Nga Dr.Bardhyl Musai
Në Tiranë Banka Botërore promovoi raportin me titullin e mësipërm, i cili në mënyrë më të detajuar u prezantua me një nivel të lartë profesional nga ekspertë të saj. Raporti përmban edhe një kapitull mbi rëndësinë e arsimit të lartë për rritje më të fortë ekonomike.
Në mënyrë të përmbledhur u theksua se cilësia e dobët e arsimit të lartë, kurrikulat e vjetëruara dhe mospërputhja e tyre me tregun e punës, që nuk u siguron të diplomuarve të zotërojnë aftësitë e kërkuara nga punëdhënësit, janë disa nga arsyet e “largimit të trurit” nga Shqipëria, e cila është ende prapa vendeve të BE-së në rezultatet e kapitalit njerëzor. Shqipëria ka 13% të popullsisë me arsim të lartë, në një kohë që 45% e tyre kanë emigruar.
Një nga evidentimet e Richard Record, përfaqësues në detyrë i Zyrës së BB në Shqipëri ishte se “për të siguruar që arsimi i lartë të kontribuojë në mënyrë efektive në rritjen ekonomike, duhet të përqendrohemi në përmirësimin e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit. Në veçanti, arsimimi në degët shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë (STEM) në arsimin e lartë është jetësor për zhvillimin e një force pune të kualifikuar, nxitjen e inovacionit dhe adresimin e sfidave globale”.
Në diskutimin tim u ndala në disa nga problemet e mprehta të arsimit në të gjitha nivelet, pasi është e pamundur të përqendrohesh në cilësinë e arsimit të lartë, me studentë me përgatitje të dobët nga arsimi parauniversitar. Rezultatet në PISA janë dëshmi e gjendjes së rëndë ku ndodhet arsimi, ku në çdo 4 nxënës, 3 janë të nivelit dobët, ndërsa ekselentët janë pranë zeros. Ndërsa për krijimtarinë renditemi të fundit.
Kriza e arsimit të lartë publik, midis të tjerash, shprehet edhe në shifrat me mospërputhje të tejskajshme, kur numri i studentëve për një dhjetëvjeçar ka rënë me 61%, ndërsa numri i programeve të studimit është rritur me 72%. Të pretendosh që kjo vjen nga që universitetet i hapin programet bazuar në kërkesat e tregut të punës kur auditoret po zbrazen, është përtej absurdes.
Ministria e Arsimit harton strategji, pa marrë parasysh atë të mëparshmen dhe që devijojnë gjatë viteve nga aktivitetet që përmbajnë këto dokumente, pasi sistemi ka një të metë thelbësore, i mungon monitorimi i vazhdueshëm.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore shprehën përkushtimin për të mbështur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt një të ardhmeje më të begatë përmes arsimit cilësor, e cila nuk mund të realizohet ndërkohë që qeveria, as në 2025-ën nuk do të përmbushë një nga premtimet e saj para 11 vjetëve për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Arsimi nuk do të marrë më shumë se 2,36% të PBB, ku 18,4 miliardë lekë është buxheti për universitetet dhe vetëm 0,06% për hulumtimin.