BallinaEkonomiDhjetë prirjet e biznesit për vitin 2025 dhe parashikimet për 15 industri!...

Dhjetë prirjet e biznesit për vitin 2025 dhe parashikimet për 15 industri! The Economist: Ekonomitë europiane do të forcohen, por… Si do të ndikojnë tensionet gjeopolitike

spot_img

Një përmbledhje për botën nga The Economist Intelligence Unit

1.Ulja e inflacionit nxit bankat qendrore, duke përfshirë Rezervën Federale të Amerikës, që të ulin edhe më shumë normat e interesit dhe i shtyn konsumatorët që të shpenzojnë.

2.Shpenzimet për Teknologjinë e Informacionit janë rritur në 3.6 trilionë dollarë për shkak se kompanitë po përdorin Inteligjencën Artificiale. Rreth 30% e kompanive të mëdha amerikane investojnë 10 milionë dollarë ose më shumë në Inteligjencën Artificiale, nga 16% në vitin 2024.

3.Për sa u përket shqetësimeve të plakjes, rreth 12% e njerëzve në botë janë mbi 65 vjeç. Megjithatë, vetëm 10% e PBB-së globale shkon për kujdesin shëndetësor.

4.Qeveritë po ndjekin programe ekologjike. Po rritet përdorimi i energjisë elektrike, edhe pse karburantet fosile ende furnizojnë mbi katër të pestat e nevojave për energji.

5.Automjetet elektrike janë fitimprurëse për prodhuesit e makinave. Shitjet e tyre janë rritur me një të katërtën. Por mungesa e larmisë i shkurajon shumë blerës.

6.Linjat ajrore premtojnë të ulin emetimet e karbonit, ndërsa po blejnë avionë të rinj. Udhëtimet ndërkombëtare arritën në 1.6 miliardë këtë vit dhe turizmi është përgjegjës për 5-8% të të gjithë gazrave serë të lëshuara në atmosferë.

7.Tregjet e banesave kanë shqetësuar politikanët dhe rregullatorët. Çmimet e shtëpive janë përgjithësisht të larta, pavarësisht krizës së tregut kinez të banesave.

8.Politikat ekologjike kanë çuar në rritjen e çmimeve globale të metaleve me 7.5%. Është rritur kërkesa për çdo gjë, nga bateritë e makinave, te kabllot.

9.Falë synimeve mjedisore të qeverive, janë rritur shpenzimet e infrastrukturës në mbarë botën. Investimi fiks bruto ka arritur në pothuajse 28 trilionë dollarë, sa një e katërta e PBB-së globale.

10.Edhe transportuesit e mallrave duhet të ndjekin prirjet ekologjike: 40% e emetimeve të tyre janë shënjestruar nga sistemi i tregtisë së emetimeve i BE-së.

PBB-dhe-tregtia-1164

Edhe sikur në vitin 2025 nuk do të ketë konflikte të reja të mëdha, tensionet gjeopolitike do të rëndojnë mbi ekonominë globale. PBB-ja botërore do të rritet me vetëm 2.5%.

Ekonomitë europiane do të forcohen, por tregjet në zhvillim do të ngecin për shkak të pengesave tregtare, ndryshimeve klimatike dhe pengesave teknologjike.

Inflacioni dhe normat e interesit do të bien, por borxhi i lartë publik dhe buxhetet e mbrojtjes do të kufizojnë hapësirën e qeverive për të shpenzuar.

Tregu automobilistik

Pas ngecjes në vitin 2024, shitjet globale të makinave të reja do të rriten me 2% në vitin 2025. Shitjet e kamionëve të rinj do të përshpejtohen, duke u rritur me 4% falë modernizimit të infrastrukturës në tregjet në zhvillim.

Automjetet elektrike do të jenë shkëndija e vetme e tregut të makinave, duke u rritur me pothuajse një të katërtën. Për shkak të mungesës së larmisë dhe çmimeve të larta, blerësit po parapëlqejnë modelet pa prizë.

Do të vazhdojnë përpjekjet për të ulur emetimet e automjeteve, edhe pse janë të pakëndshme. Deri në vitin 2025, Norvegjia synon t’i bëjë të gjitha makinat e reja të llojit që nuk lëshojnë emetime.

Do të ishte vendi i parë që do ta bënte këtë, megjithëse në këtë synim nuk përfshihen furgonët. Australia, një vend që është vonuar në uljen e emetimeve, më në fund do të paraqesë standardet e efikasitetit të karburantit. Por edhe BE-ja ka pasur vonesa në zbatimin e standardeve të saj “Euro 7” deri në vitin 2028.

Megjithatë, makinat që punojnë me benzinë dhe naftë do të pakësohen ndjeshëm. Më shumë qytete do të vendosin zona me emetime zero. Stokholmi është qyteti i parë që ka ndaluar qarkullimin e automjeteve që lëshojnë sasi të mëdha gazrash me lëndë djegëse fosile në qendrën e qytetit.

Kina do të kapërcejë ambiciet e veta për energjinë elektrike, duke qenë përgjegjëse për gjysmën e shitjeve në botë. Prodhuesit e saj të automjeteve elektrike do të fitojnë edhe më tepër terren:

BYD, prodhuesi më i madh i automjeteve elektrike, synon të shesë 1 milion automjete jashtë Kinës, me ndihmën e fabrikave të reja në Brazil dhe Hungari. Kompania vietnameze VinFast do të shënjestrojë Indinë dhe Indonezinë.

Firmat perëndimore do të kundërpërgjigjen. Kompanitë Volkswagen dhe Tesla do të zhvillojnë versione më të lira plug-in. Por pengesat tarifore ndaj Kinës do të ndërlikojnë planet e makinave ekologjike.

Ndërsa zinxhirët e furnizimit po ndahen, prodhuesit e makinave do të ndërtojnë fabrika të reja për prodhimin e çipave dhe baterive për automjetet elektrike.

Mbrojtja

Luftërat në Ukrainë, Liban dhe Gaza, do të rrisin kërkesën për armë, por shpenzimet e mbrojtjes do të shpërndahen në mënyrë të pabarabartë. Amerika, shpenzuesi më i madh, do të rrisë buxhetin ushtarak me 4%, duke arritur në 884 miliardë dollarë. Kina, shpenzuesi i dytë më i madh, do të rrisë shpenzimet edhe më shpejt.

NATO do të debatojë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 2.5% të PBB-së, edhe pse ndërkohë, një në tre anëtarë nuk e ka arritur ende synimin e tanishëm prej 2%.

Aleanca do të hartojë një strategji të gjerë për t’iu kundërvënë Rusisë dhe do t’i japë Ukrainës 43 miliardë dollarë për të luftuar. Por Gjermania planifikon të përgjysmojë shpenzimet e saj për Ukrainën, për të kursyer para.

E shqetësuar se zotimi i Amerikës ndaj NATO-s do të zbehet, BE-ja do të rrisë prodhimin e predhave. Ndërkohë, pjesa më e madhe e pajisjeve ruse të epokës sovjetike, do të jenë të padobishme diku nga mesi i vitit 2025. Amerika do të mbështesë Izraelin, pavarësisht disa dyshimeve në vend.

Marina e Kinës do të vazhdojë përleshjet në ujërat aziatike, tashmë e pajisur me nëndetëse të reja me naftë. Filipinet do të përgjigjen duke rritur shpenzimet e mbrojtjes.

Australia do të rrisë numrin e trupave ushtarake duke u ofruar banorëve të huaj shtetësi për regjistrim në ushtri. Japonia do të bëjë gati dronë të rinj dhe Amerika do të përgatisë raketën e saj hipersonike, që fluturon me shpejtësi 6,115 km/h.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Tensionet globale mund të rriten, por forcat ajrore të Amerikës do të ndalojnë përdorimin e 250 avionëve të vjetër në vitin 2025, duke mbetur me më pak se 5,000 avionë. Do të përdoren modele të reja, si avioni stealth F-35, nëse defektet e tij mund të rregullohen.

Energjia

Konsumi i energjisë do të rritet me 2% duke arritur një rekord prej 14.5 trilionë tonë naftë në vitin 2025. Lëndët djegëse fosile do të sigurojnë mbi 80% të energjisë, duke rritur emetimet e karbonit me 1.7 herë që nga nivelet e vitit 1990.

Përdorimi i qymyrit do të pakësohet në Europë dhe në Amerikën e Veriut, por India dhe Rusia do të vazhdojnë përdorimin në masë. Konsumi i qymyrit në Kinë do t’i afrohet kulmit.

Cmimi-Brent-i-naftes-bruto-1164

Do të digjet edhe më shumë naftë. Shtetet e grupit OPEC+ do të vazhdojnë të ulin prodhimin e naftës për të mbajtur çmimet e treguesit Brent në rreth 77 dollarë për fuçi në vitin 2025, megjithëse do të rritet prodhimi i naftës jashtë vendeve të grupit OPEC (kryesisht nga Amerika). BE-ja do të vazhdojë të shkëputet nga nafta ruse, pasi Republika Çeke do të marrë furnizime nga Italia me tubacion.

Vendet baltike do të shkëputen nga rrjeti elektrik i Rusisë, por gazi rus do të vazhdojë të rrjedhë në Europë, kryesisht përmes Bullgarisë.

Energjia e gjelbër do të lulëzojë. Burimet e ripërtëritshme (përfshirë hidrocentralet) do të përbëjnë 14% të furnizimit global. Era dhe dielli do të mundësojnë një të gjashtën e të gjithë energjisë elektrike.

Në qytetin indian Gujarat, do të ndërtohet një fermë e madhe diellore që do të furnizojë 4% të energjisë së Indisë.

Zambia do të ndërtojë dhjetëra minirrjete diellore për t’u shërbyer fshatrave periferike. Teksasi do të fillojë ndërtimin e impiantit të parë gjeotermik të lidhur me rrjetin. Kina, India, Koreja e Jugut dhe Turqia do të ndezin reaktorët bërthamorë (pa karbon), duke e çuar totalin global në 447.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Kina do të tejkalojë një synim mbarëkombëtar për të prodhuar më shumë se 200,000 tonë hidrogjen të gjelbër.

Mongolia e Brendshme dhe Gansu, dy rajone në veri dhe veriperëndim të vendit, do të shumëfishojnë prodhimin sepse do të nevojiten tubacione të reja për të transportuar karburantin në lindjen e populluar të Kinës.

Shërbimet financiare

Bankat do të lobojnë te rregullatorët në vitin 2025. Bankat amerikane, të kujdesshme ndaj rënies së normave të interesit, do t’i bëjnë ballë trysnisë për të rritur rezervat e kapitalit.

Kjo mund të nxisë protesta nga rivalët e tyre në BE, por bankat e Azisë do të jenë më të sigurta. Rregullatorët do të ndjekin me shqetësim kreditë për pronat komerciale, duke pasur parasysh rritjen e punës në distancë dhe asaj hibride.

Kreditë bankare globale do të rriten me 7%, duke arritur në 112 trilionë dollarë.

Ndryshimet klimatike do të dëmtojnë fitimet e kompanive të sigurimit. Megjithatë, Swiss Re, një kompani e madhe sigurimi, parashikon se industria do të rritet me shpejtësi, konkretisht ajo e sigurimit të jetës do të arrijë në 3.1 trilionë dollarë dhe sigurimet e llojit tjetër do të arrijnë në 4.8 trilionë dollarë. Rregullat për mjedisin do të shtrëngohen në shumë shtete. Kompanitë e BE-së do të nxjerrin raportet e para të qëndrueshmërisë.

Paraja e thatë nuk është më mbret: bota do të ketë 2 miliardë karta krediti, por vetëm 3 milionë bankomate në vitin 2025. Do të vazhdojë dixhitalizimi:

Filipinet do të lejojnë banka të reja dixhitale. Banka BBVA e Spanjës do të hapë një degë në Gjermani. Brazili do të vazhdojë me monedhën dixhitale të bankës qendrore.

BE-ja do të vendosë nëse do të prodhojë një euro dixhitale. Dollari amerikan do të vazhdojë të mbizotërojë tregjet monetare, duke sfiduar përpjekjet e Kinës për të zgjeruar përdorimin e huaj të monedhës së saj juan.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Pavarësisht Brexit, LCH-ja në Londër ende përpunon rreth 95% të këmbimeve të normave të interesit që kryhen në euro dhe pjesën më të madhe të atyre që kryhen në dollarë. BE-ja do të donte që investitorët të kalonin te rivalët si Eurex i Gjermanisë. Por kjo është ende e vështirë.

Ushqimi dhe bujqësia

Shumica e mallrave ushqimore do të bëhen më të lira në vitin 2025 me rritjen e furnizimeve. Treguesi i ushqimeve dhe pijeve i EIU-së do të bjerë 25% nën kulmin e vitit 2022.

Pijet dhe sheqeri do të kenë rënien më të madhe të çmimeve, ndërsa çmimet e farave vajore dhe të drithërave, do të mbeten më të qëndrueshme.

Rryma klimatike La Niña do të dëmtojë të korrat në Amerikë dhe do të ndihmojë ato në Azi. Prodhimi i grurit do të rimëkëmbet pavarësisht krizës në Ukrainë, e cila është një prodhues kryesor.

India do të lehtësojë kufizimet e eksporteve të orizit me rënien e çmimeve globale. Edhe çmimet e kakaos, të cilat janë rritur gjatë dy viteve të fundit, do të ulen me një të katërtën, duke kënaqur adhuruesit e çokollatës.

Cmimet-globale-te-ushqimeve-1164

Prodhuesit e vajit të palmës dhe tregjet e kafesë do të kenë një vit shtesë për t’u përgatitur për rregullat e shpyllëzimit të BE-së, ashtu siç prodhuesit amerikanë të pijeve po shtyjnë për më vonë rregullat për përdorimin e plastikës. Por rregullat e reja të BE-së do të nxisin kompostimin e ushqimit dhe riciklimin e plastikës.

Kina do të vendosë kufizime mbi aditivët ushqimorë, ndërsa Japonia për paketimin e ushqimit. Britania do të rrisë stimujt financiarë për bujqësinë e qëndrueshme.

Por financimi për një plan global të biodiversitetit, nuk do të arrijë të bëhet realitet. Do të përhapen më tepër taksat për duhanin, alkoolin, yndyrën dhe sheqerin. Gjermania madje mund të vendosë një të tillë për mishin.

Konsumatorët në të gjithë globin do të shpenzojnë 11.5 trilionë dollarë për ushqim, gati 6% më shumë se në vitin 2024. Ata do të hanë më shumë peshk dhe mish, pavarësisht rritjes së shitjeve të ushqimeve vegane.

