Kryeministri Edi Rama njoftoi në rrjetet sociale se ka pritur në vendin tonë Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto. Me të ka udhëtuar deri në Vlorë ku i ka premtuar se do të ngrihet një muze hebraik.
“Me nder dhe përulësi pata privilegjin të mikëpres për herë të dytë Rabinin Yosiyahu Yosef Pinto në Shqipëri — një vend model i vëllazërisë fetare, ku hebrenjtë u morën në mbrojtje si askund tjetër gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ishte një privilegj të vizitoja me të Vlorën, qytetin ku hebrenjtë u vendosën shekuj më parë dhe në zonën që dikur ishte lagjja e tyre, së shpejti do të fillojmë ndërtimin e një Muzeu të bukur Hebraik” – shkruan Rama. Sipas të dhënave që gjenden në internet, Yoshiyahu Yosef Pinto është një rabin ortodoks izraelito-maroken që drejton një organizatë globale të quajtur “Mosdot Shuva Israel” me qendër në qytetin izraelit të Ashdod dhe në New York. Revista “Globes” e emëroi atë në 2012 si një nga 10 rabinët më të pasur në Izrael.
Ai është përballur edhe me një sërë çështjesh ligjore dhe u deklarua fajtor në shtator 2014 për ryshfet ndaj një oficeri policie të rangut të lartë izraelit. Ai u dënua më 12 maj 2015 me 1 vit burg dhe me 1 milion shekelë gjobë. Ai filloi të vuante dënimin me burg më 16 shkurt 2016. Pas lirimit të tij, ai u bë Rabini Kryesor i Marokut në 2019.