BallinaBotaLidhja e oqeaneve, si u ndërtua Kanali i Panamasë! Debatet mbi pronësinë...

Lidhja e oqeaneve, si u ndërtua Kanali i Panamasë! Debatet mbi pronësinë e tij

spot_img

“Ne e blemë atë, paguam për të, e ndërtuam atë, dhe synojmë ta mbajmë”. Tema ishte Kanali i Panamasë, folësi ishte kandidati për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan, në marsin e vitit 1976.

Një vit më pas, megjithatë, presidenti Jimmy Carter nënshkroi marrëveshje për t’ia dorëzuar Panamasë kontrollin e rrugës vitale ujore.

Gjysmë shekulli pasi debati mbi pronësinë e tij lëkundi për herë të parë Uashingtonin, çështja është aktualizuar përsëri, teksa presidenti në ardhje i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi synimin për ta rimarrë kanalin e rëndësishëm, duke pohuar se Kina “praktikisht e ka marrë atë në dorë”.

nije duke kaluar nëpër Kanalin e Panamasë, në dhjetorin e vitit 2022

Kanali aktualisht administrohet nga Panamaja, por Matthew Parker, autor i një libri për rrugën e famshme detare, thotë për Radion Evropa e Lirë se “kompanitë kineze kanë hise kontrolluese në portet në të dyja anët e Kanalit të Panamasë”.

Kjo, shprehet ai, është pjesë e një trendi më të gjerë, në të cilin Pekini “po zgjeron interesat e tij në infrastrukturën detare ndërkombëtare” në mbarë botën, përfshirë “edhe në ‘oborrin’ jugor të Shteteve të Bashkuara”.

Një tjetër pohim nga Trumpi, se Shtetet e Bashkuara kanë humbur “38.000 njerëz nga malaria” gjatë ndërtimit të kanalit, sipas Parkerit, e nënvlerëson rolin tragjik të një vendi tjetër në origjinën e rrugës detare.

Punëtorë francezë duke hapur një shtrat kanali në Panama, më 1886
Punëtorë francezë duke hapur një shtrat kanali në Panama, më 1886

Prej shekujsh, detarët kishin kërkuar një shkurtore që do ta lidhte Oqeanin Paqësor dhe atë Atlantik përmes istmit të Panamasë, për të shmangur rrugën e mundimshme përreth skajit të Amerikës jugore.

Më 1881, i frymëzuar nga suksesi i Kanalit të tij të Suezit, diplomati francez, Ferdinand de Lesseps, nisi zyrtarisht punën për ndërtimin e Kanalit të Panamasë.

Rruga do të shkurtonte për rreth 60 për qind largësinë detare ndërmjet brigjeve lindore dhe perëndimore të Amerikës.

Ferdinand de Lesseps, diplomati francez që qëndroi prapa Kanalit shumë fitimprurës të Suezit përmes Egjiptit
Ferdinand de Lesseps, diplomati francez që qëndroi prapa Kanalit shumë fitimprurës të Suezit përmes Egjiptit

De Lesseps grumbulloi ekuivalentin e miliarda dollarëve të sotëm për projektin, para të përdorura pjesërisht për të paguar gazetarë dhe politikanë për të rritur mbështetjen publike dhe për të inkurajuar investimet.

Por, plani francez për të hapur një kanal në nivel deti nëpër Panama ishte i prirë të dështonte që në nisje.

Një fotografi e rrallë që shfaq punimet e udhëhequra nga francezët për ndërtimin e Kanalit të Panamasë në vitet 1880
Një fotografi e rrallë që shfaq punimet e udhëhequra nga francezët për ndërtimin e Kanalit të Panamasë në vitet 1880

Punëtorët arritën në një istëm tropikal të kapluar nga varfëria, trazirat politike dhe sëmundjet. Në një kohë kur sëmundjet besohej se përhapeshin nga “avujt” misteriozë, fajtorët e vërtetë – mushkonjat – zbarkuan mbi ardhësit në re aq të dendura, saqë një punëtor kujtoi të ketë parë tufa “duke shuar një qiri të ndezur me trupat e tyre të djegur”.

Në kulmin vdekjeprurës të përpjekjes franceze, rreth dyzet punëtorë vdisnin çdo ditë, shumica nga ethet e verdha apo malaria.

Makineri e braktisur franceze përgjatë rrugës së kanalit, në Panama
Makineri e braktisur franceze përgjatë rrugës së kanalit, në Panama

Punëtorët e papërvojë u gjetën kryesisht në Karaibe, por kostoja njerëzore e projektit francez u ilustrua më së dhimbshmi nga historia e kryeinxhinierit të tij, Jules Dingler.

Francezi mori me vete në Panama familjen e vet dhe pa sëmundjen t’ua marrte jetën njërit pas tjetrit, vajzës së tij, të fejuarit të vajzës së tij dhe djalit të tij.

Lokomotiva të braktisura në xhunglën e Panamasë, pas dështimit të përpjekjes franceze për ndërtimin e kanalit
Lokomotiva të braktisura në xhunglën e Panamasë, pas dështimit të përpjekjes franceze për ndërtimin e kanalit

Kur kompania ndërtuese franceze përfundimisht dështoi më 1889, qindra mijëra investitorë humbën kursimet e tyre në atë që ishte një prej skandaleve më të mëdha financiare në histori.

Francezët në largim lanë prapa shumë pajisje, si dhe mbetjet mortore të rreth 20.000 punëtorëve.

Presidenti i SHBA-së, Theodore Roosevelt
Presidenti i SHBA-së, Theodore Roosevelt

Një dekadë pas katastrofës franceze në Panama, Theodore Roosevelt u zgjodh president i SHBA-së.

I nxitur nga një besim se Shtetet e Bashkuara duhet t’i dominojnë valët ekonomikisht dhe ushtarakisht, presidenti i 26-të kërkoi që SHBA-ja të vazhdojë aty ku e la Franca.

Një rrugë në Panama, në fillimin e viteve 1900
Një rrugë në Panama, në fillimin e viteve 1900

Kur negociatat për një koncesion për kanalin ndërmjet SHBA-së dhe Kolumbisë – provincë e së cilës ishte Panamaja – ngecën më 1903, revolucionarët panamezë të mbështetur nga SHBA-ja u shkëputën nga Kolumbia, teksa luftanijet amerikane qëndronin në gatishmëri larg brigjeve.

Uashingtoni njohu menjëherë shtetin e ri, ndërsa pasoi një marrëveshje për ndërtimin e një kanali nëpër Panama.

Ndërtimi i portave të kanalit në Gatun, rreth vitit 1910
Ndërtimi i portave të kanalit në Gatun, rreth vitit 1910

Në vend se të hapnin një rrugë në nivel deti nga bregu në breg, siç ishin munduar francezët, inxhinierët amerikanë zgjodhën ta përmbysnin qendrën e istmit të Panamasë, duke ndërtuar një pendë në lumin Çagres.

Një ilustrim nga fillimi i shekullit XX i rrugës së Kanalit të Panamasë
Një ilustrim nga fillimi i shekullit XX i rrugës së Kanalit të Panamasë

Liqeni artificial do të qëndronte 26 metra mbi nivelin e detit, kurse një varg zinxhirësh do t’i ngrinin anijet lart deri në liqen, e më pas do t’i zbritnin ato në nivelin e detit në skajin tjetër.

Një punëtor në Panama duke spërkatur vaj në një vend shumimi të mushkonjave
Një punëtor në Panama duke spërkatur vaj në një vend shumimi të mushkonjave

Për fatin e mirë të planifikuesve amerikanë, roli i mushkonjave në përhapjen e sëmundjeve u kuptua para se ekipet e tyre të punëtorëve të arrinin në Panama.

Përpjekje aq intensive ishin ndërmarrë për zhdukjen e mushkonjave në istëm, saqë një inxhinier pohoi se secila mushkonjë e ngordhur i kushtonte taksapaguesit amerikan 10 dollarë.

Një ekip dinamiti duke vënë mjete shpërthyese
Një ekip dinamiti duke vënë mjete shpërthyese

Përpjekjes amerikane i ndihmoi fakti se udhëhiqej nga inxhinierë që respektoheshin nga ekipet e tyre.

Ndarja racore zbatohej ndërmjet punëtorëve të papërvojë me ngjyrë, kryesisht nga Barbadosi, dhe amerikanëve të bardhë, por një dëshmitar raportonte se burrat përgjithësisht “trajtoheshin si qenie njerëzore, e jo si kafshë”.

