“Djali im nuk ka pasur asnjë problem me persona të tjerë dhe asnjë konflikt”, kështu mësohet të ketë dëshmuar në Polici babai i 33-vjeçarit Ramazan Mataj që u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm në Dragoç të Shkodrës.
Më tej, i ati ka theksuar se djali i tij është rritur me shumë vështirësi ekonomike teksa ka theksuar se nuk e di arsyen e vrasjes.
“Nuk e di arsyen e vrasjes. Ne nuk jemi në dijeni të asnjë konflikti. Djali im është rritur pa bukë dhe me shume vështirësi. Nuk ka qenë aspak person problematik”, është shprehur i ati i Ramazan Matajt.
Sipas të atit, Ramazan Mataj ka komunikuar rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme me familjarët dhe nuk ka shfaqur asnjëlloj shqetësimi.
33-veçari u qëllua për vdekje me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Benz” që drejtohej prej tij mëngjesin e sotëm në rrugën e fshatit Dragoç.
Kanë qenë banorët që kanë parë personin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje.
Po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.