Vazhdon situata e rrezikshme nga zjarret në Los Angeles të SHBA-ve.
Deri më tani autoritetet kanë konfirmuar 25 viktima, ndërkohë që mijëra banesa janë shkrumbuar.
Numri i të vdekurve si pasojë e zjarreve ka të ngjarë të rritet, sipas sherifit të Los Angeles, Robert Luna.
Ai tha se 30 persona rezultojnë të zhdukur. Disa persona, për të cilët më herët u tha se ishin zhdukur, janë gjetur tashmë.
Autoritetet u kanë dhënë urdhër 90 mijë personave të largohen nga shtëpitë e tyre që ndodhen në zonat e rrezikshme.
Shifra është rreth gjysma e atyre që ndikua nga urdhrat për evakuim javën që lamë pas.
Mediat e huaja raportojnë se miliona banorë të pjesës jugore të Kalifornisë po përballen me një situatë të re të rrezikshme, pasi era e fortë po përhap flakët e zjarrit me shpejtësi.
Autoritetet lëshuan sot një paralajmërim të rrallë për kushte “moti jashtëzakonisht ekstreme dhe kërcënuese për jetën”, që prek zonën pranë dy vatrave të mëdha zjarri që vazhdojnë të digjen në Los Angeles.
Një vatër e madhe zjarri që po digjet në pjesën veriore të Los Angeles në Altadena dhe një tjetër që ka shkatërruar pjesën më të madhe të lagjes bregdetare Pacific Palisades, po në Los Angeles, vazhdojnë të jenë dy zjarret më të fuqishëm.
Më shumë se 77,000 familje janë aktualisht pa energji elektrike. Autoritetet janë detyruar ta ndërpresin energjinë me qëllimin që rrjeti elektrik të mos bëhet shkak për nxitjen e vatrave të reja të zjarrit.
Sakaq autoritetet nuk kanë përcaktuar ende shkakun e zjarreve të mëdha.
Aktualisht dy janë vatrat më të mëdha ajo në pjesën veriore të Los Angeles në Altadena si dhe zjarri në lagjen Pacific Palisades.
Autoritetet kanë arritur të vënë nën kontroll 1/3 ose 33 për qind të zjarrit që vazhdon të digjet pranë Pasadenës, ndërsa zjarri më i madh, që ka prekur zonën pranë oqeanit Paqësor, ishte shumë më pak nën kontroll.