Por edhe ndërsa shitjet e ushqimit rriten, fitimet e kompanive ushqimore do të bien. Unilever do të shkurtojë 7500 vende pune dhe Danone do të ndryshojë strategjinë.

Kujdesi shëndetësor

Sistemet e kujdesit shëndetësor do të tendosen edhe më tepër në vitin 2025 pasi popullsia po plaket dhe stafi mungon. Gati 12% e popullsisë së botës do të jetë mbi moshën 65 vjeç.

Megjithatë, vetëm 10% e PBB-së globale do të shpenzohet për shëndetin, nga 11% gjatë pandemisë Covid-19. Shpenzimet në mbarë botën do të arrijnë në 11 trilionë dollarë, gati gjysma e tyre në Amerikë.

Shpenzimet e detyrueshme do të tejkalojnë ato vullnetare, ndërsa vendet zgjerojnë sigurimin e shëndetit publik. Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i detyrojnë emigrantët të paguajnë sigurime.

Kina do të punojë për të përmirësuar spitalet dhe klinikat e saj publike. Megjithatë, synimi i vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për të shtrirë kujdesin shëndetësor universal në 1 miliard më shumë njerëz në mbarë botën nuk do të arrihet dot.

Planet e Nigerisë për një sistem universal do të lëkunden.

Qeveria e Indisë nuk do të arrijë synimin e shpenzimeve në shëndetësi. Amerika do të debatojë për koston e subvencioneve të sistemit shëndetësor Obamacare, ndërsa ai po skadon.

OBSH-ja do të nisë planin e saj katërvjeçar, duke u përqendruar në ndryshimin e klimës. Ndërsa po shtohen vdekjet nga moti i skajshëm, qeveritë do të investojnë në sisteme paralajmërimi.

Prodhuesit e makinave në Amerikë do të shtojnë alarme për ngrohjen e makinave. Alarmi për sëmundjet infektive do t’i shtyjë qeveritë të nënshkruajnë një traktat mbi pandeminë, që është vonuar. Numri i barnave të obezitetit do të rritet ndërsa Kina dhe India po prodhojnë versione më të lira.

Kompania Novo Nordisk do të investojë në trajtimet e zemrës. Me shfaqjen e terapive të shtrenjta, shitjet e përgjithshme të barnave do të rriten në 1.7 trilionë dollarë.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Vaksinat do të shtohen në vitin 2025. Firma Bavaria Nordic do të prodhojë 10 milionë vaksina kundër lisë.

Shkencëtarët do të vënë në provë një vaksinë kundër gripit të shpendëve dhe një vaksinë gjithëpërfshirëse për koronaviruset. Mund të fillojë edhe përdorimi i vaksinave kundër kancerit.

Infrastruktura

Politikat ekologjike do të nxisin ndërtimet në vitin 2025. Investimet fikse bruto do të rriten me 6%, duke arritur në 28 trilionë dollarë (rreth 25% e PBB-së botërore). Gati një e pesta do të investohen në Amerikë, ku subvencionet e administratës Biden do të nxisin shpenzimet. Europa dhe Kina do të investojnë shumë në infrastrukturën e gjelbër dhe rrjetet dixhitale.

Paratë do të vijnë nga qeveritë, fondet e pensioneve dhe fondet e pasurisë sovrane, si dhe nga kompanitë private. Shumë do të ofrohen për energjinë e ripërtëritshme.

Kjo nga ana tjetër do të mbështesë dixhitalizimin, megjithëse rritja e qendrave të të dhënave do të tendosë rrjetet e energjisë. Rrjetet e telekomunikacionit 5G gjithashtu do të zgjerohen në mënyrë të përshkallëzuar.

Infrastruktura e transportit do të bëhet ekologjike më me vonesë. Në Europë do të lulëzojnë hekurudhat, me ndërtimin e një treni nate nga Brukseli në Venecia dhe nisje të reja nga Amsterdami. Europa Lindore, e varur shumë nga avionët, do të përfitojë nga një lidhje e drejtpërdrejtë hekurudhore Budapest-Beograd.

India do të ndërtojë rrugë të reja, duke shtuar rreth 13,000 km në vit deri në mars 2026. Kina do të zgjerojë portet në Afrikë dhe do të hapë një të ri në Peru, duke mbështetur rrugët tregtare dhe fuqinë e saj ushtarake.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Problemet e ndërtimit. Luftërat dhe sabotimet në internet do të kërcënojnë planet e infrastrukturës në vitin 2025.

Biznese-teknologji-1154

Pasojat nga lufta Gaza-Izrael do të rrezikojnë termocentralet dhe kanalin e Suezit. OKB-ja do të nxisë një traktat për krimin kibernetik, pasi rreziqet po shumëfishohen. Në vitin 2025 do të ndodhin qindra miliona sulme kibernetike mbi infrastrukturën jetike.

Teknologjia e Informacionit

Mania për Inteligjencën Artificiale do të rrisë shpenzimet për Teknologjinë e Informacionit, duke u rritur me 8%, në 3.6 trilionë dollarë në vitin 2025, megjithëse jo aq shpejt sa gjatë pandemisë në vitin 2021, kur u rrit me 14%.

Do të shtohen investimet dhe të ardhurat në qendrat e të dhënave ndërsa më shumë kompani përpiqen të shfrytëzojnë ChatGPT dhe modele të tjera të Inteligjencës Artificiale.

Në Amerikë, rreth 30% e bizneseve do të investojnë 10 milionë dollarë ose më shumë në Inteligjencën Artificiale, nga 16% në vitin 2024. Apple do të paraqesë Apple Intelligence, për përdoruesit e celularëve iPhone.

Disa nga manitë e investimeve mund të jenë thjesht të çmendura. Gartner, një firmë këshillimore, parashikon se 30% e projekteve të Inteligjencës Artificiale nuk do të kalojnë fazën e “provës” për shkak të kostove të frikshme dhe fitimeve të pasigurta. Edhe skemat nuk do të justifikojnë gjithmonë zhurmën.

Rregullatorët ndërkohë po këqyrin projektet e reja. Në vitin 2025, do të hyjnë në fuqi disa pjesë të Aktit të Inteligjencës Artificiale të BE-së. Bashkimi Afrikan do të përpiqet të krijojë një strategji të përbashkët të Inteligjencës Artificiale.

Do të ndizen rivalitetet për prodhimin e çipave. Kompania Nvidia, mbreti i Inteligjencës Artificiale, do të garojë me rivalët si Arm dhe Google. Qeveritë do të luftojnë për të tërhequr prodhimin e çipave në vendet e tyre, për të mbrojtur zinxhirët e furnizimit. Kompania tajvaneze TSMC shpreson të hapë fabrikën e saj të parë në Amerikë. Kompania amerikane Micron do të prodhojë çipat e parë në Indi.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Viti 2025 do të jetë Viti Ndërkombëtar i Shkencës dhe Teknologjisë Kuantike i OKB-së, duke shënuar një shekull që nga lindja e kësaj fushe.

Kompjuterët kuantikë mund të kryejnë operacione disa miliona herë më shpejt se makinat e sotme. Por rruga drejt përdorimit të gjerë të tyre do të jetë e ngadaltë.

PO SIKUR?

Shqetësimet se teknologjia do t’ua marrë vendet e punës njerëzve janë ringjallur me Inteligjencën Artificiale.

Deri tani, frika ka qenë e tepruar. Papunësia globale është e ulët. Në Amerikë, shkarkimet nga puna për shkak të Inteligjencës Artificiale në vitin deri në gusht 2024, arritën në vetëm 7,126, ose sa 1% e totalit, sipas firmës Challenger, Grey & Christmas.

Megjithatë, kompanitë thonë se shkurtimet e vendeve të punës po shtohen. Po sikur Inteligjenca Artificiale të shkaktojë një valë humbjesh pune?

Disa role me aftësi të ulëta, si agjentët e shërbimit ndaj klientit, mund të eliminohen. Klarna, një firmë financiare-teknologjike, thotë se asistenti i saj i ri dixhital mund të bëjë punën e 700 njerëzve. Punëtorët e aftë në fusha si financat dhe kodimi, mund të bëhen më produktivë me ndihmën e Inteligjencës Artificiale.

Profesionistët krijues si artistët e dublimit mund të përdorin zërat sintetikë, ndërsa në mediat sociale mund të përdoren avatarët dixhitalë. Nëse Inteligjenca Artificiale rrit produktivitetin e punëtorëve, të rinjtë mund ta kenë më të vështirë gjetjen e një vendi pune.

Njerëzit duhet të shpresojnë që Inteligjenca Artificiale të krijojë më shumë punë sesa të shkatërrojë.

Media dhe argëtimi

Do të ketë më pak evente të mëdha sportive. Viti 2025 do të jetë më pak emocionues për reklamuesit sesa viti 2024. Rritja e shpenzimeve globale të reklamave do të ngadalësohet në vitin 2025 në rreth 4%, sipas gjigantit të reklamave Dentsu. Shitjet e reklamave dixhitale do të rriten me ritmin më të ngadaltë që nga viti 2020.

Reklamuesit do t’u drejtohen mjeteve të tjera dixhitale. Mediat sociale, që janë vendimtare për reklamuesit, do të tërheqin vëmendjen e rregullatorëve. Ligjvënësit amerikanë do të vazhdojnë të luftojnë me TikTok-un e Kinës.

Malajzia do të bëjë që platforma të mëdha teknologjike të aplikojnë për licenca, duke shqetësuar avokatët e fjalës së lirë.

Televizioni kabllor do të jetë në grahmat e vdekjes. Në vitin 2025, 72% e të gjitha familjeve amerikane do ta kenë “prerë” kordonin e televizionit kabllor.

