Deklarata e koordinatorit të buxhetit në PD, Dorian Teliti:
Të nderuar qytetarë!
Jam këtu për të denoncuar edhe njëherë papërgjegjshmërinë e qeverisë së Edi Ramës në menaxhimin e buxhetit të shtetit të vendit me varfërinë më të lartë dhe infrastrukturën më të dobët në rajon.
Me aktin normativ të buxhetit 2024 të miratuar disa ditë më parë, qeveria hapi thesin për financimin e AlbControll-it pas ekzekutimit të vendimit të gjykatave ndërkombëtare që i dhanë të drejtë Becchettit. Të gjithë i mbajmë mend deklaratat e qeverisë se asnjë qindarkë sdo marrë Becchetti nga paratë tona. E kundërta po ndodh, jo vetëm që Becchetti po i merr paratë kokërr më kokërr, por njësoj si dhjetor 2023 ku qeveria hapi thesin e saj dhe i dha 30 milionë euro AlbControllit, edhe me këtë akt të fundit normativ të pak ditëve më parë, janë plot 20 milionë euro të tjera nga taksat tona të cilat po i jepen AlbControllit për ta mbajtur në këmbë këtë institucion, të cilit Becchetti ja zbrasi llogaritë bankare.
Me aktin normativ të buxhetit 2024 të miratuar disa ditë më parë, institucioni që prej vitesh ka marrë statusin e ‘gropës thithëse të fondeve buxhetore’, konkretisht AKSHI, merr 25 milionë euro fonde shtesë për financimin e projekteve të saj të cilat kryesisht kanë qenë gjithmonë të veshura me petkun e mungesës së garës së hapur dhe të denoncuara me dhjetëra herë nga kjo foltore.
Me aktin normativ të pak ditëve më parë, një lum prej miliona euro u dhanë për financimin e rrugëve të florinjta, rrugë të cilat kushtojnë disa herë më shumë se ne vendet e zhvilluara. Janë lum milionash që priten të hidhen në fushatë, për të tjetërsuar edhe njëherë vullnetin e shqiptarëve.
Po ku i gjeten këto para? Ku i gjeti qeveria këto dhjetëra milionë euro për financimin e porosive dhe kontratave të tyre klienteliste?
Më lejoni t’ju informoj me disa fakte kokëforta.
Qeveria ka vendosur të ulë me pothuajse 17 milionë euro investimet në sektorin e bujqësisë, një sektor jetik për ekonominë shqiptare por që fatkeqësisht zyrtarisht i zhytur në recesion, sic raportohet edhe nga vetë Instat-i qeveritar.
Jo vetëm që nuk mbajtën premtimin elektoral të financimit të arsimit në masën 5% të PBB-së, por këto ditë qeveria uli me 12.2 milionë euro investimet në sektorin e arsimit, duke i lënë ende fëmijët tanë në shkolla me dy turne dhe studentet në auditore aspak sipas standardeve europiane.
Jo vetëm që braktisën gjithë këto vite sektorin e shëndetësisë, jo vetëm që lanë nevojtarët pa ilaçe dhe shërbimin e duhur shëndetësor, por me këtë akt normativ janë reduktuar me 4.5 milionë euro investimet në qendrat shëndetësore dhe spitale, e për më tepër janë ulur me 12 milionë euro fondet për programin e ‘përkujdesit social’.
Gjithashtu, gërshëra qeveritare është përdorur për të reduktuar edhe investimet në mjedis, art dhe kulturë, por kurrsesi kjo gërshëre nuk u përdor për të reduktuar shpenzimet operative të qeverisjes qendrore, të shpenzimeve të luksit të shfrenuar qeveritar.
Të dashur qytetarë, këto janë të vërtetat e aktit normativ, ku pas lemoshës me bonuse elektorale në të vërtetë fshihen të tjera qëllime okulte dhe klienteliste të qeverisë së Edi Ramës.
Ndaj ndryshimi është sot një domosdoshmëri. Me rikthimin e Partisë Demokratike në krye të punëve, ne angazhohemi në implementimin e një filozofie të re buxhetore, ku në qendër nuk do jenë interesat e qeveritarëve, por vetëm interesat e qytetarëve, familjes, sipërmarrjes dhe sektorëve të ekonomisë.