Punët duke u kryer në Ngushticën e Kulebrës, një pjesë e vështirë e kanalit ku ndodhën rrëshqitje të shpeshta të dheut
Punët duke u kryer në Ngushticën e Kulebrës, një pjesë e vështirë e kanalit ku ndodhën rrëshqitje të shpeshta të dheut

Përpjekjeve për ngritje morali – sikurse një gazetë për punëtorët dhe organizimi i turneve të bejsbollit – burrat “iu përgjigjën duke dhënë shërbimin më të mirë që mundën”.

Rreth 5.800 punëtorë vdiqën gjatë dekadës që Shtetet e Bashkuara punuan në projektin e kanalit.

Një person duke ecur nëpër një nga portat në ndërtim e sipër
Një person duke ecur nëpër një nga portat në ndërtim e sipër

Teksa burrat hapnin rrugë nëpër Panama, vdekja vazhdonte të sulmonte punëtorët. Shumë prej tyre u vranë nga rrëshqitjet e dheut, të tjerë nga shpërthimet e dinamitit.

“Mishi i burrave shpesh fluturonte në ajër sikur zogjtë”, kujtonte një punëtor.

Ndërtimi i portave
Ndërtimi i portave

Por, puna u krye para afatit dhe sipas buxhetit të caktuar.

Në vjeshtën e vitit 1913, presidenti i SHBA-së, Woodrow Wilson, shtypi një sustë në tavolinën e tij në Uashington, e cila hodhi në erë një mur detar në Panama, rreth 3.300 kilometra larg.

Teksa uji rrodhi me shpejtësi në shtratin e kanalit, The New York Times raportoi se “ëndrra shekullore u bë realitet”.

Anija amerikane Ancon duke bërë kalimin e parë të plotë të Kanalit të Panamasë, më 15 gusht 1914
Anija amerikane Ancon duke bërë kalimin e parë të plotë të Kanalit të Panamasë, më 15 gusht 1914

Para hapjes formale të kanalit, më 15 gusht 1914, pakkush kishte marrë vesh për të.

Atë verë, vëmendja e botës ishte e përqendruar mbi Evropën dhe konfliktin e ashpër që së shpejti do të njihej si Lufta e Parë Botërore.

Trupat amerikane brenda zonës së Kanalit të Panamasë, pas hedhjes së gazit lotsjellës në drejtim të protestuesve panamezë, më 12 janar 1964
Trupat amerikane brenda zonës së Kanalit të Panamasë, pas hedhjes së gazit lotsjellës në drejtim të protestuesve panamezë, më 12 janar 1964

Dekada pas hapjes së kanalit, i cili transformoi tregtinë botërore, nisën të rriten tensionet ndërmjet amerikanëve që paguheshin mirë e që jetonin brenda zonës së kanalit nën kontrollin e SHBA-së, dhe panamezëve.

Në janarin e vitit 1964, armiqësitë e ndërsjella shpërthyen në dhunë vdekjeprurëse, pasi një flamur i Panamasë u shqye në mes të një zënke ndërmjet dy grupeve.

Një tubim në Uashington, në shtatorin e 1977-tës, kundër dorëzimit të kontrollit të Kanalit të Panamasë nga ana e SHBA-së
Një tubim në Uashington, në shtatorin e 1977-tës, kundër dorëzimit të kontrollit të Kanalit të Panamasë nga ana e SHBA-së

Incidenti i 1964-tës shtoi zërat në Uashington që kanali t’i jepej nën kontroll Panamasë.

Lëshimi kontrovers i presidentit Jimmy Carter bëri që rruga detare t’i dorëzohej vendit të Amerikës qendrore më 31 dhjetor 1999.

Punëtorët në njërën nga portat e Kanalit të Panamasë, në tetorin e 2024-tës
Punëtorët në njërën nga portat e Kanalit të Panamasë, në tetorin e 2024-tës

Historiania Julie Green, e cila ka shkruar një libër për historinë e kanalit, thotë për Radion Evropa e Lirë se çfarëdo përpjekje amerikane sot për të rimarrë kontrollin e kanalit me shumë gjasë do të çonte në një konflikt.

“E kam të vështirë ta imagjinoj kthimin e Kanalit të Panamasë në kontrollin e SHBA-së, pa një luftë kundër Panamasë”, shprehet ajo./REL

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular