BallinaBotaI emëruari i Trump për CIA-n: Agjencia e spiunazhit nuk është në...

I emëruari i Trump për CIA-n: Agjencia e spiunazhit nuk është në pozitat e duhura

spot_img

John Ratcliffe, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Zbulimit, CIA, u tha senatorëve gjatës seancës së konfirmimit të mërkurën, se agjencia kryesore e spiunazhit duhet të bëjë një punë më të mirë për t’u dalë përpara kërcënimeve globale që vijnë nga Rusia, Kina dhe vende të tjera kundërshtare.

Ish Drejtor i Zbulimit Kombëtar gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, ish ligjvënësi John Ratcliffe, u tha senatorëve se nëse konfirmohet në postin e drejtorit të CIA-s, agjencia e zbulimit do të bënte më shumë për të shfrytëzuar teknologji si inteligjenca artificiale dhe kompjuterët kuantikë ndërsa do të zgjeronte aftësitë e agjencisë për të mbledhur më shumë të dhëna nga burimet njerëzore.

“Ne nuk jemi aty ku supozohet të jemi”, i tha Ratcliffe Komisionit të Senatit për Zbulimin.

Ratcliffe tha se ai e sheh Kinën si rivalin më të madh gjeopolitik të Amerikës, me Rusinë, Iranin, Korenë e Veriut dhe kartelet e drogës, bandat e hakerave dhe organizatat terroriste që paraqesin gjithashtu sfida për sigurinë kombëtare.

Ndërsa ligjvënësit republikanë e vlerësuan përvojën e zotit Ratcliffe, demokratët dhe një senator i pavarur u shprehën me tone skepticizmi. Ata e pyetën zotin Ratcliffe nëse besnikëria e tij ndaj zotit Trump do të binte ndesh me detyrat e tij për të ndjekur të dhënat e zbulimit pavarësisht se ku e çojnë. Ratcliffe i siguroi ligjvënësit se misioni i CIA-s do të ishte në plan të parë.

“A do të impononi ju ose ndonjë nga stafi juaj një provë lakmusi politik për punonjësit e CIA-s?”, shtroi pyetjen Senatori i pavarur Angus King, i cili përfaqëson shtetin Mein. “Jo”, ishte përgjigja e Ratcliffe.

Ratcliffe u tha ligjvënësve se ai e mbështet Ligjin për Përgjimet e Zbulimit të Jashtëm, si një program që i lejon autoritetet të mbledhin të dhëna zbulimi të komunikimeve të jo-amerikanëve që ndodhen jashtë Shteteve të Bashkuara. Nëse këta individë komunikojnë me amerikanët, bisedat e regjistruara mund të fshihen, një fakt që ka ngritur pikëpyetje lidhur me shkeljen e të drejtave personale.

Ratcliffe tha se rregullat në fuqi janë hartuar për të siguruar mbrojtjen e privatësisë së amerikanëve. Nuk është i përkryer, tha zoti Ratcliffe për ligjin por: “Është kritik dhe i domosdoshëm”.

Një ish prokuror federal, Ratcliffe ka shërbyer gjithashtu në Kongresin amerikan si përfaqësues i një zone të Teksasit. Ai ishte një mbrojtës i ashpër i Presidentit Trump gjatë procedurave të para për hapjen e procesit të shkarkimit të tij në Dhomën e Përfaqësuesve.

Pas seancës prej dy orësh me pyetje për zotin Ratcliffe, komisioni i vazhdoi punimet me dyer të mbyllura për të diskutuar çështje të ndjeshme ose të fshehta të zbulimit.

Seanca dëgjimore është pjesë e një maratone njëjavore, ndërsa Senati i udhëhequr nga republikanët nxiton konfirmimin e figurave kyçe të kabinetit të ri qeveritar nga Senati i plotë përpara ditës së hënë, kur zoti Trump bën betimin si presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara.

Trump dhe republikanë të tjerë e kanë kritikuar punën e CIA-s dhe agjencive të tjera të zbulimit, duke thënë se është përqendruar shumë në çështje si ndryshimet klimatike ose larmia e punonjësve.

Kryetari i komisionit, Senatori Tom Cotton, i cili përfaqëson shtetin Arkansas, përmendi rastin e fundit në Nju Orleans si një shembull të një sulmi vdekjeprurës që ndodhi pa asnjë paralajmërim nga organet e zbulimit.

“Në këto kohë të rrezikshme, agjencitë tona të zbulimit nuk kanë parashikuar ngjarje të mëdha apo nuk kanë zbuluar sulme të mundshme”, tha ligjvënësi Cotton gjatë seancës dëgjimore të mërkurën. “Mund të jap shembuj të tjerë, por mjafton të themi se shumë shpesh jemi në errësirë…..CIA ka neglizhuar misionin e saj kryesor”.

Thirrjet për ndryshime gjithëpërfshirëse i kanë shqetësuar disa zyrtarë aktualë të zbulimit dhe disa që kanë punuar në këtë fushë në të kaluarën, të cilët thonë se ndryshimet mund ta bëjnë vendin më pak të sigurt.

Nëse miratohet, zoti Ratcliffe do të zëvendësojë drejtorin në largim të CIA-s, William Burns. Ai do të bëhej drejtori i parë i Agjencisë Qendrore të Zbulimit që ka drejtuar më parë Zbulimin Kombëtar./VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular