Nga Flamur Hoxha
Gëzuar 34-vjetorin PD Kukës, përvjetorin e idealistëve guximtarë kundër diktaturës, që rrëzuan dhe do të rrëzojnë regjime!
Të dashur demokrate dhe demokratë, banorë të Kukësit.
Të nderuar N/Kr i PDSH z. Bylykbashi, deputet i qarkut tonë z. Çelaj, deputet e akademik i Lumës z. Shefqet Hoxha, Kr PD Tropojë z. Hoxhaj, Kr PL Kukës z. Peca, Kr PD Kukës z. Demaj, struktura drejtuese të degës.
Në këtë ditë të shënuar, përvjetor të degës tonë, kujtojmë e nderojmë themeluesit dhe të gjithë kontribuesit, mbështetësit dhe votuesit që për mbi tre dekada kanë përballuar sfida të mëdha dhe kanë mbetur gjithmonë të vendosur e të angazhuar për vlerat e lirisë, drejtësisë dhe zhvillimit të vendit tonë, duke dhënë me kontributin e tyre gjithmonë mbështetje për forcimin dhe fitoren e PD, duke e bërë degën tonë një nga bastionet më të qëndrueshme dhe fituese të forcës sonë politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë!
Më lejoni që në emrin tuaj të them sot me zë të lartë: Ndjehemi krenarë që kemi qenë, jemi e do të mbetemi gjithmonë pjesë e PD!
Shumë sfida na presin, por unë besoj se bashkë ne do t’i kalojmë ato dhe do të arrijmë të realizojmë objektivat tona, do të vazhdojmë të punojmë me dëshirën dhe angazhimin për një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Kjo është misioni që ne kemi dhe do ta vazhdojmë me të njëjtin pasion dhe përkushtim, sepse besimi ynë në të ardhmen është i palëkundur!
Në këtë vit elektoral për qarkun tonë, si dhe për gjithë Shqipërinë dalin përpara përgjegjësi të mëdha, ndaj puna dhe angazhimi i të gjithëve në fushatën zgjedhore të 11 majit duhet të jetë fitore dhe vetëm fitore, për të rikthyer demokracinë e zhvillimin. Me qeverisjen e PD do t’i kthejmë mirëqenien çdo banori të Kukësit, Hasit e Tropojës!
Ky angazhim me përgjegjësi politike pas një situate jo të mirë, tashmë të kaluar në partinë tonë, kërkon nga ne një reflektim dhe tolerancë për të pasur një bashkim të gjithë kontributeve, pa dallim. Ndaj dita e sotme, në këtë përvjetor, është një moment reflektimi dhe njëkohësisht kusht thelbësor bashkimi.
Këtë reflektim! Këtë ndjesë së pari dua ta dëgjoni nga unë, njëkohësisht siç edhe angazhimi im pa kushte në këtë mision politik, do të mbetet detyrimi i përjetshëm i imi ndaj jush, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen dhe rezultatin e jashtëzakonshëm që morëm në zgjedhjet për pushtet qendror në 2021 dhe për të vijuar përsëri në të gjithë qarkun tonë me të vetmin synim: fitoren e forcës tonë politike, PD dhe opozitës së bashkuar!
Të shumta janë plagët që solli qeverisja “Rilindje” në gati 12 vite në qarkun tonë: me fshatra të braktisur, të lënë në harresë, pa rrugë-ujë- energji, me papunësi e varfëri dhe me të rinjtë tashmë në emigrim, në diskriminim të plotë, edhe pse nga trojet tona nxirren minerale e prodhohet energji. Shumë pasuri, e Kukësi mbetet përsëri qarku më i vjedhur… qarku më i varfër në Shqipëri!
Ndaj zotimi ynë është të jemi derë më derë te çdo banor, t’i mundësojmë të drejtën për votim çdo banori të qarkut që i detyruar të emigrojë do të votojë PD, të bëjmë realitet programin e qeverisjes së PD që garanton largimin e varfërisë me minimumin jetik, rritjen e pagave e pensioneve, uljen e çmimit të karburantit e energjisë, taksa të ulëta e luftë kundër korrupsionit qeverisës me koncesionet e PPP, premtimin e dhënë për heqjen e traut, kompensimin e tokave të përmbytura e shumë angazhimeve të tjera që më së miri ka treguar se ka përmbushur e do të realizojë qeverisja demokratike dhe kryetari i saj, Prof. Dr. Sali Berisha!
Nderim përjetë, me përulje dhe mirënjohje, themeluesve, demokratëve dhe mbështetësve të PD në Kukës dhe kudo në gjithë Shqipëri!
Gëzuar me fitore!