Presidenti Joe Biden miratoi të mërkurën një deklaratë federale për gjendje emergjence për Kaliforninë, që do të autorizojë fonde dhe burime për të luftuar zjarret.
“Jemi të përgatitur të bëjmë gjithçka dhe për aq kohë sa duhet, për të kontrolluar këto zjarre dhe për të ndihmuar në rindërtimin dhe për t’u siguruar që të kthehemi në normalitet. Do të jetë një rrugë e gjatë”, tha Presidenti Biden. “Do të marrë kohë”.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha të mërkurën se “do të punojë për të siguruar personel dhe aftësi shtesë zjarrfikëse” në Kaliforni për betejën e saj kundër zjarreve që kanë dalë jashtë kontrollit.
Shuma totale e dëmeve nga zjarret mund të shkojë midis 52 miliardë dhe 57 miliardë dollarë ose edhe më shumë, sipas një analize nga Qendra Globale e Motit e kompanisë “AccuWeather”.
Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit u përball me katër zjarre të rrezikshme për jetën, që kanë vrarë të paktën pesë persona, kanë djegur më shumë se 1’100 ndërtesa dhe kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.
“Departamenti i Zjarrfikësve të Qarkut Los Anxhelos ishte përgatitur për një ose dy zjarre të mëdha pyjesh, por jo katër, veçanërisht duke patur parasysh këto erëra të qëndrueshme dhe lagështinë e ulët”, tha të mërkurën shefi i zjarrfikësve të qarkut Los Anxhelos, Anthony C. Marrone./ Voa.