Zhdukja e tij është përshpejtuar për shkak të shfaqjes së reklamave në platformat e transmetimit online si Amazon Prime dhe Hulu. Zhdukja e kabllorit do të vuloset me humbjen e ekskluzivitetit për transmetimin e ndeshjeve të drejtpërdrejta të sportit.

Nga viti 2025, Amazon do të mbajë të drejtat për lojërat e Shoqatës Kombëtare të Basketbollit, për 11 vjet. Shfaqjet javore të World Wrestling Entertainment do të shkojnë në Netflix.

Transmetuesit online po dëmtojnë edhe kinemanë. Në vitin 2025, të ardhurat e kinemasë nuk do të rimëkëmben në nivelet para pandemike: Firma këshillimore PwC parashikon se ato do të arrijnë në 41 miliardë dollarë. Të ardhurat e kinemasë mund të shtohen falë filmave të rinj të shumëpritur si “Avatar 3” dhe seria e tetë e “Mission Impossible”, që u vonuan nga grevat e Hollivudit.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Disney ka pasur beteja ligjore në Indi. Por nëse rregullatorët pajtohen, ëndrrat e kompanisë do të realizohen në vitin 2025 kur krahu i saj indian të bashkohet me biznesin e transmetimit Reliance Industries, një gjigant vendas. Kompania e re do të ketë 750 milionë shikues indianë.

Metalet dhe minierat

Politikat ekologjike dhe ndërtimi do të rrisin çmimet e metaleve në vitin 2025, edhe pse çmimi i mallrave të tjera industriale do të bjerë. Treguesi i metaleve bazë të EIU-së do të rritet me 7.5%, duke arritur kulmin e vitit 2022.

Kërkesa për kabllo elektrike dhe bateri do të rrisë çmimet e bakrit. Investimet në infrastrukturë do të rrisin çmimet e çelikut, hekurit dhe aluminit dhe zinkut.

Do të rritet edhe kërkesa për kallaj, falë konsumit të elektronikës. Do të rritet gjithashtu kërkesa për ar, një strehë e sigurt në kohë të pasigurta dhe diamantet do të rifitojnë shkëlqimin e tyre.

Cmimet-e-metaleve-1164

Metalet e tjera nuk do të jenë kaq popullore. Kërkesa për nikel, kobalt dhe litium do të rritet ngadalë, ndërsa shitjet e automjeteve elektrike do të dobësohen dhe prodhuesit e makinave do të provojnë lloje të reja baterish. Çmimet e plumbit do të rriten me vështirësi, ndërsa ato të platinit dhe paladiumit do të bien.

Kompanitë minerare do t’i mbajnë investimet e qëndrueshme. Qeveritë e Amerikës Latine dhe Afrikës do të tërheqin më shumë investitorë. Ekuadori do të ofrojë leje minerare dhe kontrata për litiumin. Kontrolli i Kinës mbi mineralet e rralla të tokës do të nxisë një kërkim për alternativa, duke përfshirë nën det.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Eksplorimi i Arktikut do të marrë një kuptim të ri në vitin 2025, pasi Norvegjia do të nxjerrë në ankand për minierat disa pjesë të shtratit të saj verior të detit.

Investitorët po kërkojnë bakër, nikel dhe mangan. Norvegjia thotë se shtrati i detit mund të minohet në mënyrë të qëndrueshme. Protestuesit do të kundërshtojnë zhurmshëm.

Pronat

Rënia e normave të interesit do të forcojë tregjet e pronave në vitin 2025, megjithëse qendrat e qyteteve do të mbeten më të qeta se përpara pandemisë.

Dhënia me qira e zyrave do të rritet pasi më shumë punëdhënës po kërkojnë që të takohen me stafin disa ditë në javë. Dhënia me qira e magazinave do të bjerë pasi po ulet blerja e shitjeve me pakicë në internet.

Qytetet turistike do të jenë plot gjallëri, por ndërtimi i hoteleve do të jetë i ngadaltë, me përjashtim të Gjirit Persik dhe Indisë.

Hipotekat do të bëhen më të lira, por çmimet e banesave dhe qirave do të mbeten të papërballueshme për shumë njerëz. Qeveritë do të nxisin më shumë ndërtime, veçanërisht në Europë.

Britania ka në plan të sigurojë 1.5 milionë shtëpi të reja. Ndërtimi do të rimëkëmbet edhe në Holandë, ndërkohë që edhe tregu i shkatërruar i banesave në Spanjë duket se do të ndryshojë drejtim. Me më shumë banesa, numri mesatar i njerëzve për familje, do të ulet në 2.4 në Europë dhe 3.3 në mbarë botën.

Rregullatorët e bankave europiane do të analizojnë tregun e banesave për shenja të shfaqjes së flluskave. Në Kinë, çmimet e banesave do të bien me 4%, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të qetësuar këtë sektor të trazuar.

Vlerat e zyrave do të bien në Amerikë, ndërsa kreditë e këqija rriten. Globalisht do të maturohen 2.1 trilionë dollarë kredi për pasuri të paluajtshme, tre të katërtat e tyre në Amerikë. Në BE, shumë ndërtesa më të vjetra do të duhet të riparohen, ose do të bëhen asete të bllokuara.

