Aksi rrugor Elbasan Peqin po merr çdo ditë jetë njerëzish.
Dy muaj më parë një fëmijë 8 vjeç humbi jetën teksa u përplas nga një makinë. Vetëm dy ditë më parë një 69 vjeçar këmbësor po ashtu gjeti vdekjen, e të tilla ngjarje shënohen thuajse çdo ditë .
Pasditen e kësaj të premte një tjetër aksident i rëndë, por fatmirësisht pa pasoja për jetën u shënua pranë fshatit Pajovë.
E ndërkohë që shpejtësia maksimale e lejuar në këtë aks rrugor është 80 km/H ka segmente pranë shkollave e zonave të banuara ku shpejtësia dikton 30 km/h.
Në këto kushte Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore regjistron shpejtësinë çmenduri 198 km/h në aksin rrugor Elbasan Peqin.
Në njoftimin e saj policia thotë: “198 km/h deri në 202 km/h në aksin rrugor Peqin -Elbasan, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h, ku trafiku është ende shumë i lartë.
Shpejtësi që rrezikojnë seriozisht jetën e përdoruesve të rrugës.
Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka ndaluar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve me masa maksimale dhe zbritje deri në 8 pikë nga Leja e Drejtimit.
Policia Rrugore apelon dhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.”
Shpejtësi fluturuese e cilëson policia në njoftimin e saj teksa bën apel “ndaluni, para se shpejtësia t’ju ndalë.”
Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’ju ndalojë juve.
Aksi rrugor Elbasan Peqin kalon thuajse në të gjithë gjatësinë e tij në zona të banuara dhe ndërpritet nga shumë segmente të rrugëve të fshatrave. Nëse kësaj i shtojmë edhe drejtuesit e mjeteve të papërgjegjshëm që lëvizin me shpejtësi tej normave, ky aks rrugor kthehet në një njollë të zezë përsa u përket aksidenteve rrugore.
Banorët e Peqinit disa herë kanë protestuar duke kërkuar marrjen e masave për të kufizuar shpejtësinë në këtë aks rrugor, por deri tani asgjë nuk është bërë.