Manastirliu: Programi “Art, Zeje, Sport” gjatë këtij viti do shtrihet edhe në 100 shkolla

0
60

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në gjimnazin “Abdulla Keta”, një ndër shkollat e reja të përfshira në programin kombëtar “Art, Zeje, Sport”. Ky program, synon angazhimin e të rinjve në aktivitete sociale, kreative dhe sportive jashtë orarit mësimor, duke pasuruar përvojat e tyre edukative.
Ministrja Manastirliu nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të programit në më shumë shkolla, duke ndarë objektivat për vitet e ardhshme.
“Gjimnazi ‘Abdulla Keta’ prej 3 muajsh po zhvillon programin Art dhe Zeje. Për vitin 2025 ne parashikojmë që këtë program ta shtrijmë edhe në 100 shkolla të tjera dhe deri në 2027 edhe në 400 shkolla. Duke shtrirë këtë program, më shumë të rinj dhe fëmijë janë të angazhuar jashtë orarit mësimor duke u marrë me aktivitete sociale, kreative dhe kulturore. Ky është një program që jo vetëm përgatit të rinjtë për të ardhmen, por edhe kontribuon në ruajtjen e vlerave dhe traditave shqiptare, të cilat duhet të trashëgohen brez pas brezi,” tha Manastirliu.
Ministrja foli gjithashtu për përpjekjet e shkollave dhe rëndësinë e përfshirjes së sportit në program.
“Jo vetëm mësuesit, por edhe stafet arsimore e kanë kuptuar rëndësinë e këtij programi dhe vetë shkollat janë duke u munduar të zhvillojnë degët dhe aktivitetet e tij. Sporti është një pjesë integrale e këtij programi, dhe këtë vit po vazhdojmë me mbi 800 ekipe sportive në shkolla për vajza dhe djem. Gjithashtu, po shqyrtojmë shtimin e disiplinave të reja, si shahu, i cili ka marrë një interes të madh nga nxënësit. Duke filluar nga viti shkollor 2025, planifikojmë të përfshijmë këtë disiplinë si pjesë të projektit ‘Art, Zeje, Sport’,” theksoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Programet jashtëshkollore dhe mbështetja për zhvillimin e nxënësve janë një tjetër pikë kyçe e Planit të Ri të Veprimit për rritjen e sigurisë dhe zhvillimit të nxënësve në shkolla.
“Art dhe zeje është gjithashtu pjesë e programit ‘Shkolla e hapur’ me Planin Ri të Veprimit për rritjen e sigurisë dhe zhvillimit të nxënësve në shkolla. Përveç aktiviteteve kreative dhe kulturore, ne po pilotojmë programe si ‘Shkolla Verore’ dhe ‘Programi Pas-shkollor’, që synojnë mbështetjen e nxënësve në përmirësimin e rezultateve të tyre shkollore me ndihmën e mësuesve. Ky ndërthurje mes programeve do të forcojë arritjet akademike dhe angazhimin kreativ të nxënësve,” përfundoi Manastirliu.