Shitjet me pakicë

Vëllimet globale të shitjeve me pakicë do të zgjerohen me më shumë se 2% në vitin 2025 nga një vit më parë, më i shpejti që nga viti 2021, falë ngadalësimit të inflacionit në vendet e pasura.

Normat e ngritura të interesit dhe borxhet e kartave të kreditit do të pengojnë shpenzimet, duke tkurrur shumë rrjete dyqanesh:

Family Dollar, një zinxhir amerikan i blerjeve me ulje, do të mbyllë më shumë se 300 pika. Edhe blerësit e mundshëm të shtëpive do të shkurajohen nga çmimet e larta.

Pengesat e tjera do të jenë rregullatore. Ligjvënësit amerikanë do të mbrojnë bizneset vendase duke goditur shitësit online kinezë me kosto të ulët, si Shein dhe Temu.

Një tjetër kompani kineze, TikTok, planifikon të zgjerojë funksionin në Europë, edhe pse e ardhmja e saj në Amerikë është në rrezik. Blerjet online në Amerikën e Veriut përbëjnë rreth 18% të të gjitha shitjeve, më e lartë se mesatarja globale.

Gjelbërimi i tregtisë do të shtojë burokracinë. Ligjvënësit francezë do të kërkojnë të ndalojnë reklamat e modës së shpejtë për të frenuar emetimet e karbonit. Për të nxitur ripërdorimin dhe riciklimin, BE-ja do t’i detyrojë bizneset të ndajnë veshjet dhe këpucët e përdorura, nga sendet e tjera.

Ekologjizmi do të nxisë më shumë blerës të rinj të blejnë rroba të përdorura: ThredUp, një platformë rishitëse, thotë se rrobat e përdorura do të zënë rreth 10% të tregut të modës deri në vitin 2025.

Transporti dhe logjistika

Në vitin 2025, tensionet në Lindjen e Mesme do të pengojnë trafikun detar përmes Kanalit të Suezit, lidhja më e shkurtër midis Azisë dhe Europës.

Kompanitë e transportit do të vazhdojnë të ndryshojnë rrugën e anijeve rreth Kepit Good Hope, duke zgjatur udhëtimet dhe duke privuar Egjiptin nga qindra miliona dollarë të ardhura. Mund të ketë më shumë vonesa nga grevat e punëtorëve të pakënaqur.

Udhetimet-nderkombetare-turistike-1164

Edhe transportuesit pritet të kalojnë kohë të vështira. Nga viti 2025, ata do të duhet të paguajnë për ndotjen që shkaktojnë. Sistemi i tregtisë së emetimeve i BE-së mbulon 40% të emetimeve të tyre dhe kjo do të rritet në 100% deri në vitin 2027.

Rregullatorët e BE-së do të shtrëngojnë gjithashtu rregullat që lejojnë tregtinë pa tarifa për mallra me vlerë të ulët. Kjo do të rëndojë mbi tregtinë ndërkufitare.

Industria e kamionëve përballet gjithashtu me një rrugë me pengesa. Kushtet e rënda të punës po e bëjnë të vështirë zëvendësimin e shoferëve të moshuar. Vetëm Australia ka dhjetëra mijë vende të paplotësuara, me mungesa që do të zgjasin deri në vitin 2025 dhe më tej.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Kina dëshiron të shndërrojë Hainan, në Detin e Kinës Jugore, në një qendër tregtare. Ishulli tropikal planifikon të vendosë një regjim doganor të tregtisë së lirë deri në vitin 2025, për të rritur importet për prodhim.

Por gara me Hong Kongun do të jetë e vështirë. Në vitin 2023, Hong Kongu trajtoi mbi 14 milionë kontejnerë, kundrejt më pak se 2 milionë që kaluan në Hainan.

PO SIKUR?

Kina mbizotëron në furnizimet e mineraleve kritike, duke përfshirë metalet e përdorura për gjysmëpërçuesit, bateritë dhe teknologjitë e gjelbra. Në vitin 2022 ajo mundësoi 67% të produkteve të litiumit, 73% të kobaltit dhe 95% të manganit. Po sikur Kina të ndalë eksportet e mineraleve kritike? Ajo mund ta bëjë këtë për të shmangur mungesat e brendshme, ose për të luftuar një betejë kokë më kokë me Perëndimin.

Në vitin 2023, duke reaguar ndaj kufizimeve perëndimore për eksportet e gjysmëpërçuesve, Kina vendosi kontrolle mbi eksportet e grafitit (të nevojshëm për bateritë e litiumit), germaniumit dhe galiumit (të dy të rëndësishme për elektronikën). Çmimet u dyfishuan, duke penguar prodhimin e çipave.

Në vitin 2024, kontrollet e antimonit (të rëndësishme për armët) gjithashtu shkaktuan rritjen e çmimeve. Masat e mëtejshme mund të pengojnë prodhimin ekologjik.

