Emergjencat Civile kanë dhënë informacion në lidhje me situatën në vend, pas reshjeve intensive të dëborës.
Sa u takon rrugëve, në qarkun Kukës, të gjitha rrugët janë të kalueshme, përveç atyre që lidhin njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale, si dhe rrugët e fshatrave Cahan, Xhebexhi dhe Vlahen në bashkinë Has.
Në qarkun Dibër, rruga e “Arbrit” është e pakalueshme në Qafë Murriz për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Po punohet për hapjen e këtij aksi.
Bashkia Dibër ka të bllokuar rrugën nga qendra administrative Lurë me aksin kryesor, ndërsa punimet janë në zhvillim për hapjen e kalimit nga Rrësheni.
Në disa bashki të tjera si Bulqizë, Klos dhe Mat, po punohet gjithashtu për hapjen e akseve të bllokuara nga bora.
Furnizimi me energji elektrike
Ekipet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE) janë angazhuar intensivisht për kthimin e energjisë elektrike në disa zona të prekura, duke përfshirë bashkitë Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, Fier, Gjirokastër, Kukës, Shkodër dhe Burrel.
Lumenjtë dhe rezervuarët
Në disa zona, si në fshatin Vadardhë, njësia administrative Sukth, dhe në fshatin Murqinë, njësia administrative Bubq, lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje, duke dëmtuar tokat bujqësore dhe serat. Megjithatë, pas ndërhyrjes me ekskavatorë nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, rreziku është menaxhuar dhe situata është përmirësuar.
Forcat e Armatosura janë angazhuar në qytetin e Vlorës për të mbështetur bashkinë në përballimin e përmbytjeve, ndërkohë që edhe një fadromë dhe kamion janë dërguar në Njësinë Administrative Dajt, Bashkia Tiranë, për të ndihmuar në pastrimin dhe rehabilitimin e terrenit.
Parashikimi i motit
Moti pritet të mbetet i vështirë edhe për ditën e nesërme, me reshje të dobëta dëbore që do të prekin zonat veri-lindore, qendrore dhe jug-lindore të vendit në lartësitë mbi 500 metra. Temperaturat minimale dhe maksimale do të arrijnë:
Bregdet: 4 / 11°C
Vendet e ulëta: 1 / 11°C
Vendet malore: -5 / 1°C
Era do të fryjë e lehtë deri në mesatare, por në veri dhe bregdet mund të arrijë forcë më të madhe.