Autoritetet greke janë vënë në alarm pas arratisjes së dy shqiptarëve, Lefter Toçi dhe Romeo Qosja, nga burgu Kassavetia.
Mediat raportojnë se policia greke po ushtron kontrolle edhe në Atikën Perëndimore, ndërsa i konsideron si shumë të rrezikshëm shqiptarët e arratisur. Madje ka raportime se ata janë parë nga qytetarë pikërisht në këtë zonë.
Operacioni për gjetjen e tyre kryhet nga ekipe speciale të policisë. Sipas të njëjtave burime, ndoshta dy të arratisurit janë bashkë dhe të armatosur.
Dy personat janë dënuar me shumë vite burgim (madje edhe të përjetshëm) për një sërë grabitjesh, zjarrvënie dhe pjesë në një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vrasjeve, shkruajnë mediat greke.
Shqiptarët te dy nga 41 vjeç mbaheshin që nga viti 2019 në Burgjet rurale, në një zonë të pa rrethuar, për shkak të sjelljes së mirë, ndërsa dhoma e tyre kontrollohej shume pak nga stafi.
Të arratisurve iu dhanë pesë ditë pushim në vitin 2024 dhe me sa duket përfituan nga kthimi i tyre nga leja e fundit disa ditë më parë për të planifikuar dhe realizuar arratisjen e tyre.
Zhdukja e tyre, e cila u zbulua në orën 21:00 të së enjtes, shkaktoi mobilizimin e menjëhershëm të policisë pasi dy të arratisurit konsiderohen të rrezikshëm, për shkak të së shkuarës së tyre.