Kufizimet mund të prekin mineralet që vendet perëndimore i gjykojnë si jetike. Udhëheqësit perëndimorë po përgjigjen, duke ofruar subvencione dhe leje të shpejta për miniera dhe impiante.

Vendet e pasura me burime si Brazili do të dalin me përfitime. Kompani si Tesla po investojnë në përpunimin e lëndëve të para, por jo mjaftueshëm shpejt: zëvendësimi i furnizimeve kineze do të kërkonte vite.

Telekomunikacioni

Ndërsa teknologjitë e vjetra celulare humbasin popullaritetin, abonimet 5G do të rriten me më shumë se 25%, duke arritur në 2.8 miliardë në vitin 2025, sipas llogaritjeve të Ericsson, një kompani e madhe telekomunikacioni.

Celularët 5G do të përbëjnë tre të katërtat e shitjeve, duke rritur dërgesat e smartfonëve me 2%, sipas shoqërisë kërkimore IDC.

Megjithatë, mbulimi 5G ka qenë i ngadaltë. Vetëm kohët e fundit ka arritur më shumë se 50% të abonentëve në Amerikën e Veriut.

Ndërkohë Pakistani, me vështirësi ekonomike dhe politike do të përfundojë ankandin e spektrit 5G në vitin 2025. Afrika mbetet mbrapa, me më pak se një të tretën e vendeve që kanë nisur shërbimet 5G.

Përparimi në shërbimin e internetit fiks do të jetë i ngadaltë. Mungesa e këmbimit valutor dhe rreziku i vjedhjes së infrastrukturës së telekomunikacionit do të shkaktojnë që Nigeria të mos arrijë synimin e saj ambicioz për të mundësuar internet për 70% të qytetarëve të saj deri në vitin 2025. Ndërkohë, vetëm 81% e popullsisë së Indisë do të ketë qasje në internet.

Lidhja ndërkombëtare varet kryesisht nga kabllot nënujore, të cilat rrezikohen nga konfliktet. Qeveritë po përgjigjen. Në vitin 2025, qeveria franceze do të blejë biznesin e kabllove nënujore të Nokia-s. Vietnami planifikon të shtojë deri në katër kabllo deri në vitin 2025, duke kërkuar të trefishojë lidhjet ndërkombëtare deri në vitin 2030.

Në vitin 2025, mund të vijë më shumë ndihmë për përdoruesit e uebit nga kompani si OneWeb dhe StarLink i Elon Musk, të cilat mundësojnë shërbime interneti nëpërmjet satelitëve.

Udhëtimi dhe turizmi

Udhëtimet turistike do të arrijnë një nivel të ri prej 1.6 miliardë në vitin 2025, duke rritur ekonomitë, por edhe duke bezdisur banorët vendas. Turizmi i jashtëm i Kinës, më në fund do të kapërcejë nivelet para pandemike. Tajlanda do të përfitojë nga lirimi i kërkesave për viza, po ashtu edhe Indonezia.

Kina do të lehtësojë rregullat për udhëtarët. Por dashuria e turistëve për blerjet jashtë shtetit, do të bjerë. Pjesa e Azisë në shpenzimet e turizmit do të arrijë 37%, në të njëjtin nivel me atë të Europës.

Megjithatë, Europa do të jetë destinacioni për më shumë se gjysmën e udhëtimeve ndërkombëtare. Protestat kundër turizmit në masë do të vazhdojnë. Qytetet e mbushura me njerëz do të kufizojnë qiratë afatshkurtra.

BE-ja do të rrisë mbikëqyrjen duke kërkuar që turistët nga më shumë se 60 shtete, përfshirë Britaninë dhe Amerikën, të paguajnë 7 dollarë për një “heqje vize”.

Ndërsa Norvegjia kufizon uljet e avionëve në Svalbard, vizitat në Arktik do të bëhen më të vështira. Por disa pjesë të Lindjes së Mesme dhe Afrikës do të mirëpresin më shumë udhëtarë, pasi Arabia Saudite dhe Zambia po investojnë në hotele.

Nga BE-ja në Zelandën e Re, udhëtimet “ekologjike” do të jenë në modë. Më shumë linja ajrore do t’i bashkohen paktit Corsia për uljen e emetimeve.

Por industria globale e turizmit do të jetë ende përgjegjëse për 5-8% të gazrave serë. Kompania kineze Comac do të reklamojë aeroplanin e saj C919, duke marrë pjesë tregu nga Airbus dhe Boeing.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Në vitin 2025, numri i indianëve që udhëtojnë jashtë vendit do të rritet me 17%, duke arritur në 29 milionë, sa një e pesta e totalit të Kinës, por me rritje më të shpejtë.

Shumë do të vizitojnë Lindjen e Mesme dhe Amerikën, por rreth 70% do të qarkullojnë në Azi falë heqjes së vizave. Turistët indianë do të paguajnë 1,400 dollarë për person, shumë më tepër se mesatarja botërore prej 1,033 dollarësh./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular