Trageti kthehet me URGJENCË në portin e Durrësit/Shqiptarja shfaq probleme të RËNDA shëndetësore gjatë udhëtimit drejt Barit

0
81

Një situatë emergjente mjekësore ka ndodhur ditën e sotme në tragetin “Af Marina,” i cili ishte nisur nga Porti i Durrësit në orën 13:00 drejt Barit.

Rreth orës 15:50, Kapiteneria e Portit të Durrësit mori një njoftim për një rast urgjent të një shtetaseje shqiptare që kishte pësuar një abort spontan gjatë udhëtimit.

Pasi u vlerësua situata, Kapiteneria urdhëroi menjëherë kthimin e tragetit në radë për të mundësuar ndihmën e nevojshme mjekësore.

Rimorkiatori “Joni” u vendos në gatishmëri për të transportuar shtetasen Jolanda T. drejt portit, ndërsa në bashkëpunim me autoritetet portuale, një ambulancë e Autoritetit Portual Durrës (APD) u përgatit për ta transportuar atë në spital.

Operacioni u zhvillua në mënyrë të koordinuar dhe pa vonesa. Në orën 17:15, pacientja u imbarkua në rimorkiatorin “Joni,” i cili pritet të mbërrijë në port në orën 18:00. Menjëherë ajo do të transferohet në ambulancën e gatshme në terminalin e pasagjerëve për t’u nisur për në spital për të marrë trajtimin e nevojshëm.