Shembullin e Agron Dukës duhet ta ndjekin edhe shumë të tjerë/nga Ervis Iljazaj

0
101

Ervis Iljazaj

Agron Duka deklaroi sot që nuk do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në fakt, këtë gjë e ka deklaruar që një vit më parë. Vendimi i zotit Duka duhet përshëndetur dhe mirëpritur. Madje, duhet të jetë shembull për shumë politikanë që tashmë kanë dekada në jetën politike shqiptare.

Është absurde që në Shqipëri nuk largohet askush nga politika. Është ndoshta vend unik në botë që klasa politike është e njëjtë prej 30 vitesh. Sigurisht ka patur prurje të reja, por elita ka mbetur po e njëjtë. Kryetar partish që drejtojnë partitë politike prej 30 vitesh është kthyer në një normë në politikën shqiptare. Shumë prej tyre mund të quhen parti-njeri. Aq shumë gjatë kanë në politikë dhe në drejtimin e partive sa që më shumë gjasa këto parti me largimin e kryetarëve të tyre, vështirë se do të mund të mbijetojnë. Sepse fati i këtyre partive është i lidhur ngushtë me fatin e personave të caktuar. Nga partitë tradicionale shqiptare të tranzicionit, e vetmja që e ka kaluar sprovën e liderit është Partia Socialiste. E cila mbas Fatos Nanos zgjodhi si kryetar Edi Ramën dhe përsëri fitoi pushtetin. Jo vetëm kaq, por në drejtimin e tij ka tre mandate që qeveris Shqipërinë. Ndërsa nga qeverisja e Ramës, me aq shumë sa e ka personalizuar pushtetin, nuk dihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Partisë Socialiste kur të largohet.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka mbetur nën pushtetin dhe hijen e Sali Berishës. Tashmë prej 34 vitesh kjo parti drejtohet prej tij, sa që fare lehtë mund të konsiderohet një parti private e zotit Berisha. Të drejtosh një parti politike prej 34 vitesh është ndoshta rasti që nuk gjendet askund tjetër në botë. Rasti i Partisë Demokratike, me shumë gjasa është rast unik.

Mos shkulja nga pushteti dhe nga politika është një karakteristikë tipike shqiptare që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në rajon, në Europë jo se jo. Në të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes, sot nuk ekziston asnjë parti politike e cila ka qenë protagonsite në vitet 90 kur është bërë ndryshimi i regjimeve. Politikanë as që bëhet fjalë se mund të jetë ndonjë protagonist akoma i atyre viteve. Ndërsa në Shqipëri, që nga viti ‘90 kemi pothuajse të njëjtat parti dhe të njëjtët protagonistë.

Jo më kot vende demokratike kanë kufizime mandatesh. Pikërisht për këtë arsye, për të rinovuar klasën politike dhe drejtuesit e një vendi. Të jesh në elitën drejtuese të vendit për gati dy apo tre dekada, është një kohë e mjaftueshme për të dhënë kontribut në vendin tënd. Nuk kuptohet se çfarë nuk kanë patur mundësi të bëjnë për Shqipërinë në 34 vite që kërkojnë ende pushtet. Shumë politikanë shqiptarë kanë patur të gjitha mundësitë dhe kohën e mjaftueshme për të dhënë idetë e tyre, për të qeverisur Shqipërinë apo për shënuar historinë e saj në këtë tranzicion. Shoqëria shqiptare ka ndryshuar, kohët janë të tjera, çështjet dhe problematikat gjithashtu. Vetëm se shumë prej politikanëve tanë ngjajnë si qenie parahistorike, të cilët s’kanë asnjë lidhje me realitetet dhe sfidat e reja të shqiptarëve.

Çdo gjë e ka një fund në jetë, ashtu sikurse duhet ta ketë dhe në politikë. Problemi qëndron se shumë politikanë shqiptarë nuk kanë ndonjë profesion dhe nuk dinë se me çfarë të merren nëse largohen nga politika.