Lajmi se në Kinë ka një rritje e infeksioneve nga një virus i frymëmarrjes, që u pasua me spitale të mbipopulluara dhe masa urgjente ka ringjallur shqetësime për shpërthimin e një infeksioni që mund të transmetohet edhe jashtë vendit.
Virusi, i identifikuar si metapneumovirusi njerëzor (HMPV), ka parë raste që janë rritur në provincat veriore të Kinës këtë dimër, veçanërisht tek fëmijët.
Përhapja vjen pesë vjet pasi bota u alarmua për herë të parë për shfaqjen e një koronavirusi të ri në Wuhan të Kinës. Virusi më vonë u shndërrua në një pandemi globale gjatë së cilës vdiqën shtatë milionë njerëz.
Fotot dhe videot e njerëzve që mbanin maska në spitalet në Kinë u shfaqën në platformat e mediave sociale dhe raportet lokale thanë se skenat e një shpërthimi të HMPV ishin të ngjashme me shpërthimin fillestar të Covid.
Autoritetet shëndetësore po zbatojnë masa urgjente për të monitoruar dhe menaxhuar përhapjen. Megjithatë, Pekini i ka konsideruar një dukuri vjetore dimërore, raporton Indipendent.co.uk.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Kinës, Mao Ning tha të premten se: “Infeksionet e frymëmarrjes priren të arrijnë kulmin gjatë sezonit të dimrit”.
“Sëmundjet duket të jenë më pak të rënda dhe të përhapura me një shkallë më të vogël në krahasim me vitin e kaluar”, tha ajo.
Çfarë është HMPV?
Metapneumovirusi i njeriut, ose HMPV, është një virus respirator që shkakton simptoma të ngjashme me ftohjen e zakonshme dhe gripin. Ndërsa sëmundja është zakonisht e lehtë, ajo mund të çojë në komplikime të rënda si pneumonia, veçanërisht tek foshnjat, të moshuarit dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.
Virusi nuk është i ri, por ka fituar vëmendje pas rritjes së rasteve, veçanërisht te fëmijët nën 14 vjeç në Kinën veriore.
I identifikuar për herë të parë në vitin 2001, HMPV është një virus ARN me një zinxhir që përhapet përmes pikave të frymëmarrjes ose kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara. Infeksionet janë identifikuar më parë në vende të ndryshme, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Simptomat e saj përfshijnë kollën, ethe, bllokim hundësh dhe lodhje, me një periudhë inkubacioni prej tre deri në gjashtë ditë. Ndryshe nga Covid-19, nuk ka vaksinë apo trajtim specifik antiviral për HMPV; trajtimi përfshin kryesisht menaxhimin e simptomave.
Rastet në rritje të HMPV në Kinë
Shtimi i rasteve përkon me ftohjen e motit dhe rritjen e aktivitetit në zona të mbyllura, kushte që zakonisht nxisin përhapjen e viruseve të frymëmarrjes. Zyrtarët shëndetësorë theksojnë se kjo rritje është në përputhje me tendencat sezonale.
Simptomat e saj përfshijnë kollën, ethe, bllokim hundësh dhe lodhje, me një periudhë inkubacioni prej tre deri në gjashtë ditë
Administrata Kombëtare e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të Kinës raportoi kohët e fundit një rritje të infeksioneve të frymëmarrjes, përfshirë HMPV, gjatë dimrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk e ka cilësuar situatën si një emergjencë globale shëndetësore, por rritja e rasteve ka shtyrë autoritetet të forcojnë sistemet e monitorimit.
Një program pilot është nisur për të gjurmuar pneumoninë me origjinë të panjohur, duke siguruar që laboratorët dhe agjencitë shëndetësore të raportojnë dhe menaxhojnë rastet në mënyrë më efektive, raportoi transmetuesi shtetëror CCTV, duke cituar një zyrtar të administratës në një konferencë shtypi.
A mund të përhapet virusi HMPV në vende të tjera?
Hong Kongu ka raportuar disa raste të HMPV. Vendet fqinje si Kamboxhia dhe Tajvani po monitorojnë nga afër situatën. Departamenti i Kontrollit të Sëmundjeve të Transmetueshme të Kamboxhias ka lëshuar paralajmërime për HMPV, duke vënë në dukje ngjashmërinë e tij me Covid-19 dhe gripin.
Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve të Tajvanit kanë thënë se rreziku më i lartë i virusit është tek fëmijët, të moshuarit dhe individët me imunitet të kompromentuar.
Në Indinë fqinje, zyrtarët thanë se nuk ka nevojë për panik pasi HMPV është “si çdo virus tjetër i frymëmarrjes”.
“Ka pasur lajme që qarkullojnë për një shpërthim metapneumovirus në Kinë. Më lejoni të jem shumë i qartë në këtë pikë. Metapneumovirusi është si çdo virus tjetër i frymëmarrjes që shkakton ftohjen e zakonshme, dhe tek të moshuarit dhe shumë të rinjtë mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me gripin”, tha zyrtari i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Shëndetësore (DGHS), Dr Atul Goel, sipas mediave lokale.
Duke qetësuar qytetarët dhe turistët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha: “Mund t’ju siguroj se qeveria kineze kujdeset për shëndetin e qytetarëve kinezë dhe të huajve që vijnë në Kinë”, duke shtuar se “Është e sigurt të udhëtosh në Kinë”./ Përshtatur nga Indipendent.co.uk