BallinaTe tjeraNga udhëtimet nëpër botë, te takimet me Beckenbauer e Vespën, Ahmet Shqarri...

Nga udhëtimet nëpër botë, te takimet me Beckenbauer e Vespën, Ahmet Shqarri sjell ngjarje e personalitete

spot_img

NGA YLLI PEPO

Le ta themi qysh në fillim: Ky është një libër i veçantë, autobiografi, por edhe pasqyrë e një periudhe 80- vjeçare, ku marrin jetë në formë kujtimesh spontane, dhjetëra ngjarje, situata, personazhe të njohur, të vërtetë, me emër e mbiemër. Për nga dendësia është si një roman, jo fiksional, siç janë tërë romanet e botës, por tepër real, shkruar me plot frymëzim dhe dashuri. Kjo, të kujton fjalët e Dritëro Agollit, pedagog e me pas mik i autorit: “Dashuria dhe arti nuk bëhen me urdhër, ashtu siç nuk bëhet me urdhër teshtima”..

Libri “Kur ke çfarë të kujtosh” duket sikur është shkruar me një frymë. Rrjedhshmëria e stilit origjinal në të shkruar, të rrëmben e të merr me vete deri në faqen e fundit.

Është meritë e autorit, që ka ditur të ndërthurë e të nxjerrë bukur në pah vlera të veçanta të jetës njerëzore, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Në libër “mbretëron” dashuria për vendlindjen, për familjen, për shokët, miqtë dhe kolegët, për profesionin e për marrëdhëniet me punën.Sot vlera të tilla po humbin, po harrohen.

Ahmet Shqarri dhe Agim Fagu
Ahmet Shqarri dhe Agim Fagu

Qyteti dhe njeriu

Avdyl Frashëri thotë: “Vendlindja duhet, jo pse është e madhe apo e vogël, por sepse është e jona.”

Ahmet Shqarri përshkruan me pasion dhe përkushtim të veçantë qytetin e tij të lindjes, Peqinin. Ndoshta faqet më të bukura të librit i kushtohen fëmijërisë e, direkt apo indirekt edhe qytetit, ku u rrit.

Këtu gjen një rrëfim plot ngjyra, pamje, ngjarje dhe imtësi që të mbeten në mëndje. Janë aq të gjalla kujtimet, sa çdo lexuesi, që ka lindur e jetuar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, i sjellin ndër mënd jetën dhe vendlindjen e tij me bukurinë, me veçantitë e ngrohtësinë njerëzore të atyre viteve, por edhe me varfërinë e skajshme, ashpërsinë e sistemit e padrejtësitë e shpeshta. Autori përshkruan me detaje të imta qytetin, lojërat fëminore me topa lecke, kinemanë e vjetër, ditën e verës, tellallin e qytetit, arixhiun me kafshën e tij të madhe, pazarin tërë gjallëri e jetë e deri tek pjekja e gjelave të detit të Peqinit, aq të njohur edhe sot në mbarë vendin. Një jetë që rrjedh e bukur dhe e qetë për autorin fëmije, rrethuar me një dashuri të pamatë nga prindërit, vëllezërit dhe motrat, por edhe nga të afërmit, shokët dhe miqtë. Për të, Peqini ishte kryeqyteti i botës, vendi me magjik që mund të ekzistonte, i njëjtë me vendlindjen e secilit nga ne, që është rritur në ato kohe: ”…Nuk dua të habis askënd me këto kujtime…por fakti që shumë gjëra të asaj kohe, që unë e brezi im i kemi kaluar, tashmë ngjajnë si të një bote tjetër, pak si realizmi magjik i ndodhive që përshkruan Gabriel Garcia Markez, aq më tepër që atë botë magjike nuk e shoh të rrethojë fëmijët e sotëm, më bën që t’i sjell ndërmend tani…”( F. 38)

Ahmet Shqarri dhe Ibrahim Kodra
Ahmet Shqarri dhe Ibrahim Kodra

Njeriu dhe familja

Po jetojmë në një kohë të çuditshme, ku flitet me të madhe për prindin nr. 1 dhe prindin nr.2, ku familja nga vatër e ngrohtë e dashurisë më të ëmbël që merr njeriu, po kthehet në target numërorësh, gati po kërkohet të robotizohet.

Ky libër është një antidot me vlerë, për të kuptuar se çfarë është familja e vërtetë. Si ajo ku je rritur, po njësoj edhe ajo, që gjatë jetës, e ke krijuar vetë.

E them me plot gojën, libri i ri i Ahmet Shqarrit është një himn për familjen. Autori e ka kryefjalë të librit marrëdhënien mes pjesëtarëve, dashurinë prindërore, ku babai dhe nëna janë të pazëvendësueshëm. Nëpërmjet penës, të mbushur jo me bojë, por me një mall të pashuar vjen nëna, Muma, e dhembshur dhe e shtrenjtë, ku sakrifica e dhembja janë fillimi e fundi i detyrës nënësore. Babai me shembullin dhe punën e lodhshme është pjesa më e rëndësishme e mozaikut familjar, skalitur “gur për gur” si dëshmi e thelbit të edukatës, dashurisë për punën e të qytetarisë së brezit që vjen më pas.

Ahmet Shqarri dhe Panajot Pano
Ahmet Shqarri dhe Panajot Pano

Po me të njëjtin kujdes e përkushtim, autori shkruan për familjen të cilën me burrërimin e kalimin e viteve e krijoi vetë. Siç thotë Dostojevski “Shpirti, dashuria, Zoti njihen dhe ndihen nëpërmjet zemrës, jo mendjes. Arsyeja është një vegël që drejtohet nga zjarri shpirtëror”

Faqet për bashkëshorten, dy vajzat dhe mbesën, Mabelin janë shkruar me zjarrin shpirtëror. Ja vlen ky zjarr kur flitet për Engjëllushe Shqarrin, që sot është përkthyesja më e mirë e gjuhës angleze në gjuhën shqipe. Njohëse e shkëlqyer e të dyja gjuhëve, ajo ka sjellë në shqip, kryevepra të letërsisë angleze dhe veçanërisht asaj amerikane, thesare të vërtetë të letrave botërore. Edhe dy vajzat, Klejtja dhe Marsi, kanë një jetë të pasur aty ku jetojnë, ne Itali dhe në SHBA, pasojë e arsimimit dhe edukimit, e shembullit prindëror.

Ahmet Shqarri dhe Fadil Vokri
Ahmet Shqarri dhe Fadil Vokri

Puna, shoqëria dhe njeriu

Faqe të tëra të librit i zë me të drejtë ajo që është thelbi i jetës së njeriut: Puna, mësuesit, kolegët e shoqëria.

Fituesi i Oscar-it, regjisori dhe aktori i madh italian Roberto Beninji shkruan: “Mund të mbyllni sytë për gjërat që nuk doni të shikoni, por nuk mund të mbyllni zemrën për gjërat, që nuk doni të ndjeni… “

Dhe zemra është e hapur për të përmendur emra tepër të njohur nga të gjitha fushat e jetës e të veprimtarisë shoqërore, që kanë pjesë në rrugën e jetës së autorit. Këtu rol të veçantë, padyshim, ka luajtur profesioni i autorit. Gazetar i mirëfilltë prej 57 vjetësh,(jo pak!), Ahmet Shqarri ka njohur e takuar figura të mëdha të vendit e të botës. Përshtypjet e bisedat me ta kanë zënë një vend të merituar në libër. Duke filluar me pedagogët e më pas miqtë e tij, të mëdhenjtë e letrave shqipe Ismail Kadare, Dritëro Agolli e Jakov Xoxa apo shkencëtarët e shquar të gjuhës Shaban Demiraj, Henrik Lacaj, Anastas Dodi, Remzi Pernaska etj. e deri gazetarët Hamit Boriçi, Agron Çobani, Petrit Kumi, Besnik Dizdari e shumë të tjerë, emrat e të cilëve i gjeni në libër.

Vend zënë edhe shokët e rinisë, që më pas u bënë figura të njohura të krijimeve letrare e artistike. Të tillë si Xhevahir Spahiu, Thanas Qerama, Zhuljana Jorganxhi, Paulin Selimi, e të tjerë janë personazhe reale, të përshkruar me vërtetësi dhe dashuri të madhe.

Koha, hapësira dhe njeriu

“Kur ke çfarë të kujtosh” është një libër me 240 faqe. Ai ka nxënë, pa asnjë sforcim, 80 vjet jetë, (jo vetmi, si romani i Markezit) por një jetë tepër të gjallë dhe aktive, plot ngjarje dhe njerëz, të njohur e të panjohur, që vinë në libër si një mozaik, ku secili është një gur i vogël për të plotësuar tablonë e një epoke të tërë. Është një kohë e mbushur me ulje e ngritje të shumta, me vite të ngjeshur me gëzime, të papritura të këndshme, por shpesh dhe të hidhura, me shqetësime, e halle. Por mbi të gjitha me punë, siç shkruan një filozof i njohur Henry Ward Beecher: “Njeriun nuk e vret puna, por shqetësimet”.

Ahmet Shqarri nuk ka ndjerë kurrë lodhjen, kur gjërat që bënte iu shërbenin njerëzve, publikut me të gjerë të mundshëm, siç është ai sportiv.

Ahmet Shqarri dhe Bruno Vespa
Ahmet Shqarri dhe Bruno Vespa

Vetvetiu në libër ka hyrë një hapësirë shumë e madhe. Sepse i tillë ka qenë edhe objektivi i profesionit të tij. Si gazetar ai ka lëvizur në katër kontinente. Përshtypjet dhe takimet me personalitete botërore zënë një vend të veçantë, që nga legjenda e futbollit gjerman Franz Beckenbauer e deri tek gazetarët e shquar italiane Bruno Vespa e Sandro Ciotti. Por edhe piktori ynë i madh Ibrahim Kodra, për të cilin ka botuar ndoshta shkrimin me te bukur për të. Me një stil tërheqës, flitet për qytete të mëdha e të vogla që nga New Jorku deri në Stalingrad e Skoci, nga Pekini, Londra e Parisi në Tunizi, Kajro e Dubai. Është një hapësirë aq e gjerë sa i jep librit një dimension të veçantë, tepër tërheqës dhe interesant

Ahmet Shqarri dhe Franc Bekembauer
Ahmet Shqarri dhe Franc Bekembauer

Ahmet Shqarri nuk është vetëm një gazetar sportiv. Asnjëherë nuk ka qenë vetëm i tillë. Natyrisht në fushën e gazetarisë sportive ai ka dhënë, një kontribut të madh, të çmuar e të rrallë, si askush tjetër.

Themelues i shumë programeve e rubrikave sportive në radio dhe në televizion, komentator e opinionist i ngjarjeve më të mëdha sportive në vend e në botë për afro 60 vjet me radhë ku shkëlqen në mënyrë të veçantë emisioni radiofonik i drejtpërdrejtë “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, që mund ta quaj pa frikë si gur themeli dhe hapi i parë i lirisë së shtypit në vendin tonë. Me të drejtë, faqe të tëra i kushtohen në libër këtij eventi, që, për kohën, theu shumë tabu e pengesa teknike e gazetareske, të qena e të paqena. Por, edhe pse thelbësore, kjo është vetëm një pjesë e jetës dhe e veprimtarisë së tij.

Ahmet Shqarri dhe Ivana Spagna
Ahmet Shqarri dhe Ivana Spagna

Ahmet Shqarri është edhe një analist i ngjarjeve shoqërore, kulturore dhe politike, skenarist filmash, ku ka fituar edhe çmime ndërkombëtare (në Milano, në Pekin dhe në Jakutsk të Rusisë, 100 km. larg Polit te Veriut), ideator, drejtues e moderator i një sërë të madhe programesh televizive, autor i shumë shkrimeve, të botuar në gazetat e revistat e shumta, të djeshme e të sotme, dhe, së fundi, edhe autor i dy librave me vlera tepër të veçanta për historinë e sportit shqiptar, por edhe për historinë e Radio Televizionit tonë të 60 vjetëve të fundit.

Në librin e tij të ri “Kur ke çfarë të kujtosh” ka një ndërthurje të bukur e plot kuptim të të dyjave.

Ahmet Shqarri dhe Demis Roussos
Ahmet Shqarri dhe Demis Roussos

Si një bërës i vjetër filmi, gjithmonë kujtoj një thënie të regjisorit të madh italian Vitorio De Sika: “Nuk ka filma të mirë dhe filma të këqij, ka vetëm filma të dobishëm dhe të padobishëm”. Kjo mund të thuhet edhe për librat: “Nuk ka libra të mirë e të këqij, ka vetëm libra të dobishëm dhe të padobishëm”. Libri i Ahmet Shqarrit “Kur ke çfarë të kujtosh” është një libër shumë i dobishëm, për çdo moshë, për këdo./Gazeta Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular