Viti 2024 po mbyllet disi çuditshëm për Barcelonën. Në klube dhe mes tifozëve është krijuar ajo ndjesia e dyzimit “dua por nuk mundem”. Sepse presidenti Laporta dhe projekti i tij për rikthimin e Barcelonës së madhe jetojnë në një qerthull të rrezikshëm me ulje-ngritje me shpejtësi marramendëse.
Natyrisht që eksponenti më i qartë është ekipi i parë. E filloi vitin në një pikë të ulët me trajnerin Ksavi që njoftoi se do të largohej nga stoli në fund të sezonit 2023-2024 për shkak të rezultateve të dobëta. Vendimi i tij shkaktoi një reagim të dukshëm nga brenda e nga jashtë, që i bëri më iluzionistët të mendojnë se kjo Barçë mund të fitonte gjithçka.
RËNIA ME KSAVIN – Pas lëvizjesh e kundër lëvizjesh, parimisht u dakordësua që Ksavi të vazhdonte. Por rezultatet nuk ishin ato të pritshmet. Skuadra u shemb në vetëm dy muaj për të përfunduar sezonin pa asnjë trope dhe Laporta vendosi përfundimisht të shkarkonte trajnerin pavarësisht paktit që ai të vazhdonte në stol edhe në sezonin 2024-2025. Rënia ishte totale, në klub dhe tifozë. Me ikjen e Ksavit, Barcelona ia besoi ekipit Hansi Flikut, i cili mbërriti me Lamin Jamal, energji të reja dhe “fëmijët” ekipi nisi të fluturonte përsëri.
MOMENTI MË I MIRË ME FLIK – Në vetëm dy muaj nën drejtimin e trajnerit gjerman, Barcelona u katapultua në “Disneyland”, kryesuese e padiskutueshme në La Liga dhe duke mahnitur të gjithë Evropën me futbollin e saj. Një lumturi jetëshkurtër në fakt, sepse në nëntor filloi dizheza me shpejtësi dhe blaugranat humbën në shtatë ndeshje gjithçka që kishin bërë mirë në fillimin e sezonit.
DRAMA E FEDERIMEVE – Skuadra është lart e poshtë dhe po ashtu edhe klubi. Laporta tha në verë se ata nuk ishin ende brenda rregullit 1:1 sepse nuk kishin dashur! Prej muajsh gjithçka u kalua pa zhurmë, sepse ishte ecuria në fushë e skuadrës që shkëpuste vëmendjen nga problematikat. Por tani, katër muaj më vonë, Laportës dhe Barcelonës u është dashur të shkojnë në dyert e gjykatës për të parë nëse mund të regjistrojnë dy nga lojtarët e tyre, Dani Olmo dhe Pau Viktor. Levat financiare dhe blerjet e mëdha të Levandovskit, Rafinjës apo Kundesë janë harruar.
“CAMP NOU” NUK ËSHTË GATI – Me “Camp Nou”-n e ri ka gjithashtu një panorama të ndryshueshme vazhdimisht. Pasi u njoftua me bujë të madhe se do të riktheheshin që në vitin 2024 në shtëpinë e tyre, realiteti është se skuadra ende nuk ka një stadium të ri dhe përjashto ndonjë mrekulli nuk do ta ketë deri në sezonin e ardhshëm. Faji, sipas Laportës është i papërcaktuar!
KONTRATA ME “NIKE” – Edhe kjo arritje e madhe e klubit në planin financuar ka kaluar mes peripecish deri në firmën përfundimtare. Gjithçka ishte gati të prishej. Por më pas erdhi ndërmjetësi i mrekullueshëm dhe agjenti i komisionit Darren Dein për ta rregulluar atë.