Deputetja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Oriola Pampuri, ka reaguar në lidhje me raportin e UNESCO, sipas të cilit Shqipëria po përballet me përkeqësim në arsim dhe ka nevojë urgjente për financim.
Sipas Pampurit, situata është alarmante, me Universitetin e Tiranës që renditet ndër më të ultit në rajon për kërkimet dhe botimet shkencore. Ajo fajëson qeverinë me buxhetin e ulët për arsimin, i cili në vitin 2021 ishte vetëm 3.1% e PBB-së, më të ulëtin në Ballkan.
Deputetja thekson se pagat e ulëta të pedagogëve, mungesa e teksteve të përditësuara dhe fondet e pamjaftueshme për kërkimin shkencor po çojnë në largimin e të rinjve dhe pedagogëve jashtë vendit.
Postimi i plotë i Oriola Pampuri:
Sipas një raporti të UNESCO; ‘Shqipëria ka një përkeqësim në arsim, dhe ka nevojë urgjente për financim’.
Dhe ky tashmë është fakt, të cilin e kemi vënë në dukje prej kohësh, madje, para thuajse dy viteve Universiteti i Tiranës, rankohej ndër të fundit krahasuar me vendet fqinj, sa i përket numrit të kërkimeve dhe botimeve shkencore.
Në fakt, e gjitha kjo jo për faj të stafit as të menaxhimit, por i vetmi problem mbetet buxhetimi i ulët për kërkimin shkencor, buxhetimi i ulët për rinovimin e teksteve të cilat shpesh i sheh të përdoren ato të para shumë viteve duke parë që në shumë fusha, shkenca, kërkimet shkencore ecin përpara, dhe brezat duan e duhet të përfshihen me të rejat e fundit, e ku më mirë se në auditorët e universiteteve mund të njihen me to.
Por që të arrihen të gjitha këto duhet më shumë buxhet për arsimin. Sipas UNESCO, shpenzimet e qeverisë për arsimin ne vitin 2021 ishin 59.1 miliardë lekë, pra sa 3.1% e PBB, niveli më i ulët krahasuar me vendet fqinje.
Pagat e stafit akademik, tepër të ulëta krahasuar me punën, dhe rolin që duhet të kenë në kërkim shkencor dhe edukim në vazhdim, përfshirje në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, gjë që as nuk mendohet të përballohet me të ardhurat si akademikë.
Pra përkeqësimi i arsimit, drejtpërdrejtë çon në largimin e të rinjve për të studiuar e punuar jashtë vendit, por njëkohësisht largimin e pedagogëve, pjesë e rëndësishme e shtresës së mesme, si tejet të demotivuar nga kushtet që u ofrohen në vendin e tyre krahasuar me kontributin e vyer që japin e kanë dhënë ndër vite.
Një qeveri që ka prioritet bandat për të sjellë deputetë në parlament, korrupsionin për të pasuruar veten, miqtë e për të larguar elitat, as nuk mund të mendohet që arsimin do ta kenë mdonjëherë prioritet, përveç rasteve kur për show inaugurojnë ndonjë fasadë.