Hakan Çalhanollu ka besim se Kristjan Asllani do t’ia dalë që të bëhet një emër i rëndësishëm te Interi. Mesfushori turk, i cili është ai të cilin Asllani zëvendëson në rreshtimin e zikaltërve, nuk ka kursyer elozhet për shqiptarin i cili është kritikuar se nuk po arrin të ngjitet në nivelin e titullarit.
Sipas Çalhanollu, Asllani ka mundësitë për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm dhe nuk ka ngurruar ta shprehë këtë besim në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”.
“Asllani si pasardhës? Duhet t’ia dalë. Për mua është si një vëlla i vogël. Po e ndihmoj dhe duhet të them se ai më dëgjon shumë.
Ka padyshim cilësi të ndryshme, por duhet të përmirësohet dhe është i pari që e di këtë. Edhe për faktin se nëse luan te Interi, duhet të tregosh gjithmonë diçka. Ai po mëson dhe ne jemi këtu për ta ndihmuar. Jam i bindur se pas meje, do të jetë i rëndësishëm”, tha mesfushori turk i Interit.