BallinaEkonomiNgadalësimi i kërkesës për blerje pronash nuk pritet të frenojë rritjen e...

Ngadalësimi i kërkesës për blerje pronash nuk pritet të frenojë rritjen e çmimeve në Tiranë

spot_img

Sipas drejtuesve të agjencive kryesore imobiliare në Tiranë, kërkesa për blerje pronash vijon të jetë e ngadalësuar krahasuar me vitin paraardhës.

“Edhe pse aktualisht kërkesa është gjallëruar, në raport me muajt e verës kur shënoi rënie, e ndikuar nga spostimi i blerjeve më të larta në zonat bregdetare, sërish vërehet se kërkesa është e ngadalësuar e krahasuar me 2023”, tha drejtuesi i agjencisë “Future Home”, Fatjon Hysenbelliu.

Por ngadalësimi i kërkesës nuk e ka frenuar rritjen e çmimeve. Në Tiranë, rritja e çmimeve nuk është ndalur edhe gjatë 2024-s.

Në muajin korrik, çmimet e apartamenteve në disa nga zonat qendrore u rritën 10 deri në 16%, krahasuar me muajin korrik 2023, sipas të dhënave të agjencive imobiliare.

Konkretisht te disa zona, si ajo pranë stadiumit Dinamo, çmimi maksimal arriti në 2,900 euro/m² nga 2,600 euro/m² që ishte në 2023. Rritja ishte 16%.

Pranë Parkut Olimpik në Tiranë, në një nga komplekset e reja që po ndërtohet, në muajin korrik 2024, çmimet e shitjes arritën nga 2,200 euro vlera minimale deri në 2,900 euro/m² vlera maksimale.

Në këtë zonë, çmimet e shitjes në 2023 variuan nga 2,300 deri në 2,600 euro/m². Rritja ishte 10%. Brenda Unazës së Tiranës, çmimet e shitjes së apartamenteve janë mbi 2,300 euro/m².

Rritje çmimesh ka pasur edhe në zonat periferike.

Sipas agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve është ndikuar nga shtimi i kërkesës, pasi familjet e reja nuk arrijnë të përballojnë blerjen e shtëpisë në zonat qendrore.

Në Kombinat, çmimet e apartamenteve në muajin korrik arritën 1,200 deri në 1,300 euro/m² nga 1,100 që ishin vitin e kaluar. Rritja nga 9 deri në 18%.

Në zonën e “Astirit”, çmimet u luhatën nga 1,200 deri në 1,300 euro për m² në vijat e para të ndërtimit, nga 1,250 euro/m² që ishte vjet.

Në këtë zonë, çmimet janë rritur me 4%.

Në zonën e Freskut çmimet e shitjes së apartamenteve nga 900-1000 euro/m² kanë arritur në 1,100 euro/m². Rritja është rreth 11%.

Në Paskuqan nga 850-900 euro/m², çmimet kanë arritur në 1,050 euro/m², për shkak të kërkesës së lartë sipas agjentëve imobiliarë.

Ndërtuesit sërish kanë paralajmëruar rritje të çmimeve nga shtimi i kostos për detyrimin e taksës së infrastrukturës, ndërsa kërkesa mbetet e ulët.

Ylli Sula, nga indeksi “Key Data”, parashikon se një tjetër rritje e çmimeve do të jetë e pashmangshme në kushtet e shtimit të detyrimit për taksën e infrastrukturës me hyrjen në fuqi të çmimeve të referencës në 2023.

Ndryshe ka ndodhur në shumë qytete të Europës, të analizuara nga agjencia “Menaxhimi global i pasurisë”.

Në qytetet që u shfaq rreziku i lartë i një flluske të pasurive të paluajtshme në vitet e mëparshme, rezultoi se ishin regjistruar korrigjimet më të forta të çmimeve.

Për shkak të rregullimit të inflacionit, rezultuan se çmimet janë mesatarisht 15% më të ulëta se në mesin e vitit 2022, kur normat e interesit filluan të rriten globalisht.

Çmimet reale në qytetet si: Frankfurt, Mynih, Stokholm, Hong Kong dhe Paris janë 20% më shumë se niveli i majave të arritura pas pandemisë.

Ndërsa në qytetet si Vankuver, Toronto dhe Amsterdam u shënua rënie e konsiderueshme e çmimeve prej rreth 10% në terma realë./MONITOR/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular