Detaje të reja dalin nga ngjarja e ditës së djeshme në ‘Astir’, ku një 21-vjeçare alarmoi policinë duke deklaruar se ishte dhunuar nga disa persona dhe u mbyll në banesën në katin e 8-të duke mos pranuar të hapte derën.
U desh ndërhyrja e forcave RENEA që hynë nga tarraca për të nxjerrë vajzën nga banesa, e cila më pas u shoqërua në spital.
Policia ka shpallur në kërkim 4 djem, të cilët kanë qenë në apartament dhe kanë konsumuar gjatë gjithë natës kokainë, në shoqërinë e 3 vajzave, mes tyre edhe 21-vjeçarja Sajma Qordja.
Burimet bëjnë me dije se personat e shpallur në kërkim janë nga Vlora.
Joni Sadikaj është i dashuri i 21-vjeçares.
Vajza në dëshmi, pasi është qetësuar, ka deklaruar se nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë, ndryshe nga versioni i parë që ka dhënë kur ka telefonuar policinë.
Çfarë ndodhi dje në Astir
Një 21-vjeçare alarmoi policinë duke deklaruar se ishte dhunuar nga disa persona dhe u mbyll në banesën në katin e 8-të duke mos pranuar të hapte derën. U desh ndërhyrja e forcave RENEA që hynë nga tarraca për të nxjerrë vajzën nga banesa e cila më pas u shoqërua në spital.
Vajza ishte në shoqërinë e disa presonave të tjerë, të cilët prej mbrëmjes së të mërkurës ndodheshin në dy apartamente në katin e 8 të pallatit ku i kishin marrë me qira AIRBNB ngjitur me njëri-tjetrin.
Apartamentet ishin marrë me qira nga një djalë me të cilin ishte në një lidhje 21-vjeçarja Sajma Qordja. Të rinjtë e kanë kaluar natën e së mërkurës deri në mesditën e së enjtes te të dy apartamentet, ku dyshohet se kanë konsumuar edhe lëndë narkotike.
Mesditën e së entjes, të rinjtë kanë zbritur poshtë pallatit për të konsumuar kafe, ndërsa Sajma Qordjan e kanë lënë në dhomë në gjumë. Kur ajo është zgjuar nga gjumi, ka parë dy armët e zjarrit pistoleta dhe jelekun antiplumb dhe më pas ka filluar të shfaqë paranoja duke bërtitur e frikësuar, ulërima që janë dëgjuar edhe nga banorët në pallat.
Më pas ajo ka telefonuar familjen e saj, nënën, duke i thënë se ndjehet e rrezikuar dhe e frikësuar dhe se gjatë gjithë natës është dhunuar nga disa persona dhe po mbahej peng. Kanë qenë familjarët e saj që më pas kanë lajmëruar policinë duke i thënë se vajza e tyre është rrëmbyer nga persona që kanë edhe armë dhe që e kanë dhunuar.
Fillimisht pas telefonatës së familjarëve të 21-vjeçares, në katin e tetë pranë apartamentit kanë shkuar dy efektivë të forcave të rendit, por vajza, e cila herë pas here bërtiste e frikësuar duke shfaqur paranoja, nuk u ka hapur derën. Më pas edhe familjarët e saj kanë shkuar aty për ta bindur. Ka qenë i ati, i cili ka komunikuar me video-call me të bijën pas derës ku ndodhej bashkë me policinë, por vajza sërish nuk ka hapur derën.
Më pas efektivët e rendit kanë lajmëruar FNSH dhe forcat RENEA, të cilët u futën në apartament nga dritarja duke zbritur nga taraca e pallatit. Ndërkohë personat e tjerë, në momentin e parë që kanë konstatuar që në katin e 8 pranë apartamenteve që kishin marrë me qira u ngjitën dy efektivë të forcave të rendit, janë larguar.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së pallatit dhe ka identifikuar të gjithë personat si edhe lëvizjet e tyre nga dita e parë e akomodimit te dy apartamentet deri te largimi pas mbërritjes së policisë.