Kristian Marku, 30-vjeçari që u vra mbrëmjen e sotme (13 janar) në autostradën Fier-Vlorë, nuk është një emër i panjohur për policinë.
Përkundrazi, Kristian Marku alias Kristi Bardhi, është me precedentë penal për “Vrasje me dashje ne bashkëpunim mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje e armeve te zjarrit dhe municionit luftarak”.
Në mars të vitit 2023, në Rrëshen, pas një konflikti u qëllua me armë automjeti me të cilin lëvizte Saimir Reçi. Për këtë ngjarje u vu në pranga Martin Bardhi (i vrarë në shtator 2023), ndërsa në kërkim u shpallën djali i tij, Enrik Bardhi dhe nipi Krist Bardhi (viktima e mbrëmjes së sotme).
Ngjarja
Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin në mes të qytetit.
Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi, i cili rezulton të jetë nipi i Kastriot Reçit, pronarit të televizionit lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.
Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMË, çka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shpalli në kërkim baba e bir Enrik dhe Martin Bardhi të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kërkimet intensive bënë të mundur ndalimin e njërit prej të kërkuarve dhe policia saktësoi se ka rënë në pranga Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi u shpallën në kërkim.
I arrestuar për armëmbajtje pa leje
Në shtator të vitit 2023, Kristian Marku është arrestuar në kuadër të një operacioni policor të koduar “Tentativa”, ku iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë me fishekë në të.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas që lëvizte me automjet, posedonte armë zjarri, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, vunë në pranga për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, Markun.
I riu, aso kohe 28 vjeç, në afërsi të fshatit Shëmri, Kurbin, shërbimet e Policisë e sinjalizuan për të ndaluar automjetin që drejtonte dhe ai sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka hedhur nga dritarja e automjetit, një armë zjarri pistoletë me fishekë në të, të cilën e posedonte pa leje.
Shërbimet e Policisë e gjetën armën e zjarrit dhe e sekuestruan me cilësinë e provës materiale.