BallinaOP EDShqiptarët, diaspora, partitë e vjetra, partitë e reja dhe ndryshimi!

Shqiptarët, diaspora, partitë e vjetra, partitë e reja dhe ndryshimi!

spot_img
spot_img

NGA ARIAN GALDINI 

Në këtë pikë më lejoni të them e shkruaj pa ngurrim se pas 34 vitesh, as ia vlen më fare të mendojmë e shpresojmë e as debatojmë për ndryshimin. Së paku, jo nëse kemi parasysh shqiptarët, diasporën, partitë e vjetra apo të reja. Aspak. Më vjen keq, por numrat janë këmbëngultësisht të këputur e nuk lidhen kurrkund. 1.6 milionë shqiptarë në diasporë, 2.4 milionë shqiptarë në Shqipëri dhe pavarësisht gjithçkaje, e vetmja gjë që ndryshon është koha e çfarë sjell ritmi i kohës. Vullneti dhe fryma e njeriut, shoqërisë apo kombit nuk ndihen kurrkund. Ka 34 vite që qeverisemi e sundohemi nga qeveritarë dhe opozitarë që nuk duan të udhëheqin cilësitë më mira, vlerat më të larta, kreativitetin, imagjinatën dhe me karakteret e parimet më mira të kësaj shoqërie. Prej 34 vitesh të gjithë drejtuesit tanë, majtas e djathtas, në qendër a në skaj, udhëheqin vetëm veset dhe ultësitë e shoqërisë shqiptare.

Për rrjedhojë, përparimi ynë si vend e shoqëri ka qenë thjesht sporadik dhe dialektik, por jo si frymë e vullnet as politik, as shoqëror e as njerëzor. Përkundrazi, politika dhe qeverisja e madje edhe institucionet kanë qenë si pengesa të zhvillimit ose devijuese, tjetërsuese, manipuluese apo personalizuese të tij. Këtu, ndonëse të gjithë e dinë të vërtetën, të gjithë e flasin të vërtetën, e të gjithë ankohen për realitetin, numrat prapë mbeten të copëtuara, këputura dhe japin si rezultat të sigurt gjithë herë status quo-në, ngecjen, pezullin e për rrjedhojë disfatizmin, dorëzimin dhe dëshpërimin. Në disa kultura, kam lexuar shprehjen se: “Kush ankohet është sikur t’i lutesh dy herë djallit”.

E kur shoh sesi ankimtaria është kthyer në sportin tonë kombëtar prej dekadash, druaj se i jemi lutur ca si tepër djallit e prandaj kemi mbi krye veç dreqër. Pikërisht nën këtë kontekst, e shoh si debat të pavlerë të gjithë këtë lojën propagandistike përmbytëse se shqiptarët janë lodhur me të vjetrit e të korruptuarit, ndaj edhe do votojnë ndryshimin, apo se diaspora është e lirë dhe do të jetë shpresa e madhe për ndryshim, apo se partitë e vjetra janë stërkonsumuar dhe se shqiptarët dhe diaspora do t’i ndëshkojnë këtë radhë, apo se partitë e reja këtë herë do bashkojnë popullin kundër të korruptuarve… Unë për vete kam zero shpresa. Më vjen keq që e them dhe e shkruaj këtë gjë paraprakisht, ama e konsideroj si detyrim prindërues dhe kombëtarisht shprehjen e të vërtetës që kam gjetur unë, pa ia imponuar askush.

Kur shoh sesi ne jemi shoqëri mitingashe me parti mitingashe, kudo e ngado, në çdo cep të Shqipërisë e në diasporë, më duket sikur çdo brohoritje e duartrokitje nëpër çdo miting të çdo miting-partie, është si grusht vdekjeprurës për ndryshimin. Për sa kohë përsërisim të njëjtën kulturë me mitingje konfirmuese apo mitingje rebeluese, me mitingje konservuese apo me mitingje protestuese, për aq kohë numrat do jenë të këputura. Unë e quaj të vdekur procesin e zgjedhjeve 2025. Në 11 maj do kryejmë ritualin, në dt. 12 do themi, s’bëhet, a thua se fajin gjithmonë e kishte tjetri. E pastaj do t’ia nisim të ankohemi përsëri për gjërat që s’ndryshojnë e të fuqishmit që mbeten aty të palëvizshëm. Regjimet e sistemet nuk bien as nga partitë e as nga mitingjet e as nga ankimtaria. Të gjitha këto janë lutje për djallin. Ndryshimin e sjell kultura dhe kulturën e ushqejnë e ndërtojnë, jo mitingashët, por sakrifikuesit dhe të duruarit. Sakrifikues e të duruar janë intelektualët dhe të diturit. Po nuk patëm të tillë që flasin e buçasin, me parti e diasporë, vetëm gallatë do shohim.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular