Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) organizoi më 15 janar 2025, një prononcim për median, ku trajtoi çështjen e rritjes së përpjekjeve për mashtrime online të cilat përdorin të dhënat personale dhe bankare për të kryer veprime në internet.
Si funksionojnë këto mashtrime?
Sipas informacionit nga bankat, janë identifikuar tre forma kryesore përpjekjesh për të mashtruar mbajtësit e një karte apo llogarie bankare:
- Oferta joshëse nga tregtarë të rremë, duke përdorur edhe emra të mirënjohur tregtarësh për të fituar besimin e qytetarëve.
- Faqe tregtare të rreme, të cilat paraqiten sikur ofrojnë oferta apo shërbime të vërteta.
- Njoftime që premtojnë përfitime financiare, si p.sh. fonde falas nëse je mbi një moshë të caktuar për t’i shpenzuar te njësia tregtare (këto raste publikohen më shumë në internet, në rrjetet sociale), të ka ardhur një pako por mungon informacioni i adresës, ose mesazhe telefonike (kryesisht SMS ose iMessage) për pako të mbërritura në emrin tënd për të cilën duhet të kryhet pagesë me kartë online në një faqe të rremë.
Këto përpjekje mashtruese realizohen kryesisht përmes SMS-ve, email-eve dhe rrjeteve sociale, duke u kërkuar qytetarëve të ndjekin linqe të dyshimta. Nëse linqet ndiqen, mashtruesit kërkojnë të dhëna personale dhe të dhëna sigurie, si kode, PIN etj., duke realizuar transaksione të paligjshme në favor të llogarive të tyre. Në rast të mashtrimit, të vidhen të dhënat personale dhe ato të kartës bankare, plus dëmi financiar sepse transaksioni në para realizohet me sukses. Fatkeqësisht, ka pasur raste të raportuara ku individë kanë rënë pre e këtyre skemave mashtruese.
Masat parandaluese të sugjeruara
Për të mbrojtur veten nga këto mashtrime, AAB dhe bankat anëtare i këshillojnë qytetarët të ndjekin këto udhëzime:
- Fshini çdo mesazh apo email të ardhur nga burime të dyshimta që ju kërkon të klikoni në linqe ose të bëni telefonata në numra të treguar në tekst.
- Mos tregoni asnjë kuriozitet për të provuar se çfarë mund të jenë këto njoftime joshëse ose që ju kërkojnë të kryeni një veprim me urgjencë.
- Mos iu përgjigjni teksteve që duket se janë nga një institucion financiar ose shitës që ju kërkojnë të përditësoni informacionin e llogarisë tuaj ose të jepni informacione personale.
- Në asnjë rast banka nuk do t’ju kërkojë të dhënat personale bankare, si numrin e kartës, PIN, kode sekrete ose fjalëkalime. Në qoftë se ju kërkohen këto të dhëna nëpërmjet email-it, sms ose telefonatave, me shumë mundësi është një përpjekje mashtrimi.
- Kryeni pagesa online vetëm në dyqanet dhe tregtarët e besueshëm, pasi të keni verifikuar faqen e tyre zyrtare në internet dhe në qoftë se keni kryer më përpara një blerje të suksesshme.
- Njoftoni menjëherë bankën tuaj për të gjurmuar burimin e mesazhit dhe marë masa për të bllokuar dërguesin.
- Në rast se keni kryer një transaksion të tillë, pra jeni mashtruar, duhet patjetër të kontaktoni menjëherë bankën që të ndryshoni menjëherë kartën dhe elementët e tjerë të sigurisë së qasjes dhe veprimit në llogari.
Bankat anëtare të AAB-së kanë ndërmarrë hapa konkretë për të informuar dhe mbrojtur klientët duke publikuar njoftime për ndërgjegjësim në rrjetet sociale dhe ATM-të dhe përmirësuar sistemet e sigurisë për të parandaluar këto mashtrime. AAB ka intensifikuar bashkëpunimin me institucionet përkatëse për të ndjekur dhe adresuar këto raste mashtrimi. Ky bashkëpunim institucional së bashku me ndërgjegjësimin e klientëve bankarë, është i nevojshëm për të eliminuar rreziqet dhe rritur sigurinë financiare të qytetarëve.
Ftojmë çdo mbajtës të një llogarie apo karte bankare të jetë i vëmendshëm dhe të kontaktojë menjëherë bankën në rast të dyshimeve për mashtrim.