Nga Bujar Leskaj
Dje, datë 06 janar 2025 celebruam 34 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike Dega Vlorë.
Qindra demokratë, simpantizantë të Partisë Demokratike, themelues, ish-funksionarë të PD ndër vite, ish-deputetë, kontributorë, te rinj, te reja, zonja të nderuara, u bashkuan për të festuar këtë datë kaq të rëndësishme, themelimin e Partisë Demokratike Dega Vlorë.
Nderuan me pjesëmarrjen e tyre themeltarët e PD Vlorë, pjesë e grupit nismëtar të themelimit të Partisë Demokratike Vlorë, në 29 dhjetor 1990, e cila u mbajt në shtëpinë e Alfred Ziajit, z.Bilal Çela dhe z. Roland Tafili.
Si themelues i Partisë Demokratike Vlorë, e cila u themelua në datën 29 dhjetor 1990, si dega e katërt e themeluar në ato ditë dhjetori në Shqipërinë e sapodalë nga komunizmi, pjesë e grupit nismëtar të themelimit të kesaj dege, mbajti fjalën ish-deputeti Roland Tafili, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë historike të themelimit të Partisë Demokratike në Vlorë, frymën që u ngrit në ato vite dhe përkushtimin e kontributit të çdokujt brenda kësaj force politike, në ditët e saj të mira dhe të vështira. Ai shkurtimisht përcolli si rrodhën ngjarjet atë dhjetor ‘90, qysh nga vendosja për themelimin e PD në Vlorë deri te mbajtja e mitingut të parë të Partisë Demokratike në Vlorë, në 6 janar 1991.
Kryetari i PD Vlorë z.Atird Hoxha, organizatori i këtij takimi festiv për 34 vjetorin e Degës së PD Vlorë, shprehu mirënjohje për çdo demokrat e demokrate që ka qenë pjesë e pandashme e këtij rrugëtimi 34 vjeçar, sikurse theksoi rëndësinë e fushatës elektorale që po na paraprin, duke dhënë mesazhin se vetëm të bashkuar arrijmë drejt fitores së 11 Majit.
Sekretaria Politike e PD Vlorë, ish-deputetja znj.Nadire Mecorapaj vlerësoi me mirënjohje kontributin e çdo demokrati këto 34 vjet, sidomos rolin e grave dhe zonjave në Partinë Demokratike, angazhimi i të cilave ka qenë koseguent dhe i pandarë.
Sekretari Funksional pranë PD Vlorë z.Rezenbrik Serjani, në fjalën e tij përcolli urimin e përzemërt për këtë kremtim të 34 vjetorit të Degës së PD Vlorë, sikurse falenderoj me mirënjohje çdo të ri e të re, rolin e tyre pranë Partisë Demokratike Vlorë gjatë këtyre viteve.
E nisa fjalën time, në këtë celebrim madhështor, të 34 vjetorit të themelimit të PD Vlorë, duke kujtuar me mirënjohje nismëtarët e themelimit: Afrim Jupi, Ventigjar Hamzaraj, Alfred Ziaji, Aleks Tahiri, Manol Bono, Hasko Hoxha, Bilal Çela, Roland Tafili, Bujar Borshi, Nexhat Veipi e Petrit Stefa dhe duke kujtuar me mirënjohje intelektualët vlonjatë, të cilët folën në mitingun e parë madhështor të 6 janarit 1991: Afrim Jupi, Petrit Stefa, Hasko Hoxha, Dashamir Frakulla; të ardhurit nga Tirana: Prof.dr. Sali Berisha, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, Arben Imami, etj.
Shpreha mirënjohje për ish- kryetarët e PD- Vlorë nga 1990 e deri më sot, ish- kryetarët e bashkisë, El’ham Sharra e Gëzim Zilja; prefektin Esat Hasani, për të gjithë deputetët e Partisë Demokratike në këto 31 vite dhe veçanërisht për deputetët e viteve 1991- 1992 dhe 1992-1996, prof. Abedin Elmazi, Ibrahim Vasjari, Gafur Shameti, Kosta Koçi, Afrim Jupi, Roland Tafili, Filip Taço e shumë deputetë të PD ndër vite, sikurse kujtova rithemeltarët e vitit ‘97 dhe rithemeltarët e vitit 2021-2022.
Në emër të Prof.Dr.Sali Berishës përcolla mirënjohjen dhe urimet e tij më të përzemërta, për çdo demokrat e demokrate të Vlorës.
Kujtova shkurtimisht sfidat, angazhimet, aksionet, vështirësitë e provat që ka kaluar PD Vlorë këto vite, duke dhënë shpresë për të ardhmen dhe besimplotë për fitoren e 11 Majit.