BallinaKultureÇelnik Meko, shembull i shquar i punës

Çelnik Meko, shembull i shquar i punës

spot_img

Nga Istref Haxhillari
Mësues Çelua që shihni në këtë foto nuk jeton, po emri i tij ndrit si xixëllonjë në kujtesën e qindra njerëzve që e njohën nga afër, e brezave që mësoi dhe edukoi me pasion të pashtershëm e atdhetarizëm konstant, që mbeti model i punës e thjeshtësisë, frymëzimit e angazhimeve shoqërore mes atyre që e njihnin nga rrëza e Malit të Thatë deri përtej Gurit të Kamjes, nga Korça deri në Pogradec. Çelnik Meko i përket plejadës së nderit të mësuesve tejet të përkushtuar.

U lind më 10 Korrik 1953, në fshatin Pretushë, Pogradec. Ishte fëmija i dytë dhe djali i parë i çiftit Feim e Hamide Meko, të cilët zgjodhën emrin Çelnik, bekim për jetëgjatësi, siç ëndërrojnë gjithnjë prindërit. Fëmijë i dashur, plot virtyte dhe shpresë për çiftin Meko, gjallëroi jetën familjare me çapkënllëqet dhe ëmbëlsinë e moshës.

Pasi mbaroi arsimin 8 vjeçar në Çërravë, vijon shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, ku diplomohet me rezultate shumë të mira. Fillon punë në fshatin Rrajcë – Skënderbe në rrethin e Librazhdit. I përgatitur më së miri, i palodhur me shpirt të madh zgjoi ëndrrat e vogëlushëve, krijoi figurën e mësuesit të respektuar, ndaj të vegjël e të mëdhenj e thërrisnin “Mësues Çelo”. Kështu do ta njihnin sa e sa breza kudo që ai ofroi dritën e diturisë.

Pasi kryen shërbimin ushtarak në Vorë të Tiranës kthehet mësues në fshatin Dërdushë të Gorës. Tashmë me përvojë në mësimdhënie dhe marrëdhënie me nxënësit e të rriturit, konsolidoi profilin e mësuesit të ri, të aftë e të dashur për gjithkënd. Investohet për familjen, komunitetin dhe të gjithë ata që donin ta shihnin jetën si sfidë. Asnjëherë nuk ra në pesimizëm, por energjik, i çiltër e i aftë profesionalisht, ngjallte entuziazëm se jeta është e bukur, duhet jetuar pa iu nënshtruar fatit dhe çastit, por të nesërmes, perspektivës.

Në vendlindje, fshatin Pretushë, edukoi disa breza me virtyte të larta njerëzore, duke u bërë model dhe frymëzim për vogëlushët që aso kohe mezi prisnin orën e mësimit.

“Ne jemi drita xixëlluese e së ardhmes për brezat,”- ishte motivi dhe emblema e punës pedagogjike të Çelnik Mekos.

“Më shumë se fjalët, flisnin sytë e tij, kurse shprehja e çiltër e fytyrës rrezatonte dashuri për dëgjuesit e vegjël” – kujton ish shefi i arsimit Istref Haxhillari në një nga kontrollet në orën e tij të mësimit.

Pa qenë anëtar partie, gati një dekadë punoi vullnetarisht kryetar i këshillit popullor të fshatit të tij, duke u angazhuar më shumë se kushdo që “Pretusha të ishte fshat i traditës dhe jetës”. Luftoi gjer në fund me burokracinë e kohës, që vendlindja e tij së paku të furnizohej me ujë të pijshëm. Realizimi i këtij objektivi madhor ishte kurorëzim i përpjekjeve serioze të një njeriu të mençur në kushtet e sistemi ku ideologjia ishte fantazmë e jetë së përditshme. Si pushtetar lokal ndodhej kurdoherë pranë njerëzve dhe halleve të tyre, dëgjonte me vëmendje problemet e shqetësimet dhe rrekej të gjente shanset e kufizuara të atyre viteve. U dallua për aftësi menaxhimi dhe tolerancë qeverisëse, shmangu persekutimet, duke mos lejuar asnjë dënim politik si kryetar këshilli me moton se “çdo jetë ke vlerën e vet”. Si mësues, organizator këmbëngulës, orator, intelektual idealist dhe motivues i njerëzores, u bë fytyra e dashur e fshatit të vet.

Pas ndryshimeve politike të viteve 90’, në përpjekje për t’i shërbyer familjes së vet, emigroi në Itali. Qyteti i Torinos u bë shtëpia e dytë dhe vendprehja e Tij, pasi humbi jetën nga Kovid 19, më 26 Mars 2020. Nuk pati fatin ta festonte 70-vjetorin e lindjes, duke ua lënë këtë barrë tejet të dhimbshme familjes, miqve, shokëve. Emri i tij sot jeton te bashkëshortja, Përparimja, dy fëmijët Eliona dhe Erinel Meko, te nipërit e mbesa. Për të gjithë sa e njohën Çelua u kthye në kujtim vezullues që i nxit ta duan jetën, ta çmojmë magjinë e saj, gjithmonë “të palodhur dhe të mirë me njëri-tjetrin” siç thoshte ai.

Jeta e njeriut nuk matet nga vitet, por nga shembulli që le pas. Si i tillë kujtim i Çelnik Mekos do të mbetet i gjallë, frymëzim e dashuri në mos-harresë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular