Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Sarandë ka shembur ditën e sotme (e martë, 14 Janar), lokalin “Unico Lounge” në Ksamil, pasi ishte ndërtuar pa leje.
Lokali ishte në administratimin e vëllezërve Sulejmani, të cilët punojnë si efektivë të Policisë së Sarandës.
Këta të fundit u përfshinë në një sherr të dhunshëm dhe të armatosur në orët e para të mëngjesit të 2 Janarit ë fshatin Gjashtë të Sarandës, ku dhunuan dy vëllezërit Enea dhe Albion Nexhipi.
Deri më tani, nuk ka detaje nëse objekti ishte në pronësi apo i marrë në qera nga vëllezërit. Autoritetet nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për planet e mëtejshme apo për kriteret që po ndiqen në këtë aksion.
Çfarë ndodhi më 2 Janar në Sarandë?
Ngjarja u shënua rreth orës 01:30 të 2 janarit, pranë një restoranti. Në videon e publikuar nga mediat dukej që një person ishte i veshur dhe me uniformën e policisë, ndërsa policia informoi se efektivi Alvaro Sulejmani përdori dhe armën e shërbimit.
I gjithë sherri i ndodhur në orët e para të mëngjesit është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Sipas dëshmive, dy vëllezërit Enea Nexhipi dhe Albion Nexhipi drejtonin një biznes të makinave me qira. Polici Alvaro Sulejmani i kishte një borxh lidhur me një makinë që u kishte marrë.
Ai u shkoi te shtëpia e vëllezërve Nexhipi pas mesnate së bashku me 10 veta të tjerë duke dhunuar dhe gjuajtur me sende të forta. Gjithashtu ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri.
Dy vëllezërit Albion dhe Enea Nexhipi janë dëmtuar me sende të forta por janë jashtë rrezikut për jetën informoi policia një ditë më pas, ndërsa arrestoi 4 punonjës policie, më konkretisht Alvaro Sulejmanin dhe 2 vëllezërit Inklid dhe Mihal Suljmani si dhe Ergis Sulejmani kushëri i tyre.
Në pranga u vunë dhe 4 shtetas të tjerë ndërsa dy të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim.
Punonjës policie:
Alvaro Sulejmani
Inklid Sulejmani
Mihal Sulejamni
Ergis Sulejmani
Shtetas:
Kejvi Sulejmani
Shemsho Sulejmani
Delars Duka
Kristjan Xhaferri
Të ndjekur në gjendje të lirë:
Enea Nexhipi,
Albion Nexhipi
Të shpallur në kërkim:
Igli Duka
Beqir Çoçka