Dy muaj nga vdekja tragjike e 14 vjeçarit Martin Cani janë shënuar ditën e sotme. Një marshim është mbajtur për 14 vjeçarin, i cili u vra nga një bashkëmoshatar me thikë në ambientet shumë pranë shkollës.
Prindërit e viktimës, Angel dhe Florina Cani morën pjesë në protestën e zhvilluar për djalin e tyre, nga ku bërën thirrje për drejtësi.
Ata shprehen se institucionet nuk kanë reaguar prej dy muajsh që kur ndodhi rasti tragjik, e se heshtja po i vret më shumë dita-ditës.
Të dëshpëruar ata thonë se nuk arrinë të flenë dot, për shkak të traumës së madhe.
I ati: Heshtja vret më shumë se gjithçka. Kemi dy muaj që e përjetojmë këtë dramë të madhe dhe nuk kemi asnjë reagim as nga Prokuroria, as nga shkolla, as nga shëndetësia sepse Martini bëri xhiron e madhe të Tiranës duke e dërguar në spitalin ushtarak, që nuk kishte asnjë lloj mjeti asnjë lloj makinerie për t’i mbajtur zemrën atij, që ta evidentonin këtë tragjedi të madhe që kemi përjetuar e po përjetojmë. U bëj thirrje gjithë fëmijëve shqiptarëve të bashkohen për kauzën, sot ishte fëmija im, nesër mund të jetë fëmija i dikujt tjetër, të bashkohemi, të jemi gjithmonë të bashkuar në këtë kauzë. Më shumë se fëmija… fëmija besoj është mbi të gjitha. Nuk flemë gjumë, kemi traumë shumë të madhe, nuk di si të shprehem. U bëj thirrje gjithë prindërve, institucioneve, shëndetësisë, sepse na ka kapur frika.
Vetëm një herë që kam shkuar tek Prokuroria, që u takova me prokurorin, më tha që do të shkëmbenin në fund, por heshtja vret më shumë, heshtja është shumë e madhe. Kaluan 2 muaj, edhe ajo nuk ishte një grup i strukturuar kriminal, mund të zbardhej e brenda 3 ditëve.
Asnjë reagim, e vetmja gjë është që media e ka pasqyruar. Përgjigja e tyre është që i kemi dërguar në Prokurori, ne nuk kemi asnjë informacion.
E ëma: Ne kërkojmë vetëm drejtësi, vetëm drejtësi. Askush s’ më ka kontaktuar, e kam thënë e më përpara se s’dua të përsëris fjalët, por unë dua vetëm drejtësi.