IN MEMORIAM/Lamtumirë Astrit Bishqemi, elbasanasit fisnik dhe të urtë!

0
20

Është ndarë nga jeta elbasanasi fisnik e i urtë, që çdo gjë në jetë e çau me forcën e dijes dhe edukatën e tij, shkrimtari, studiuesi, publicisti, pedagogu, njeriu i mirë Astrit Bishqemi

Astrit Bishqemi lindi në Elbasan më 18 Korrik 1943. Ai vinte nga një familje e nderuar dhe me vlera fisnike të qytetit që e lindi, Elbasan. Mësimet e para i mori në qytetin e tij. Pas shkollës së mesme pedagogjike, punoi si mësues në disa fshatra të Elbasanit. Pastaj studioi për Matematikë-Fizikë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër . Më vonë përfundon studimet e larta në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Elbasan. Për shumë vite ushtroi profesionin e mësuesit dhe njëkohësisht të drejtorit në shumë shkolla tetëvjeçare dhe të mesme të rrethit të Elbasanit dhe më gjërë, përkatësisht në Dumre, Librazhd, Peqin, Elbasan. Ndërkohë ka qenë redaktor i gazetës lokale                       ” Shkumbini” (1973-1977). Që nga viti 1981 fillimisht si pedagog i jashtëm dhe më tej efektiv, ishte lektor i lëndës së letërsisë për fëmijë në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan deri në vitin 2010 kur doli në pension. Tema e doktoraturës së mbrojtur prej tij në Universitetin e Tiranës mban titullin: “Teoria dhe historia e letërsisë për fëmijë e të rinj”.

Qysh herët në bankat e shkollës, filloi të shkruaj, kryesisht për fëmijë, gjë të cilën e vazhdoi deri sa kishte frymë. Ai kishte një pasion të veçantë dhe dashuri, kur shkruante për fëmijët. Ky pasion që kishte

Astrit Bishqemi për letërsinë, sidomos ajo për fëmijë, bëri që ai më vonë të përfundojë edhe studimet e larta për gjuhë shqipe dhe letërsi, po në qytetin e lindjes Elbasan. Astrit Bishqemi u dallua në tërë krijimtarinë e tij si shkrimtar i letërsisë për fëmijë, që në fondin e tij krijues ka me dhjetra tregime, romane, novela, përkthime, skenarë për filma, si dhe autor e bashkautor i teksteve mësimore të letërsisë për fëmijë etj. Por Astriti përveç se shkruante për fëmijët, njëkohësisht ai bënte edhe studime të shumta në fusha të ndryshme letrare. Astriti do të konfirmohet si nji studiues potent në vëllimin i tij studimor “Teoria dhe historia e letërsisë për fëmijë e të rinj”. Librat që ai ka shkruar kanë vlerësime më pozitive nga kritika letrare. Për të janë botuar edhe dy monografi: “Astrit Bishqemi – Krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj” nga Dr. Rudina Alimerko. Xhevat Syla do të shkruaj për këtë libër: Një paraqitje e gjerë e kontributit të krijuesit dhe studiuesit Astrit Bishqemi. Po kështu kemi edhe një libër tjetër: “Talent dhe përvojë krijuese e shkencore – Vështrim analitik e sintetik i Astrit Bishqemit në veprën “Vlera të anatemuara”, të Faik Shkodra nga Prishtina.

Vetë Astriti do të shprehet: ”Jeta nuk më përkëdheli kurrë, por veproi si një uthull me shumë aciditet. Veç, si duket, ena që e mbajti qëlloi e fortë.”

Kur e pyesin Astritin se shkruan lehtë, ai i kthen këtë përgjigje: “Jo, gaboheni, nuk tërhiqem e nuk kënaqem lehtë. Ato botime janë rezultat i një pune sistematike, të vazhdueshme e këmbëngulëse ndaj cilësisë. Sesa ia kam arritur, është tjetër gjë. Por unë kam gërvishur bërrylat në syprinën e tryezës së punë…” Shkrimtari i i dëgjuar, Qamil Buxheli, do të shkruajë: “Nuk merrem me letërsinë për fëmijë, ndaj të më falë Astriti që nuk ia kam lexuar krijimtarinë letrare, por punëdiploma e tij, në të cilën mua më caktuan oponent, ia kalon shumëfish studimit të një studenti. Do ta këshilloja Bishqemin që këtej e tutje t’i përkushtohet seriozisht fushës së studimeve…”

Pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, Astri Bishqemi u trajtua me plot dinjitet, ndaj edhe iu besuan dhe kreu punë shumë të rëndësishme në sferën e arsimit dhe të kulturës. E kemi shkrimtar të shquar për fëmijë, studiues tejet i përkushtuar për të mos thënë më i përkushtuari i letërsisë për fëmijë, ligjërues i lëndës letërsi për fëmijë në universitet, autor tekstesh shkollore, mentor në marrjen gradave shkencore të shumë studentëve, autoritet i respektuar në gjithë hapësirën kombëtare për angazhimet dhe rezultatet në punën krijuese e studimore.

Libri i Astritit, “Elbasani ndër vite për librin” (2016), vlerësohet si një bibliografi enciklopedike. Për të këtë, pedagogu, Panajot Lena shkruan: “Është fat që populli elbasanas ka në gjirin e vet një personalitet të tillë që gjurmoi dhe mblodhi si bleta punëtore ëmbëlsinë e shpirtit krijues elbasanas, tërësinë e veprave të shkruara dhe të botuara nga elbasanasit në të gjitha fushat e dijes.” Mund të shkruhet pa fund për punën, krijimtarinë në çdo fushë të Astrit Bishqemit. Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Ai ishte nip i familjes patriotike, asaj Blloshmi nga nana.

Astriti mban titullin “Profesor i Asociuar” dhe ”Mësues i Merituar”. Si autor i shumë vjershave, tregimeve, novela dhe romaneve, në qershor të vitit 2009, Ministria e Kulturës dhe Sektori Shqiptar i IBBY-t (International Board on Books for Young people) e nderoi me çmimin e karrierës “Orët” për “punë të përkushtuar në studimin e letërsisë shqipe për fëmijë dhe si krijues i afirmuar”. Veç çmimeve kombëtare në fushën e krijimeve për fëmijë, në vitin 2010 është nominuar kandidat i Shqipërisë për Çmimin e lartë botëror “Astrid Lindgren”, që jepet në fushën e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj. Astrit Bishqemi është i vetmi shkrimtar shqiptar që është nominuar për këtë titull. Ai është një vlerë e pakontestueshme krijuese në shumë zhanre dhe me shumë vlera, është një model qytetari elbasanas e më gjerë.

Ky shkrim i shpejtë për njeriun e mirë, Astrit Bishqemi, është një homazh për jetën, punën dhe veprat që ai na ka lënë. Vajzat e tij të jenë krenare për babain e tyre, që gjithë jetën e tij punoi me devotshmëri e përkushtim. /Marrë nga Albanian Digital Archives and Collections/

IN MEMORIAM/ Lamtumirë Astrit Bishqemi, elbasanasit fisnik dhe të