nga Shefqet Meko
Më thanë se qeveria, pasi joshi pensionistët, paska “firmosur” ditë extra pushimi për “administratën e rraskapitur”: Bëjeni pushim, ma ktheni kur të mundeni “Ditën borxh”.
Ne këtu harruam Vitin e Ri. Ka filluar puna edhe pse ka tronditje nga sulme terroriste të këtij fillimviti. Zyrat hapur, shërbimet, biznesi. “Karemi” i vetëm mbetet puna. Imbir erdhi nga Florida Vetëm tre ditë për Krishtlindjet, fluturoi tek puna më 25 dhjetor 2024. Tjetri erdhi për vitin e ri dhe është tek puna!
Çdo 1 Janar Unë e nis duke u dërguar qeraxhinjve “pusullën” se sa më paguan total për vitin 2024. Kjo quhet CRP-Certified Rent Paid që çdo pronar e ka detyrim ta realizojë brënda datës 31 Janar të çdo viti. Kështu qeveria lokale dhe ajo federale “mprehin” lapsin për taxat-2024.
Në Amerikë Dita e Falenderimeve Festohet përherë të Enjten e Fundit të çdo Nëntori, por asnjë president nuk “dhuroi pushim” të premtet që “populli të shlodhet” me fundjavë të gjatë. Nuk ka ndodhur ose nuk e di unë.
Mos ma vini re. E kam edhe nga “xhelozia” se shqiptar jam edhe unë, por këtu shtrohet një pyetje: Pse “përkëdhel” qeveria “shërbëtorët e popullit”?
Po sikur “nën shembullin qeveritar” të gjitha shërbimet private,kafenetë, restorantet, bukpjeksit, tregjet, supermarket, kompanitë ajrore,katundarët të bënin të njëjtën gjë si do të pritej? Ku do të argëtohej “armata qeveritare”?!
Mendoj se është një “përdorim personal” i pushtetit. Ju mund të thoni “Kështu e kanë bërë tërë kryeministrat”. Kjo “kështu ka qënë…” është bërë epidemi. “Të gjithë vjedhin” thuhet kudo, por kur vepron ligji “mbi hajdutin” apo politikanin e korruptuar, fillohet nga e para “Pse atë e jo këtë…”
Normaliteti në një shoqëri fillon kur “të gjithë respektojmë punën” si Mission i Njeriut dhe ligjin “si shpatë për këdo”. Puna dhe vetëm “Kulti Punë” mbetet shtylla e progresit të një shoqërie. Kur “Tallesh me punën” tallesh me të ardhmen, tallesh me votën, tallesh me të voglin…Puna e bën ligjin më të fortë!
Në fakt prisja që 1 Janar 2025 të kishte filluar me “mosbindje civile”. Populli të refuzonte darkat, drekat, pijet, udhëtimet. Të refuzohej “Hedhja e fishekzjarreve”, të mos ndizeshin llambushkat zbukuruese të Tiranës e gjithë qyteteve. A nuk do ishte një “Mosbindje” që do habiste njerëzimin?!..
Harrova, edhe deputetët opozitar i ka “përkëdhelur” Qeveria, edhe kryetarët. Me siguri “nën rrogoz” do jetë ndonjë bonus special për “klasën udhëheqse”( pozitë, opozitë), ndërsa pensionistët skërmisin ato që kanë mbetur nga nata e Vitit të Ri.
“3 Janar 2025” – Mosbindje kombëtare shqiptare! Të gjithë në punë! Të gjithë nëpër zyra dhe popullli nëpër kafene do llafosë pa fund: “E hëngri qeveria nga të vetët…Nga ata do ta hajë, se opozita ka gëlltitur “ çorbën e prishur” … Kazanet janë mbushur plot me “të vjella opozitare…”.
Mos. Mos shkruaj Kështu or “T’shytoftë Zana o ish-shërbëtor i socializmit”.
Dëgjoj këtë klithmë shqiptare dhe tutem. Kam shumë punë për të bërë. Pse harxhoj frymën kot?
“Edhe në Mars të të çojnë “I tillë…” ngelesh”
I them vetes dhe hesht. Nuk më ka “përkëdhelur” kush në Amerikë veç punës sime. Pa të mbetem rrugëve, nuk botoj dot gjë, nuk do kem shtëpi dhe mund të bëhem ballina e lajmeve shqiptare: “Ish-gazetari fle rrugëve…” Atëhere do kujtohen se “jam gjallë..” por më mirë i vdekur se sa “Të të pjekin nëpër qelqe me ngjyra”.
Ndaj “përqafoj me dashuri” : PUNËN!
Shefqet Meko
Minneapolis, 2 Janar 2025