Një prokuror në Turqi, ka kërkuar dënimin me 108 vjet burg për një 18-vjeçar i cili ishte i përfshirë në një sulm me thikë, ku mbetën të plagosur pesë persona.
I riu përballet me akuzat për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “kanosje për të shkaktuar frikë dhe panik në publik”.
Sipas raportimeve të Hurriyet Daily News, 18-vjeçari Arda K kishte veshur një jelek antiplumb me simbole naziste, një helmetë në stilin e periudhës naziste dhe një maskë, kur sulmoi disa individë me thikë dhe sëpatë në provincën perëndimore të Eskişehirit, më 12 gusht 2024.
Arda K kryente sulmin në disa zona të ndryshme të provincës, përfshirë një lokal çaji në kopshtin e një xhamie, një park dhe një stacion tramvaji, ndërsa e gjithë ngjarja transmetohej në kohë reale përmes një kamere të bashkangjitur në trupin e tij. Ai u arrestua menjëherë pas sulmit.
Sipas hetimeve, ai kishte marrë urdhra për të kryer këtë akt nga një burrë i panjohur që e kishte takuar online në një platformë lojrash. Ky person pretendonte se ishte nga Evropa Lindore dhe rreth një deri dy vjet më i ri se Arda K. Ai e udhëzoi atë të planifikonte sulmin dhe të zgjidhte një vend për ta realizuar.
Përshkrimi i 18-vjeçarit tregon se ai dhe “eprori” i tij kishin biseduar për armë, bomba dhe sulme të armatosura, dhe së bashku kishin diskutuar mundësitë për vendndodhjen e sulmit të tij. Arda K tha se kishte zgjedhur të sulmonte një xhami në lagjen Tepebaşı dhe kishte dekoruar jelekun e tij me simbole naziste që përfaqësonin ideologjinë e tij të preferuar, Nacional Socializmin.
Në aktakuzë thuhet se, megjithëse Arda K e përshkruan lidhjen e tij me këtë person online, ekipet e krimit kibernetik nuk kanë mundur të identifikojnë personin apo platformën që ata kishin përdorur për të komunikuar.
Në lidhje me motivet e sulmit, Arda K deklaroi se veprimet e tij ishin të shtyra nga mospëlqimi i tij ndaj njerëzve dhe dëshira për të shkaktuar përçarje, dhe jo për arsye fetare.
Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte lidhje me ndonjë grup terrorist dhe shprehu keqardhje për aktin e kryer. Më tej, ai përmendi se kishte kërkuar ndihmë nga një shërbim psikiatrik rreth shtatë muaj para ngjarjes për të trajtuar depresionin, por kishte ndërprerë mjekimin pas disa kohësh.