Edhe pse Shqipëria nuk e ka në kalendarin e detyrueshëm vaksinën ndaj meningitit, prindërit u kërkojnë mjekëve pediatër nëpër qendra shëndetësore informacion ku mund ta gjejnë dhe kur mund të aplikojnë për këtë vaksinë tek fëmijët e tyre.
Pas humbjes së jetës së 17 vjeçares nga Durrësi për shkak të meningitit ky është shqetësimi më i madh që shprehin nënat tek mjeku.
Mjekët pediatër thonë se sëmundshmëria për meningjitin është e rrallë dhe po kështu vdekshmëria.
Përllogaritet 1 në 100 mijë, por meningokoku C është ai që i rriskon më tepër.
“Ai që rrezikon seriozisht është meningokoku “C”. Ai shkakton meningokoksemi, e cila jep një gjendje shokante që nuk arrin ta menaxhojë as reanimacioni,” shprehet Dr. Adriana Ilias.
Por në cilën moshë duhet të vaksinohet fëmija ndaj meningokut?
“Unë i këshilloj të bëjnë vaksinën, pasi edhe lëvizjet e njerëzve janë shtuar. Ne kemi pasur vjet shumë raste në Itali me meningjit. Vaksina bëhet 8- dhe 10-muajsh në dy doza, por nëse nuk e kanë bërë gjatë kësaj periudhe ajo mund të aplikohet deri në moshën 18 vjeç. Meningjitet janë të rralla, por unë këshilloj nënat të bëjnë kujdes me rinitet, sepse virusi i meningjitit fillon si virozë me rrufë dhe përfundon pastaj në meningjit,” tregon pediatrja.
Mjekët thonë se është shumë e rëndësishme të mos neglizhojmë simptomat e sëmundjes së meningokokut, por te drejtohemi tek mjeku sepse jo të gjitha llojet e saj mbulohen nga vaksina.