Në vitin 2024, zhvillimet e përballjeve luftarake kanë parë ndryshime të rëndësishme, kryesisht për shkak të evolucioneve teknologjike.
Këto ndryshime kanë ndikuar jo vetëm në mënyrën se si shtetet përballen me konfliktin, por edhe në fushën e betejës në tërësi.
Nga përdorimi i dronëve të sofistikuar deri te rëndësia në rritje e luftës kibernetike, strategjitë e përdorura sot janë rezultat i zhvillimeve të shpejta në fushat e teknologjisë dhe gjeopolitikës.
Evolucioni i teknologjisë së raketave
Zhvillimi i raketave hipersonike ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e kryerjes së operacioneve të luftës. Të afta për të udhëtuar me shpejtësi më të madhe se 5 Mach, këto raketa i bëjnë sistemet tradicionale antiraketë pothuajse të vjetëruara.
Në tetor 2024, Rusia përdori një raketë hipersonike të tipit Kinzhal për të goditur një bazë ushtarake në Ukrainë, duke demonstruar shpejtësinë dhe vështirësinë e përgjimit të saj.
Ndërkohë, në mars 2024, SHBA testoi raketën e saj hipersonike Dark Eagle, duke forcuar praninë e saj në Indo-Paqësorin për të kundërshtuar kërcënimin në rritje nga Kina.
Përveç kësaj, sulmi i Rusisë, më 21 nëntor kundër qytetit ukrainas Dipr, me raketën e re hipersonike Oreshnik dha alarmin në NATO. Sipas CNNi , është një përshkallëzim vendimtar dhe i rrezikshëm i konfliktit me Ukrainën, por edhe një mesazh i qartë për Perëndimin. Ky është përdorimi i parë i raketës së re balistike hipersonike me shumë koka luftarake.
Evolucioni i dronëve
Gjatë vitit 2024 dronët kanë kaluar në një nivel të ri të përdorimit, nga misionet e thjeshta të zbulimit në aftësitë e plota operacionale. Tani dronët përdoren për:
• Autonomi: Turqia, një pioniere në teknologjinë e dronëve me serinë Bayraktar TB3, ka zhvilluar drone të aftë për të operuar në operacionet detare.
• Drone swarms: Kina, gjatë stërvitjeve ushtarake në Detin e Kinës Jugore, përdori dronË për të neutralizuar kërcënimet virtuale nga anijet e armikut.
Në Lindjen e Mesme, Izraeli përdori dronë në sulmet kundër objekteve iraniane, duke demonstruar potencialin e këtyre teknologjive për të depërtuar në rrjete të dendura anti-ajrore.
Në të njëjtën kohë, sulmi i Hezbollahut kundër shtëpisë së kryeministrit izraelit, të shtunën, më 19 tetor 2024, vuri në pah aftësitë e dronëve, por edhe dobësitë e sistemeve kundërajrore.
Edhe një herë, një mjet pa pilot hyrI në hapësirën ajrore izraelite, dhe hyri në një zonë me rëndësi të madhe, pa u zbuluar dhe përgjuar.
Hapat drejt luftës hibride
Më 18 shtator, i gjithë Libani u trondit nga shpërthime që ndodhën njëkohësisht. Në shtëpi, makina, brenda tregjeve dhe dyqaneve, në spitale dhe universitete, qindra shpërthime me fuqi të ulët ndodhën pothuajse njëkohësisht, pak minuta pas orës 16:00.
Të nesërmen, gjatë funeralit të viktimave pasoi një valë e re shpërthimesh, këtë herë radio të përgjuara të përdorura nga anëtarët e Hezbollahut.
Ky është sulmi më i madh i koordinuar ndaj objektivave specifike në historinë moderne. Në qendër të sulmit ishin zyrtarë të Hezbollahut libanez, ndërsa shërbimet sekrete të Izraelit orkestruan sulmin. Sipas autoriteteve libaneze, shpërthimet vranë 39 njerëz dhe plagosën rreth 3,000.
Lufta Kibernetike: Fronti i Padukshëm
Lufta kibernetike tashmë është një pjesë kyçe e çdo strategjie moderne lufte.
Shtetet si dhe aktorët joshtetërorë sulmojnë infrastrukturën kritike (rrjetet e energjisë, telekomunikacionet, sistemet bankare) duke shkaktuar kaos pa përdorimin e armëve tradicionale.
Irani ka kryer një sërë sulmesh kibernetike kundër kompanive izraelite të ujit, duke shkaktuar probleme serioze në shpërndarjen e ujit.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara, si përgjigje, thuhet se kanë nisur një sulm kibernetik që ka shkelur sistemet e objekteve iraniane të pasurimit të uraniumit.
Inteligjenca Artificiale në Strategji
Inteligjenca artificiale (AI) përdoret tashmë për analizën e të dhënave, planifikimin e strategjisë dhe madje edhe automatizimin e fushëbetejës.
India ka zhvilluar një sistem AI që kombinon të dhënat satelitore dhe analizën e fushëbetejës për të parashikuar lëvizjet e ushtrisë pakistaneze përgjatë kufirit në Kashmir.
Prandaj, NATO përdori inteligjencën artificiale për të kontrolluar lëvizjet e trupave ruse në Evropën Lindore.
Më 3 prill 2024, CNNi raportoi se ushtria izraelite po përdorte Inteligjencën Artificiale për të zgjedhur objektivat në Gaza.
Zyrtarët izraelitë, të cituar nga media izraelite që publikuan hulumtimin, thanë se mjeti i bazuar në AI i përdorur nga Forcat e Armatosura izraelite quhet “Lavender” dhe dihej se kishte një shkallë gabimi prej 10%.
Ushtria izraelite “nuk përdor një sistem të inteligjencës artificiale që zbulon terroristët ose përpiqet të parashikojë nëse një person është terrorist”, tha IDF në një deklaratë.