Kryeministri Edi Rama e ka quajtur Sali Berishën “katran me diplomë mjeku”, që sipas tij ka kapur për fyti Partinë Demokratike.
Po ashtu, Rama u shpreh se prej çerek shekulli Sali Berisha fabrikon akuza të paqenë ndaj tij.
Kreu i qeverise deklaroi se akuzat qe iu ben ndaj te vellait si i perfshire ne trafik droge nuk jane goditja e pare, dhe as e fundit.
“Kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua – s’ka se si të jetë as e fundit – nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore. E kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën, si trakt të luftës pa din e as iman kundër meje, që vazhdon prej kaq e kaq vitesh.
Jo Jo, nuk kam pasur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit mendor. Por sigurisht që nuk ka pasur se si të mos akuzohesha edhe për këtë, nga një katran i madh, me diplomë mjeku, që u hyn në hak deri dhe të sëmurëve më fatkeqë e familjarëve të tyre, duke i përdorur si kategori negative, për llogari të luftës së tij përçudnuese politike”, tha Rama.
PJESE NGA FJALA E RAMES
Më keni dëgjuar të merrem ndonjëherë me fëmijët, me gruan a me ndonjë të afërm tjetër të atij katranit me bojë, të cilin ky Gazmendi që u bë sebep për këtë rrëfim të gjatë sot, e ka akuzuar publikisht, duke e quajtur për arsye botërisht të kuptueshme “babi i Zenit”- ishte ajo koha kur katrani i madh kishte humbur Lulin dhe vulën, ndërsa katrani me lule kishte gjetur Gazin dhe bravën.
Nuk besoj s’e më keni dëgjuar.
Po a keni dëgjuar nga goja ime që ta ngre hajdut që në sabah, e ta ul kriminel deri në aksham këtë “babin e Zenit”, apo këdoqoftë tjetër nga kundërshtarët e mi politikë, siç ka bërë ky “babi” i tërë katranëve të tij të vegjël me mua dhe me të gjithë kundërshtarët e vet – pa na lënë të vdekur e të gjallë të librit të shtëpisë pa bërë pis, me jashtëderdhjet e asaj zorres shtëpiake që e quajnë akoma parti demokratike.
Nuk besoj s’e keni dëgjuar.
Natyrisht, nuk ua kam kursyer kur është dashur shpatën e shqipes sime, as atij “babit” që na mbeti peshqesh nga jetimorja e servilave më të neveritshëm të Partisë së Enver Hoxhës, as “çunave e gocave të Partisë Demokratike” që na i bëri peshqesh përdhunimi qysh në lindje i asaj partie nga “babi” dora vetë.
Por ama, jam përpjekur gjithnjë të mos bëhem një më shumë ndër lehaqeniet që shajnë, shpifin e gënjejnë se “kështu e paska politika”.
Partia jonë, forca popullore e shqiptarëve, ka mëkatet e veta padiskutim të tridhjetë e kusur viteve nga ardhja në jetë. Por nuk e ka mbi kurriz mëkatin e nxjerrjes së gjuhës jashtë, si thikë për të gërryer varret e familjes, për therur shpirtin e familjarëve të kundërshtarëve të vet dhe për gërmuar hendekun e urrejtjes, dasisë e helmit mes shqiptarëve.
Sa për veten, e kam ndarë mendjen prej vitesh tanimë, që gjithë ç’kanë thënë e do të thonë për mua, me të keq e me zero prova, janë një çmim, për t’iu paguar privilegjit të paçmueshëm të besimit për të drejtuar dje Tiranën, e sot gjithë Shqipërinë, dhe për të bërë histori, histori me fuqinë e votës së popullit.
Im vëlla është në punën e tij, pa asnjë lidhje me punën time. Kurrë, asnjëherë, i përfshirë në ndonjë angazhim tjetër në kohën e qeverisjes sime, përveç drejtimit të klubit të futbollit “Partizani”.
Madje u bënë s’di sa vjet, që ai klub kërkon të marrë nga ministria e mbrojtjes disa karakatina, ngjitur me stadiumin e ri që pronari i klubit ka ndërtuar me fondet e veta.
Për vite nuk kanë arritur ta marrin edhe pse duhet ta kishin marrë me kohë sipas meje, sepse kurrë, asnjëherë, vëllai im as nuk ka kërkuar, as nuk ka marrë prej influencës sime asnjë lloj favori, ndërsa unë vetë e kam marrë vesh kwtw shumë më vonë, një kërkesë tejet legjitime.
Ironia e fatit në këtë rast, e do ama, që fjala “Klubi Partizani”, të jetë sot edhe një pasqyrë e qartë e dy botëve që më ndajnë qysh nga dita një, mua me kundërshtarët e mi, ku mund të shihet si drita e diellit dallimi i botëkuptimeve për shtetin, pushtetin dhe zyrën, ku unë jam thjesht roja i radhës, ndërsa pronari është populli shqiptar që m’i ka dhënë çelësat e saj në mirëbesimin më të madh.
Nuk ka kërkuar dhe marrë asnjë favor kurrë, për asgjë, nga qeveria ose shteti, as ime shoqe, e cila është bërë tabelë më vete e qitjes kriminale të soj-soj sajesave të katranit të madh dhe katranëve të tij të vegjël, ndërkohë që të vetmen lidhje pune me shtetin e ka pasur kur drejtonte një agjenci shtetërore, bash në kohën e qeverisë së parë të Partisë Demokratike në vitet ’90. Më tej, prej vitit 1998, ka punuar me zyrën e saj të konsulencës, vetëm për organizatat ndërkombëtare.Gjithnjë larg shtetit e zyrave të shtetit dhe shumë larg çdo konflikti interesi apo përfshirjeje në çfarëdo aktiviteti financiar, jashtë zyrës dhe profesionit të saj, po prapëseprapë e tërhequr herë pas here, me pahirin e dhunës politike, në kanalet e katranëve të llumit mediatik.
Kurrë, asnjëherë, nuk ka marrë asnjë mbështetje të asnjë forme nga shteti, as vajza jonë po ashtu, e cila ka jetën e saj, familjen e punën e saj, si dizajner. Por edhe ajo e ka gjetur veten në ato kanale, me akuza e me shpifje të neveritshme.
11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”.
7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim.