojmë që Gjeorgjia të pranohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të ketë po ashtu më shumë rol aktiv nga Shtetet e Bashkuara në marrëdhëniet  me Bashkimin Evropian.”

Presidenti aktual Polak DUDA ka shprehur në një periudhë të mëhershme , përpara zgjedhjeve presidenciale  të mbajtura në SHBA më 5 Nëntor 2024, mbi domosdoshmërinë e mbajtjes së dy samiteve përkatësisht  BE-SHBA dhe BE-Ukrainë gjatë periudhës gjashtëmujore së Presidencës Polake të Bashkimit Europian. Presidenti DUDA theksoi si vijon; -“ Ne duhet të organizojmë dy samite evropiane në Poloni për të theksuar elementët më të rëndësishëm të zhvillimit të Evropës për të ardhmen” dhe vijoi “ Takimi mes BE-së dhe Ukrainës duhet t’i kushtohet rindërtimit të vendit të sulmuar nga Rusia”. Deklarata e Presidentit DUDA është shprehje e një vizioni për inkurajimin dhe fuqizimin e aleancës trans-atlantike, presidenti polak është një aleat politik i zëshëm i Presidentit të zgjedhur të SHBA, TRUMP dhe i konsideruar si një ndër ndërmjetësuesit e mundshëm në secilëm situatë potenciale komplekse negociimi mes Bashkimit Europian dhe SHBA gjatë katër viteve në vazhdim, nëse Presidenti DUDA do të konfirmohet në një mandat të ri në Presidencialet e Majit 2025 që do të mbahen në Poloni.

Përtej polarizimit të skajshëm  në jetën politike kombëtare, vendi përjeton një konsensus të rëndësishëm politik në lidhje me ngjarjet e rëndësishme botërore ku spikat qëndrimi dënues ndaj Rusisë për shkak të sulmit nda Ukrainës apo dhe në inkurajimin e mëtejshëm të zgjerimit të Bashkimit Europian, përkatësisht në vendet e Ballkanit apo për Ukrainën dhe Moldavinë, gjithashtu. Qëndrimet e përbashkëta në funksion të një aleance të konsoliduar Europiane do të inkurajojnë angazhimin e përbashkët institucional për një Presidencë të BE të suksesshme varësisht dallimeve të thella politike mes Presidentit DUDA dhe Kryeministrit TUSK, ku një Presidencë e suksesshme do të rriste reputacionin e Polonisë në arenën ndërkombëtare. Por, zgjedhjet Presidenciale në Poloni, të përcaktuara për tu mbajtur më Maj 2025, ku kandidatët kryesorë do të jenë Presidenti aktual DUDA dhe Kryebashkiaku i Varshavës, përfaqësues i partisë së Kryeministrit TUSK, Rafał Trzaskowski pritet të shndërrojnë dhe Presidencën e Bashkimit Europian në një temë të një fushate që ka pritshmëri të përcjellë një polarizim të përsëritur varësisht natyrës së ndryshme të zgjedhjeve Presidenciale nga të njëjtat Parlamentare.

Vizioni dhe ekspertiza e gjatë e Kryeministrit TUSK në institucionet e Bashkimit Europian në ndërthurje me pro-aktivitetin e Presidentit DUDA dhe marrëdhënien e tij të veçantë me Presidentin e zgjedhur të SHBA, TRUMP do të dërgonin drejtë një Presidence Polake shumë të suksesshme dhe një model referues për secilën presidencë në 6-mujorët pasardhës, por dilema mbetet në shkallën e tejkalimit të ndasive në nivel kombëtar  që dy liderët Polakë do të shfaqin në funksion të një presidence të suksesshme, duke anashkaluar suksesin apo mosarritjet në segmente të Presidencës në funksion të rivalitetit politik në rang kombëtar.

Përtej parashtrimit të aspekteve pozitive apo frenuese të renditura kronologjikisht më lartë, kohezioni politik dhe kombëtar i Polonisë ndaj agresionit Rus në Ukrainë do të ndikojë në inkurajimin e një veprimi politik të fortë nga Presidenca Polake për ta shndërruar Bashkimin Europian, në një aktor të zëshëm dhe veprues në skenën politike botërore ku veprimi politik do të ishte themeli i shëndetshëm  për Europën e dekadës së ardhshme, një aktor global që duhet të përcaktojë zhvillimet botërore në koherencë me SHBA në dritën e një polarizimi të mundshëm botëror si shkak i grupimeve të aktorëve të tjerë botërorë alternativë.  Interesi kombëtar Polak do të tejkalojë dallimet e politikës kombëtare dhe secili prej aktorëve politikë Polakë do të ndikojë në një Presidencë të suksesshme të BE, në një kohë sfidash politike botërore, ku një Presidencë e suksesshme do të  fuqizonte reputacionin politik të Polonisë në arenën ndërkombëtare dhe do ta shndërronte Presidencën Polake në modelin orientues në fund të 20 vjetorit të zgjerimit të madh të BE ku Polonia është shembulli i suksesshëm i zgjerimit, në kontekstin historik, ekonomik dhe në pozicionim politik në mbështetje të aleancës perëndimore dhe transatlantike, gjithashtu.  

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular