Policia ka shoqëruar një person të dyshuar si autor të vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta në Zall-Bastar. I dyshuari është dërguar në Policinë e Tiranës dhe po merret në pyetje. Deri tani, nuk ka fletë arresti për të, po punohet nga blutë për ta dokumentuar ngjarjen me prova ligjore.
Fillimisht policia tha se viktima ishte rrëzuar në rrugët e fshatit, por më pas, ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi se në kokën e viktimës kishte shenja të dukshme dhune, të shkaktuara nga sende të forta.
I moshuari kishte dalë nga shtëpia për në kafen e fshatit, kur u gjet i pajetë nga banorë të zonës. Prej vitesh ai jetonte i vetëm në Shëngjin të Vogël, pjesë e njësisë administrative Zall-Bastar, ndërsa familjarët e tij jetojnë në Tiranë, përfshirë edhe bashkëshorten. Meta kishte disa bagëti të imta dhe pula, me të cilat merrej në përditshmëri.
Hetuesit dyshojnë se i moshuari mund të ketë pasur ndonjë konflikt me banorë të zonës për punët e fshatit, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë goditur me qëllim për t’u vjedhur. Kjo pasi 81-vjeçarit nuk i është gjetur portofoli dhe disa sende të tjera që mbante me vete, por megjithatë shtëpia është gjetur e paprekur.
Të pyetur për ngjarjen dhe dyshimet që mund të kenë, familjarët i thanë policisë se i moshuari nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk dyshojnë tek asnjë prej personave që jetojnë në afërsi, pasi me ta kanë edhe lidhje gjaku.
Në zonë jetojnë vetëm 4 familje të cilët janë pyetur nga policia, por deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni për ngjarjen. Hetimet për këtë ngjarje janë orientuar për veprën penale vrasje me dashje, ndërsa po punohet për identifikimin e autorëve.